Administratori i inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja i arrestuar nga SPAK për korrupsion, është lënë në masën arrest shtëpie. GJKKO nuk e pranoi kërkesën e SPAK për të caktuar ndaj tij masën arrest në burg.

Seanca nuk dështoi, pasi një avokat i caktuar kryesisht nga gjykata theu bojkotin kundër rregullores së re dhe u paraqit për të mbrojtur Kajën. Një ditë më parë, seanca ishte shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve, përfshirë edhe ata të caktuar kryesisht, të cilët u gjobitën me nga 60 mijë lekë të rinj. E premtja ishte afati i fundit për caktimin e masës së sigurisë, pasi në të kundërt Kaja duhej të lirohej. Për avokatët që thyejnë bojkotin Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka parlajmëruar heqje licence. 

Leli Kaja u arrestua në flagrancë më 5 tetor nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas SPAK, administratori i shoqërisë “ECO-ELB” dyshohet se i kërkoi dhe i mori 400 mijë lekë administratorit të një kompanie private, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkonte ligji. Shuma e parave u gjet dhe u sekuestrua gjatë kontrollit personal të Kajës.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë