Hapësira e dedikuar në Report Tv do të jetë në dispozicionin tuaj çdo të mërkurë në orën 19:00, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli dhe me të ftuar ekspertin Klodian Gjata. Në emisionin e parë eksperi Gjata ka sqaruar mënyrën se si zgjidhet administratori i pallateve, rolin e tij si dhe detyrimet e qytetarëve. Eksperti i është përgjigjur edhe pyetjeve specifike për konfliktet midis bashkëpronarëve në një pallat.
Kam një problem me komshiun sipër. Ka 5-6 vjet që më kullojnë ujërat nga sipër. Shtëpia ime është jashtë përdorimit. Ka mundësi të më jepni një përgjigje se si ta zgjidh këtë problem?
Kjo është një ndër problematikat e shumta që vijnë nga qytetarët në drejtorinë tonë. Ajo që do t’i thosha qytetarit është që, pikësëpari, të fillojnë të zgjedhin bordin drejtues të pallatit. Ne konsistojmë në momentin kur kemi një administrator të zgjedhur dhe të certifikuar nga Bashkia e Tiranës dhe së bashku me të dy fqinjët midis të cilëve është konflikti, të tentonim dhe të gjenim një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë rast bëjmë ndërmjetësin.
Më pas, nëse kjo gjuhë e përbashkët nuk gjendet, sigurisht që qytetari mund t’i drejtohet institucionit të Bashkisë së Tiranës, e cila së fundmi ka iniciuar dhe policinë me komunitetin dhe së bashku të bëjmë ndërlidhësin për zgjidhjen e këtij konflikti. Pastaj është edhe rruga gjyqësore që është e përfshirë në ligj. Administratori së bashku me kryesinë vlerësojnë dëmin dhe përcaktojnë përgjegjësin që ka shkaktuar dëmin, i cili duhet t’i kthejë ambientet në gjendjen e mëparshme.
Administratori duhet të zgjidhet nga banorët apo imponohet nga firma ndërtuese? Ne nuk e kemi zgjedhur administratorin në pallatin tonë, por po na imponohet nga firma ndërtuese që prej 4 vitesh dhe në mënyrë abuzive personi ka vendosur një lajmërim sikur ka marrë të drejtën nga Bashkia, por ndërkohë nuk korrespondojnë numrat e protokollit, data si dhe emri i personit.
Kisha një pyetje për zonjën. Ju posedoni kontratë apo keni vetëm tapi për apartamentin tuaj? Unë shtëpinë e kam të blerë. Kam certifikatën e pronësisë.
Bashkia e Tiranës aktualisht po punon në zonën e Freskut në lidhje me zgjedhjen e kryesisë së bashkëpronarëve. Unë ftoj qytetaren që t’i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës, në momentin kur grupet tona të Task Forcës vijnë pranë shtëpive tuaja, t’i hapin dyert, të zbresin poshtë dhe së bashku të krijojmë kryesinë. Normalisht, jeni ju banorët e pallateve ata, të cilët keni të drejtën të zgjidhni dhe administratorin. Në momentin që së bashku zgjedhim kryesinë të përbërë nga banorët e pallateve, asambleja pastaj i atribuon kryesisë të drejtën për të zgjedhur një administrator. Administratori mund të jetë shoqëri ose individ. Ne aktualisht kemi rreth 600 administratorë të licensuar pranë Bashkisë së Tiranës, nga të cilët 20 janë nga kompani administruese. Banorët e zgjedhin vetë administratorin, zgjedhin edhe shërbimet që duan nga ky administrator. Zgjedhja nuk duhet bërë me imponim.
Unë banoj në Durrës, lagjja e plazhit. Në këto pallatet e plazhit është më i theksuar problemi lidhur me caktimin e administratorëve. Janë njerëz të cilët nuk kanë lidhje me pallatin dhe nuk i ndjejnë vështirësitë e banorëve të këtyre pallateve. Ne duam të vëmë sahatet e ujit, por problemi është se duhet organizuar nga administratori. Ai nuk duket fare. Ne nuk jemi të sigurt, kemi frikë se mos na i vjedhin sahatet. Ne kërkojmë nga Bashkia përkatëse e Durrësit që të veprojë si ajo e Tiranës dhe ta ndjekë më mirë këtë problem.
Bashkia e Tiranës, si bashkia më e madhe në Shqipëri, është gjithmonë iniciatore e zhvillimit dhe e zbatimit të ligjshmërisë. Ashtu si Bashkia e Tiranës po punon për zbatimin e këtij projekti, ashtu do të veprojnë edhe bashkitë e tjera. Unë nuk e di rastin specifik, por banorët janë ata që e zgjedhin vetë administratorin. Ky administrator ka deytrimin që të paraqitet pranë pallatit çdo ditë dhe të kryejë detyrimet e tij.
Jam një qytetare nga Tirana, banoj te blloku i pallateve te shkolla “Vasil Shanto”. Para pallateve është një tmerr i vërtetë. Aty nuk zgjidhet administratori, ka ardhur Task Forca, i kanë parë të gjitha mbeturinat që kanë pallatet aty. Në pallatin tonë nuk kemi administrator sepse ne banorët që jemi më të rinj në moshë jemi në punë dhe prandaj nuk mund të zgjedhim administrator. Jemi dakord që sa më parë ta sjellë Bashkia, mirëpo administrator jo kukull sepse Policinë Bashkiake e kemi shumë afër, vijnë dhe asgjë s’bën. Kryesinë e kemi zgjedhur por administratorin jo sepse është një tmerr i vërtetë të vini te këto dy pallate.
