Adrian Paci: S’mjaftojnë artistët e
sportistët të integrohemi në Europë

Adrian Paci: S’mjaftojnë artistët e<br />sportistët të integrohemi në Europë
Fjala e artistit Adrian Paci e mbajtur dje Panelin me temë “Përtej diplomacisë klasike” në Konferencën e Ambasadorëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Unë nuk jam një specialist i diplomacisë , prandaj jam këtu me shume modesti për te ndare me ju disa mendime i ftuar nga ministria Kumbaro se cilës ia kam çmuar sa vullnetin aq dhe pasionin për t’i shërbyer kulturës shqiptare. Që në fillim më duhet të ndaj me ju bindjen time se mos suksesi ynë si popull, si shoqëri apo si shtet nuk mund të kompensohet nga suksesi i individëve të veçantë, qofshin këta artistë, shkrimtarë, balerinë, apo ngritës peshash. Një popull i nëpërkëmbur, ku shteti e ligji nuk respektohet, ku ndjenja e bashkësisë është copë-copë, ku drejtësia mungon e ku brutaliteti dhe arroganca dominon jetën dhe raportet sociale, mund të nxjerre artistë apo këngëtarë me shumicë e prapë se prapë nuk mund të bëhet kurrë një popull i respektuar. Nganjëhere njerëzit e mëdhenj dalin pikërisht falë rrethanave aspak të favorshme si një nevoje për të kompensuar vuajtjen dhe dhunimin që realiteti nga vijnë u rezervon. Vlerësimi për to nuk mund të na bëjë të harrojmë se jo vetëm nuk kemi kurrfarë meritë në suksesin e tyre, por nuk kemi asnjë arsye për ta ndjerë veten krenarë për faktin e thjeshtë se i përkasim të njëjtit komb.

Rreziku që ne të jemi një popull përgjithësisht i parealizuar që e shfryn frustrimin e mossuksesit të vet në entuziazmin për një grusht njerëzish, që aty këtu kanë bërë emër në botë është një rrezik real dhe ne mendoj se duhet te jemi të vëmendshëm që mos ta përdorim këtë entuziazëm, shpesh herë naiv, për të mbuluar mungesat sociale apo kulturore të cilat kanë nevojë për impenjim të thellë shtetformues, politik, juridik, ekonomik, organizativ e kulturor. Thënë kjo nuk mund te mos e konsiderojmë diplomacinë kulturore një mjet ne duart e institucioneve në të mirë të vendit.

Unë nuk mund të flas në emër te gjithë njerëzve të kulturës, por po të marrim vetëm artet vizive, mund të themi se këto 20 vite Shqipëria si asnjëherë tjetër në historinë e vet, ka patur artistët e saj me ekspozita personale e kolektive në muzetë, galeritë, eventet më të rëndësishëm të artit botëror. Asnjëherë si këto 20 vitet e fundit nuk është folur për Shqipërinë dhe artin dhe artistet e saj në ambientet me prestigjioze te artit nga Metropolitan Museum, ne Tate Modern, Nga Neë Museum, ne Pompidou, nga Bienalet Europiane tek ato te Azise apo Amerikes Latine. Ne suksesin e artistëve shqiptarë shteti shqiptar nuk ka pasur kurrfarë merite e ky nuk është një faj, mbasi nuk ka artist te respektueshëm që e ndërton suksesin e vet nëpër korridoret e burokracisë shtetërore. Gjithsesi institucionet e shtetit mund të jenë me bashkëpunues me politikat e tyre kulturore në mënyrë qe individë të caktuar të gjejnë tek këto institucione mbështetje dhe vlerësim. Por çfarë kuptojmë me mbështetje.

