Fatos Tarifa përmend në shkrimin e tij të shkurtër një bisedë familjare me Shefqet Peçin. Kjo histori të bën të mendosh për mitin e madhështisë dhe atë që po e quaj për të shmangur fjalët e tjera, biologjia e barazisë.
Rrëfimi përmend një autor të huaj, Montenj. Ky, në një prej eseve të tij të famshme e “çarmatos” madhështinë me një fjali të thjeshtë: “Les Roys et les philosophes fientent, et les dames aussi”.
Mua më pëlqen ta shoh si një mesazh ironik të Krijuesit. Biologjia e tij nuk njeh tituj pushtetesh, famë apo pasuri, vepra këto të gjitha të njeriut për njeriun.
Por jam i sigurtë që as Montenj (për shumë arsye por edhe sepse vetë ai është i kufizuar sepse është njeri) nuk e ka shkruar këtë për të fyer mbretërit. E ka bërë për t’i kthyer ata në përmasën e tyre reale.
Pushteti, në thelb, nuk është problem për aq kohë sa mbahet mend se është vetëm funksion. Kriza nis kur pushteti fillon të besohet si cilësi ontologjike e njeriut që e ushtron.
Me fjalë të tjera, ai në krye nuk e shikon më pushtetin si një mjet për të shërbyer ose si një detyrë, por si diçka që e bën atë “më të madh” si njeri, madje si një karakteristikë të pashmangshme të ekzistencës.
Këto ide, filozofia i ka artikuluar me elegancë, por në Shqipëri kanë ekzistuar gjithmonë në formën e tyre të drejtpërdrejtë, tek urtësia popullore. Shqipja ka shumë fjalë të urta të mençura rreth kësaj.
Sot në epokën e snobave bosh, kjo mençuri është shpallur foklorike dhe e përçmueshme, por shoqëritë tradicionale shqiptare, sado të varfra dhe të ashpra nuk i kanë besuar kurrë plotësisht madhështisë. E kanë ditur, instinktivisht, se njeriu që ngrihet shumë lart rrezikon të harrojë se ku qëndron.
Sot, si çdo shoqëri që ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga autoriteti i pakontrolluar, bëjmë mirë ta risjellim sa më shpesh në mend këtë kujtesë të vjetër.
Aq më tepër që kulti i individit, tek ne, nuk paska qenë thjesht produkt i diktaturës. Ai ka mbijetuar si mentalitet edhe pas saj. Ndryshuan sistemet, por ka mbetur i fortë tundimi për t’u ndier i pazëvendësueshëm.
“Sevo, çdo bithë m… bën”, thotë Shefqet Peçi, pa biblioteka, pa universitete me emër apo citime latine. Realizmi i shprehjes mund të duket brutal, por është i saktë. Është një mënyrë për ta mbajtur pushtetin në tokë, për ta zhveshur nga aura e rreme e shenjtërisë.
Pushteti nuk e ndryshon njeriun, vetëm e zbulon. Ai që ishte i vogël bëhet më i vogël, por me zë më të lartë. Ai që ishte i pasigurt bëhet autoritar, kërkon adhurim nga të tjerët, madje e kërkon atë si një të drejtë.
Sapo i ngrohet “bitha” poshtë, iluzioni i madhështisë lart në kokë fillon të marrë kontroll mbi sjelljen politike. I nis bindja se ligjet, kufijtë etikë, kritika apo gjykimi publik vlejnë për të tjerët, por jo për të. Kadri Roshi te Rrethimi i Vogël ka një skenë shumë të arrirë të kësaj.
Ky mit i madhështisë së rreme është një mashtrim i dyfishtë. Mashtron ata që e ushtrojnë pushtetin, por edhe ata që e mbajnë në supe ose e durojnë.
Ndaj, demistifikimi bëhet akt qytetar. Të qeshësh me pushtetin, ta ulësh nga piedestali, nuk është mungesë respekti. Është mbrojtje e shoqërisë nga ky vetë-mashtrim. Shoqëritë që nuk e bëjnë këtë përfundojnë duke adhuruar njerëz./ Gazeta Dita
Komente











Po mirë more zotrinj(shokë)ne shqiptarët kemi njërëz të iluminuar dhe që i kanë dhënë jetë dhe dritë(jo si ajo e diellit)këtij pop dhe vëndi.Ju nuk mundeni të perifrazoni si kundër këta të huajt ata tanët?.?A po më falni jeni të'rinj, dhe nuk i njihni se jeni 'ndritur, në perëndim.Lumja t'i moj SHWIPËRJA ZONJË PËR KËTA "DJEMË,, QË KE,që kush më shumë thënie të botës na thonë.
PërgjigjuPse Shefqet Peci dhe Kadri Roshi te huaj te duken ty? Apo hajd mo lexo dy reshta dhe komento ca t thot qyfyrja