Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht VLEN në mazhorancë dhe BDI në opozitë, vazhdojnë të fajësojnë njëra tjetrën për sfidat në zbatimin e gjuhës shqipe.

Të mërkurën, gjatë një seance në parlament, deputetja e BDI-së Rina Ajdari dhe zëvendëskryeministri dhe kreun e partisë Alternativa Bekim Sali debatuan me njëri tjetrin lidhur me protestën e javës së shkuar të studentëve të jurisprudencës që kërkojnë të drejtën e të dhënit të provimit të lirimit në gjuhën shqipe.

Në parlament, Ajdari e pyeti zv/kryeministrin përse nuk ishte i pranishëm në protest dhe akuzoi koalicionin VLEN si përgjegjëse për moszbatimin e gjuhës shqipe.

“Kur një e drejtë që është e shkruar në ligj kërkohet në rrugë, atëherë problemi nuk është te studentët, problemi është te institucionet, problemi është te ju. Dhe ktë radhë institucionet nga kjo qeveri pa legjitimitet etnik, e ju si përfaqësues shqiptar është dashur me kohë të merrni përgjegjësi nëse ju cenohen të drejtat e shqiptarëve në vend. Në fund të fundit çfarë kuptimi ka përfaqësimi politik, nëse qytetarët ende duhet të dalin në protestë për të drejtat e tyre elementare” tha ajo.

Në reagimin e tij, Sali akuzoi BDI-në se nuk ka dëgjuar problemet e qytetarëve dhe nuk ka zgjedhur çështjet që janë të rëndësishme për shqiptarët.

“Për informimi tuaj dhe të opinionit, studentët kanë qenë të pranuar nga unë, ditën e parë kur kanë marrë iniciativën me nënshkrimet dhe shqetësimi i tyre është dëgjuar dhe në mënyrë institucionale jemi përgjigj dhe kemi marrë masat e duhura për ta zgjidh atë problem dhe ai problem do të zgjidhet. Studentët shqiptarë do ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përderisa ju, shprehni shqetësimin dhe protestoni, atëherë po protestoni kundër veprave tuaja përgjatë 22 viteve’ tha ai. .

Studentët e tre universiteteve shqiptare në Shkup po kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Më 6 prill mijëra syresh organizuan një protestë të fuqishme para Ministrisë së Drejtësisë, ku bënq thirrje për respektim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, respektim të Kushtetutës dhe drejtësi. Ata argumentojnë se në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo, sipas ekspertëve vendas, do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedonase, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi në vitin 2019