GJKKO ka shtyrë datën e shqyrtimit të kërkesës së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili kërkon pezullimin e dënimit me dy vite burg. Gjykata pasi dëgjoi shkaqet e ankimit, shtyu shpalljen e vendimit për në datë 10.11.2021, ora 10:00, për arsye se paraprakisht nga gjyqtari i gjykatës së posaçme të apelit që do të caktohet me short, do të shqyrtohet kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues.
Kujtojmë se GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.
Ndërkohë nga 8 tetori, Llalla u shpall nga SPAK zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar, pasi Policia e Tiranës nuk e gjeti atë brenda vendit, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.
Më 22 shator ditën kur u dha dënimi, policia shkoi në shtëpinë Adriatik Llallës për ta arrestuar, por ai nuk ndodhej aty dhe se familjarët thanë se "nuk e dinin se ku ndodhej". Llalla është larguar nga Shqipëria më 7 shtator nga Rinasi drejt Romës. Ndërkohë që vendndodhja e tij nuk dihet se ku është aktualisht.