Adrian Paci, në Paris
me “jetë në tranzit”

Adrian Paci, në Paris <br />me “jetë në tranzit”
Një poet i videoartit. Kështu e cilësojnë mediat italiane e franceze artistin Adrian Pacin, ndërsa njoftojnë ekspozitën e tij të rëndësishme në Paris e cila u hap mbrëmë në “Paume de Jeu”.

E ka titulluar “Vies en transit” (Jetë në trazit), një titull i cilësuar si majft i gjetur dhe i bukur për një ekspozitë. Por ajo që e bën më domethënës këtë titull sipas mediave, është fakti se artisti i ftuar është një prej protagonistëve të këtyre “jetëve”.

Kjo ekspozitë është historia e Adrian Pacit, i lindur në vitin 1969 në Shqipëri, një vend, të cilin e braktisi së bashku me familjen e tij në fund të viteve ’90 për tu strehuar në Itali, të cilën më vonë e bëri tokën e tij të adoptuar.

Menjëherë pasi vendoset në Itali ai lë pikturën dhe skulpturën dhe merret me video art, një zhanër ku merr udhë eksperienca e tij personale në ekzil, ndarja nga vendlindja dhe adaptimi në një vend të ri, në një jetë të re.

Kështu nis prezantimi i artistit Paci dhe thelbit të artit që ai kultivoi pas ikjes nga Shqipëria.
Ndërsa përmenden veprat e para të tij dhe personazhet e historitë që lëvrijnë në to, vihet theksi tek vajza e artistit, një personazh mjaft mbreslënës, e cila rrëfen histori kafshësh, lufte dhe ekzili.

Mandej veprat e artistit analizohen më në thellësi...
“Më shumë poetike sesa formale, kërkimet e artistit zhvendosen nga përvojat personale, nga historitë e familjes së tij në çështje të komunitetit, duke përqafuar tema që gjithmonë janë shumë të afërta me të e të prekshme, si emigrimi, humbjet, nostalgjia, kujtesa etj. Theksi i tij bie mbi pasojat e konflikteve sociale, mbi personazhe dhe identitetin e tyre, kultural, politik dhe social. Është një hulumtim mbi ndikimet që njeriu vuan në përputhje me kontekstin socio-ekonomike në të cilin jeton.

Linja e histrorisë së jetuar, asaj të treguar, të trashëguar dhe sajesës perceptohet gjithnjë në veprat e tij. Ndoshta, pikërisht në këtë ekuilibër, në këtë linjë të hollë, është edhe forca dhe intensiteti i tyre. Përvoja e tij jetësore në kushte privimi, braktisjeje dhe arratie, i bën veprat e Adrian Pacit autentike dhe të sinqerta, pa kurrëfarë artifici.

Përmes videove, instalacioneve, pikturave, fotografive dhe skulpturave, kjo hapësirë pariziane përmbledh vepra të realizuara nga Adrian Paci që prej vitit 1997, viti i saktë i ‘arratisë’ së tij nga Shqipëria.

Në ekspozitë duket se tërheqin vëmendje të posaçme videot e artistit.. Nga video e paharrueshme “Qendra e vendndodhjes sё pёrkohshme” e xhiruar nё Aeroportin San José nё Kaliforni, ku disa persona ngjeshur pas njёri-tjetrit qёndrojnё mbi njё shkallё nё qendёr tё pistёs, e nё anёn tjetёr tё asaj shkalle nuk ka asnjё avion... tek videoja tjetër “Vojtojca”, nё tё cilёn artisti vё nё skenё vdekjen e tij me njё njehёsim profesional, tek “Turn On” ku manifestohen kushtet e njё pune tё pasigurtё, tё projektuar nё kohё... e deri tek video e re e titulluar “ The Column”, e realizuar posaçёrisht pёr ekspozitёn, një video e xhiruar nё njё anije qё është drejtuar nga Lindje në Perёndim, mbi tё cilёn, disa skulptorё ndёrtojnё njё monument dhe njё kolonë romake pёrgjatё rrugёtimit drejt Europёs.

Ekspozita me titull "Adrian Paci, Jetë në Tranzit", e kuruar nga Marta Gili dhe Marie Fraser, do të qëndrojë e hapur në Paume de Jeu në Paris, nga 26 shkurt-12 maj 2013.

ekspozite me paris nga paciekspozite me paris nga paci


ekspozite me paris nga paciekspozite me paris nga paci

(Foto nga ekspozita)

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 27 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit

Aksident në autostradën Tiranë-Durrës, bllokohet qarkullimi i mjeteve! 8 km radhë nga Maminasi deri pranë mbikalimit të Kasharit