Në raste të tilla kur ne kemi të zgjedhur kryesinë dhe nuk është zgjedhur administratori për një periudhë 6-mujore, në ligj shprehet që ky atribut i kalon Kryetarit të Bashkisë. Kryetari i Bashkisë do të caktojë për pallatin e zonjës në fjalë një administrator, i cili do të ushtrojë funksionin e tij me një kohëzgjatje 3-mujore. Në këtë kohë 3-mujore, i lihet sërish kohë banorëve, bashkëpronarëve, që të zgjedhin administratorin e tyre, sepse Bashkia kontrakton një firmë administruese. Për këto pallate, nga muaji mars 2018 Bashkia do të vendosë një administrator. Më mirë është që banorët ta zgjedhin midis tyre administratorin sepse njihen më mirë midis tyre dhe konfliktet zgjidhen më shpejt.
Pallatet e vjetra kanë administrator? Çfarë mund të bëjë administratori për pallatin sepse ne deri tani jemi kujdesur vetë për lyerjen, pastrimin, pompën e për të gjitha. Prandaj po pyes se çfarë do të bëjnë administratorët? Mendimi im është që më shumë burokraci do të ketë. I zgjedhin sipas bindjes partiake.
Është detyrim ligjor për të gjithë bashkëpronarët, qoftë në pallate të rinj apo të vjetër, që të kenë një administrator dhe për sa i përket shërbimeve që zonja mendon se në pallatin e saj nuk janë të nevojshme, duhet një person i cili të kujdeset edhe për ato shërbime minimale që pallatet e ndërtuara përpara vitit 1993 kanë nevojë.
Unë kam një shtëpi në plazh, në Golem. Nuk kam informacion se sa mund të jetë rroga e një administratori. Ne jemi në një kompleks me 110 familje dhe paguajmë nga 100 000 lekë të vjetra në vit. Në fakt ne atë shtëpi e përdorim vetëm dy muaj. Nuk e përdor ashensorin. Ata që e përdorin paguajnë lekë të tjera. Unë banoj në Tiranë dhe atë shtëpi e kam vetëm për plazh. Këtu në Tiranë e kemi administratorin, por mezi merremi vesh. Vuajtëm shumë kohë për ashensorin dhe për probleme të tjera dhe tani së fundi kemi zgjedhur një kryesi.
Tarifa e administrimit kur një administrator ofrohet pranë kryesisë dhe bashkëpronarëve, përmban disa elementë. Elementët minimalë që kjo tarifë duhet të përmbajë janë: pagesa e mirëmbajtjes së ashensorëve, pagesa e sanitares, paga e administratorit, lyerja e fasadës, e hyrjes së pallatit, masat e mbrojtjes kundër zjarrit, dhe këto janë paketat minimale që një administrator i ofron asamblesë përpara se të lidhë kontratën. Ndërsa për sa i përket pyetjes tjetër të zonjës, unë e ftoj zonjën që para Website Bashkia Tiranë, ndodhet database i të gjithë administratorëve me të cilët mund të krijohet komunikim dhe lidhje e kontratës.
Banoj te zona e Astirit, te pallatet e reja. Nuk funksionon fare administrimi i pallatit. Pronari i tokës së pallatit sillet si administrator. Ka një bashkëpunim shumë të dobët me të. Pallatet po amortizohen, ambientet janë të pista duke na rrezikuar dhe shëndetin.
Në lidhje me momentin kur bashkëpronarët nuk kanë certifikatën e pronësisë, i lind e drejta firmës ndërtuese që të administrojë pallatin. Ajo që do t’i sugjeroja qytetarëve është që ata duhet të lidhin një kontratë administrimi me një administrator të ligjshëm që Bashkia e Tiranës e njeh.
Ne jemi një pallat i vjetër 5-katësh, me nga 3 hyrje. Gjithsej 15 familje, nga këto 4 janë larguar dhe kemi mbetur 11 familje. Dua të di se sa do të paguajmë ne për administratorin. E kemi zgjedhur. Në fakt ne na kanë thënë që administratori do të jetë vetëm për mirëmbajtjen e fasadës dhe për tarracën. Është e vërtetë kjo? Dhe nëse është vetëm për këtë arsye, për çfarë na duhet administratori?
Normalisht që administratori nuk është vetëm për këto dy shërbime. Ajo që do t’i thosha zotërisë, duke marrë shkas nga kjo pyetje, në lidhje me të gjithë bashkëpronarët të cilët nuk jetojnë në apartamentin e tyre 6 muaj të vitit, asambleja e bashkëpronarëve merr një vendim që kjo kosto e administrimit rishikohet. Sigurisht që është më e ulët për personat që nuk e përdorin apartamentin e tyre.
Unë banoj te pallatet “Çabej”. Janë akoma të papërfunduara. Si mund të kemi një administrator neve, kur pallati nuk ka mbaruar akoma? Ne jetojmë këtu në mes të plehrave.
Në momentin kur 1/3 e bashkëpronarëve zotëron certifikatën e pronësisë, i lind e drejta që të bëjë një kërkesë zyrtare pranë institucionit të Bashkisë Tiranë, për t’i ardhur në ndihmë për zgjedhjen e kryesisë.
d.c./shqiptarja.com