Nganjëherë mbështetja për artin konceptohet nga selitë tona diplomatike si një çështje muresh apo sallash. Ne duhet t’i ruhemi transformimit të selive tona diplomatike ne pseudo salla ekspozitash apo ambiente te improvizuara muzikore apo letrare. Mendoj se një artist shqiptar nuk ka nevojë të promovohet në sallat e ambasadave, por te gjejë mbështetje nga ambasadat në rrugëtimin e tij në ambientet profesionale te artit dhe kulturës botërore. Sigurisht qëllimet e mira janë të nevojshme për të nisur një proces, por ato nuk mjaftojnë. Ndoshta duhet menduar te krijohet një strukture dhe fond i përbashkët mes Ministrisë se kulturës dhe Ministrisë se jashtme për mbështetjen e artit dhe kulturës shqiptare ne botë. Nga ana tjetër, nëse një fond i tillë do të ekzistonte, mendoj se ai duhej të mbrohej e te mbahet sa më larg nga banaliteti i pseudokulturës, pasi të gjithë e dimë se me të zellshmit për t’iu turrur zyrave të shtetit, për të marrë në dore flamurin e kombit, për të thurur vargje patetike e mbushur formularë të mërzitshëm, janë përgjithësisht njerëzit mediokër. Në këtë kuptim them se duhet të ketë një ndërveprim me institucioneve të specializuara si të ministrisë së kulturës, ashtu edhe te ministrisë së jashtme për t’i qëndruar larg këtij presioni dhe për të mbështetur vërtet ato talente që meritojnë të mbështeten. Kur them talente që meritojnë të mbështeten e kam fjalën kryesisht për talente të brezit të ri që sapo e kanë nisur karrierën e vet dhe kanë nevojë për mbështetje si nga ana financiare, ashtu edhe me kontakte nga bota e madhe e artit.

Është fakt shume pozitiv për shembull, qe Shqipëria po merr pjesë në mënyrë të përsëritur dhe me nivel shume të mirë në evente si Bienalja e Venecias si në art ashtu dhe arkitekturë është një shembull i mirë, i cili kërkon sigurisht një sforcim për financat e varfra të shtetit tonë, por që e jep frytin e vet në prezantimin dinjitoz të Shqipërisë në këtë arenë të rëndësishme të artit dhe arkitekturës botërore. Por përtej këtij piedestali prestigjioz mendoj se nuk duhet reshtur se kërkuari kanale komunikimi mes skenës artistike ndërkombëtare dhe talenteve shqiptare në mënyrë që, duke prezantuar kërkimin e tyre artistik, ato të prezantojnë edhe një fytyre të emancipuar te vlerave shqiptare. Nga ana tjetër mendoj se pjese e diplomacisë kulturore është edhe një përkujdesje me kryeulët dhe pa shumë bujë që shteti shqiptar duhet t’u bëjë elementeve si të thuash të nëndheshëm, por të qenësishëm te kulturës shqiptare në botë, duke filluar me mbrojtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe ne brezat e fëmijëve të emigranteve e deri tek format e agregimit kulturor dhe shoqëror mes njerëzish të thjeshtë që edhe pse jetojnë larg vendlindjes, kanë nevojë ta ndjejnë shtetin e tyre si një kujdestar të identitetit të vet kulturor.

Pra puna për promovimin e talenteve te reja ne fushat specifike të shprehjeve të tyre nga njëra ane dhe ushqimi i vazhdueshëm i përpjekjeve për mosbjerrjen e identitetit kulturor tek njerëzit e thjeshte nga ana tjetër duhet te jene dy ane te se njëjtës medalje te impenjimit kulturor te diplomacisë sonë në botë. Pjesa e fundit janë si të thuash ekselencat shqiptare, të cilat ndoshta nuk e kanë më të nevojshme të mbështeten nga shteti shqiptar, por të cilëve shteti u rri përkrah duke e kthyer suksesin e tyre ne një sukses të përbashkët për imazhin e Shqipërisë. Sigurisht që për të bërë çdo punë të mirë duhet dije, pasion, intuitë por edhe elegancë e durim. Kultura nuk bëhet me fushata e me aksione. ajo kërkon ndërgjegjësim se gjithsecili vë një gur të vogël në një ngrehinë që të tjerë na e kanë lënë e të tjerëve do t’ua dorëzojmë. Vënia në dialog e kulturës shqiptare me atë botërore kërkon dyfishimin e kësaj ndjenje të modestisë, por edhe ngulmimin për ta mbushur atë boshllëk që për shumë vite e ndërpreu komunikimin normal mes nesh dhe pjesës tjetër të globit. Vendosja e këtyre urave te komunikimit mbete akoma një sfidë për kulturën shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar. 

paci

paci

paci

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë