Ka një reagim të deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, pas debateve që u përhapën në rrjetet sociale lidhur me përdorimin e dialektit gegë në fjalimet e saj në Parlament, në vend të gjuhës standarde.
“S’kam me e lëshue gegnishten teme”, është motoja me të cilën ajo ka zgjedhur t’u kthejë përgjigje të gjithë atyre që e kanë ironizuar apo kritikuar.
Ekziston një debat i vjetër në Shqipëri që prej Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. Zyrtarët publikë duhet t’i përmbahen gjuhës standarde në institucionet shtetërore apo ka hapësirë për dialektet si pasuri kulturore?
Dy shembuj krahasues si funksionon kjo në vende të tjera:
Zviceranët gjermanofonë janë shembulli më ekstrem. Në rrugë dhe familje flasin “Schwiizerdütsch” (dialektin zviceran), i cili është shumë i ndryshëm nga gjermanishtja e Gjermanisë. Por në institucione përdorin “Hochdeutsch” (gjermanishten standarde) për shkresa zyrtare.
Gjithsesi, në Parlamentin e Zvicrës është krejtësisht normale që një deputet të mbajë fjalim në dialektin e zonës së tij. Ata e shohin dialektin si shenjë lirie dhe pavarësie.
Franca është ana tjetër e medaljes. Që nga Revolucioni Francez, shteti ka luftuar me rreptësi çdo dialekt (breton, provansal, etj.) për të imponuar frëngjishten e Parisit si të vetmen gjuhë të kombit. Në Parlamentin francez, përdorimi i dialektit është pothuajse i paimagjinueshëm dhe shihet me ironi apo nënvlerësim nga elita politike.
Nuk jemi as Zvicra, as Franca. Tek ne ka një përpjekje që përdorimi i gegnishtes të paraqitet edhe si një formë rebelimi intelektual apo kulturor ndaj një standardi që, sipas kritikëve, e ka lënë disi në hije pasurinë e saj.
Është e vërtetë që gegnishtja mbart një peshë historike dhe letrare të jashtëzakonshme. Mendoni Fishtën apo Mjedën.
Por nga ana tjetër, ekziston nevoja praktike për një gjuhë standarde. Standardi nuk është armik i dialektit, por një mjet funksional që mundëson komunikimin zyrtar, arsimimin e njësuar dhe dokumentacionin shtetëror.
Kur një deputet flet në gegnisht në Parlament, ai e sfidon këtë normë zyrtare. Vërtetë, liria e shprehjes sugjeron që çdo përfaqësues i popullit duhet të ndihet i lirë të komunikojë natyrshëm. Por etika zyrtare kërkon që institucionet të ruajnë një nivel të caktuar formaliteti që kapërcen kufijtë krahinorë.
Për më tepër, përtej petkut gjuhësor dhe debateve mbi normën apo dialektin, ajo që ulëret në sallën e Kuvendit është, së pari, varfëria e skajshme e mendimit. Para se të jetë kriza e “si”, Parlamenti vuan nga një anemi kronike e “çfarë”. E pamundur të mos vihet re zbrazëtia e frikshme e artikulimit, jo vetëm politik.
Sidoqoftë, institucionet shtetërore kanë detyrimin të përdorin gjuhën standarde për të garantuar unitetin kombëtar dhe kuptueshmërinë e plotë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht rajonit.
Jashtë institucioneve, gjuha është një organizëm i gjallë që frymon lirisht. Sot, gegnishtja po dominon industrinë muzikore, kulturën e rinisë duke riprovuar se pasuria dialektore është mishi dhe gjaku i shqipes, ndërsa standardi është skeleti. Sfida është si të gjejmë një ekuilibër ku standardi të evoluojë duke u ushqyer nga lëngu i dialekteve, pa humbur qartësinë që kërkon një shtet modern.
Banaliteti i llogoreve “ne apo ata”, “imja apo jotja” është një rrugë qorre. Ne jemi një komb që rreh me dy zemra të një gjuhe, përmes dy kryedialekteve të mrekullueshme që plotësojnë njëri-tjetrin./Gazeta Dita
Komente







