Jamarbër Malltezi, Sali Berisha, Arben Ahmetaj, Ilir Meta, Monika Kryemadhi… Emra të përveçëm që bashkohen nga diçka: të akuzuar nga SPAK për pastrim parash, korrupsion apo shkelje të tjera. Por ajo që Adriatik Doçi veçon në shkrimin e tij në rrjetet sociale janë rrëfimet e një të akuzuari për korrupsion në raport me pritshmërinë e publikut.
Doçi pyet cila është arsyeja që këta emra mund të shfrytëzojnë hapësirën televizive për të dhënë versionin e tyre, por në rastin e Mirlinda Karçanajt standardi ndryshon.
“Në rrëfimin e një të akuzuari për korrupsion në raport me pritshmërinë e publikut, ka gjithmonë një boshllëk, hendek apo hapësirë të papërmbushur. Me shumë gjasa kështu do të jetë gjithmonë.
Por pyetja që shtrohet është: Pse Jamarbër Malltezi, Sali Berisha, Arben Ahmetaj, Ilir Meta, Monika Kryemadhi etj., të akuzuar nga SPAK për pastrim parash dhe korrupsion, paskërkan të drejtë të dalin çdo javë në TV dhe të japin versionin e tyre, madje edhe duke sulmuar organin procedues, ndërsa Mirlinda Karçanaj nuk paskërka të drejtë të japë versionin e saj, qoftë edhe duke gënjyer apo viktimizuar, dhe se dalja e saj qenkërka herezi, pastrim imazhi etj.?
Arben Ahmetaj, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, e ka kthyer prej dy vitesh në lavanderi televizionin e Familjes Berisha, i cili u pezmatua që në një televizion tjetër u shfaq zonja Karçanaj, duke dhënë versionin e saj, ndonëse një version jo aq i lëmuar. Mos vallë Sali Berisha, përmes televizionit të tij, kërkon edhe monopolin e 'pastrimit kimik' të të akuzuarve për korrupsion nga SPAK?”, shkruan Doçi.
Komente










