Adelina Murati: Nga shtëpiake
tek puna me grep dhe qëndisje

Adelina Murati: Nga shtëpiake<br />tek puna me grep dhe qëndisje
TIRANE- Adelina prej më tepër se 10 vitesh gëzon statusin e shtëpiakes për shkak të pamundësisë për të gjetur një punë që t’i ofrojë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetesën. Megjithatë, ajo ka gjetur një zgjidhje për këtë situatë duke u vetëpunësuar përmes realizimit të punimeve artizanale.

Pavarësisht se ka 10 vite që bën diçka të tillë, Adelina tregon se kjo punë ka vështirësitë e saj, por megjithatë mbetet e bukur dhe artistike. Përveç kësaj, për të është bërë mjeti i vetëm që i siguron të ardhura për të jetuar. Larmishmëria e punimeve të saj përfshin një gamë të gjerë duke filluar nga punime me mbushje, kryq, grep e shtizë, nga modelet tradicionale shqiptare, tek katalogët e ditëve të fundit e deri tek konsultimi me dizajnerë të ndryshëm.

Kohëzgjatja e punimeve është e ndryshme nga njëri-tjetri, në varësi të modelit e llojit të punimit. Adelina tregon se gjetja e të gjitha lëndëve të para në treg është e thjeshtë, pasi kanë shumë mundësi zgjedhjeje nga të gjitha llojet e cilësisë e çmimeve. Por, pavarësisht se këto punime artistike janë të bukura, të veçanta e unike, në vendin tonë nuk vlerësohen shumë dhe nuk gjejnë tregun e duhur, megjithatë Adelina thotë se fiton mjaftueshëm për të mbajtur veten e familjen. E vetmja arsye pse ajo do ta linte këtë zanat do të ishte një punë stabël me pagesë më të mirë, por edhe atëherë do të shfrytëzonte kohën e lirë për t’a ushtruar pasionin e saj.
 
Prej më shumë se një dekade ju jeni vetëpunësuar përmes punimeve artizanale. Është i vështirë realizimi i tyre?
Kam shumë kohë që kam nisur të realizoj punë me dorë! Duke pasur parasysh se nuk kam një profesion të caktuar, kam zgjedhur punët artizanale për të krijuar një mundësi për vete dhe familjen. Është e vështirë, por është mundësia jonë e vetme.
 
Cilat janë punimet më dominuese që realizoni me dore?
Janë shumë lloje punësh. Me dorë ne punojmë të gjitha llojet e punimeve si; me kryq, mbushje me grep dhe me shtizë.
 
Ku bazoheni për realizimin e motiveve të qëndisjeve dhe  punimeve me grep?
Nga modelet tradicionale shqiptare, tek katalogët e ditëve të fundit e deri tek konsultimi me dizajnerë të ndryshëm. Sot, kemi mundësi pafund për të bërë punë të veçanta.
 
Sa kohë të duhet për të realizuar një mbulesë të bukur tavoline?
Për të realizuar një mbulesë, nuk mund ta përcaktosh me kohë pasi varet nga modeli e nga lloji i punimit. kemi modele që zgjasin me javë, por kemi dhe modele që duken të thjeshta nga syri, por të vështira për tu realizuar.

A është e vështirë për të gjetur materialet në treg?
Sot, tregu të ofron opsione të pafundme zgjedhjesh. Por, punët me dorë çdo ditë dhe më shumë po marrin tjetër vlerësim. Për të gjetur lëndën e parë nuk është e vështirë, mund të gjesh të gjithë lëndën e parë e me cilësi të ndryshme. Çdo gjë varet nga çfarë kërkon.
 
Prej dhjetë vitesh tashmë jeni angazhuar në këtë punë. Ju sjell të ardhura për familjen tuaj?
Duke parë vështirësitë që shumë gra hasin në familjet e tyre, mund të them se nuk është keq. Edhe pse nuk ka pagesë të lartë për punët me dorë dhe nuk vlerësohet aq shumë, por pa gjë nuk të le. Mua më ka ndihmuar shumë në familjen time.
 
Mendoni se një ditë do ta braktisni këtë zanat?
Më pëlqen shumë, po ama po gjeta punë me pagesë më të mirë mund ta lë. Sigurisht që qëndisjet dhe punët me grep për mua kanë shumë vlerë dhe nëse nuk gjej mundësi të tjera, në kohën e lirë do punoj modele të ndryshme për fëmijët e mi, pasi nuk ka gjë më me vlerë se një punë e realizuar me dorë. Janë punë që nuk vdesin kurrë, madje jetojnë për vite me radhë, brez pas brezi.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)  
 

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?

Horoskopi i muajit shtator 2024/ Çfarë surprizash ju presin në dashuri, punë dhe financa?