Kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka paralajmëruar ngritjen e çadrave para godinës së Kryeministrisë, ku anëtarë të partisë së tij po protestojnë prej muajsh. 

Gjatë fjalës së tij nga protesta para Kryeministrisë, Lapaj tha se Prokuroria vendosi mos-fillimin e procedimit penal për çështjen e çadrave dhe kjo sipas tij i jep të drejtë Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ për vendosjen e çadrave në bulevard.

Lapaj deklaroi gjithashtu se Prokuroria e cilësoi vendosjen e çadrave të protestuesve para Kryeministrisë një të drejtë kushtetuese. Sot Lapaj ka bërë hapin e parë në këtë drejtim, duke vendosur në shesh një çadër kampingu.

“Prokuroria ka vendosur mos-fillimin e procedimit, na lind e drejta të rivendosim cadrat. Do rivendosim çadrat ne shesh, prokuroria thotë se është e drejtë kushtetuese”, tha mes të tjerash Lapaj.

Ndërkohë menjëherë pasi Lapaj lajmëroi rikthimin e çadrave dhe pasi kishin vendosur një të tillë para godinës së Kryeministrisë, me dhjetëra efektivë policie shkuan dhe i hoqën çadrën, por edhe karriget e pankartat që protestuesit kishin.

Kujtojmë se Policia në ditët e para të protestës së Lapajt sekuestroi çadrat që protestuesit vendosën para godinës së Kryeministrisë.