Dy pilotë janë vrarë dhe 41 persona janë lënduar nga përplasja e një aeroplani dhe një kamioni zjarrfikës në pistën e aeroportit të New York të dielën. Në bordin e avionit ndodheshin 72 pasagjerë.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) vendosi një ndalim të fluturimeve në LaGuardia pak pas përplasjes për shkak të një “emergjence të aeroplanit.”
Aeroplani po vinte nga Montreal dhe u ul. Ai ngadalësoi në rreth 40 km/h kur u përplas me zjarrfikësen dhe pësoi dëme të konsiderueshme. Gjatë evakuimit emergjent, avioni humbi ekuilibrin dhe bishti preku tokën.
Video të shpërndara në mediat sociale tregojnë aeroplanin, i cili operohet nga partneri rajonal i Air Canada-s, Jazz Aviation, duke ndaluar me pjesën e përparme të ngritur.
Audioja e kontrollit të trafikut ajror e regjistruar gjatë incidentit kap momentet para një përplasjeje të raportuar midis aeroplanit dhe automjetit. Në regjistrim, një kontrollor i trafikut ajror jep leje që një kamion operativ të kalojë pistën. Pas disa sekondash, kontrollori urdhëron urgjentisht kamionin të ndalojë, para se të thotë se ka pasur një përplasje në fushë.
“JAZZ 646, po të shoh që u përplaste me automjetin. Qëndro aty. E di që nuk mund të lëvizësh. Automjetet po përgjigjen tani,” dëgjohet në audio.
Në një deklaratë në X , Departamenti i Policisë së New Yorkut u tha njerëzve të “përgatiten për vonesa dhe të shmangin zonën nëse është e mundur.”
“Për shkak të një incidenti emergjent në Aeroportin LaGuardia, të gjitha rrugët dhe daljet nga autostradat drejt aeroportit janë të mbyllura deri në njoftim të mëtejshëm.”
Departamenti i Zjarrfikësve i New Yorkut postoi në X duke i thënë njerëzve të “presin anulime, mbyllje rrugësh, vonesa në trafik dhe praninë e personelit emergjent pranë Aeroportit LaGuardia.”
“Përdorni rrugë alternative,” thuhej në postim. Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) ka dërguar një ekip për të hetuar përplasjen.
Më parë, LaGuardia kishte paralajmëruar për ndërprerje fluturimesh për shkak të kushteve të motit, me shi të lehtë dhe mjegull që godisnin zonën.
Një regjistrim audio zbulon momentet dramatike para dhe pas përplasjes fatale të një avioni pasagjerësh të Air Canada me një automjet zjarrfikës në LaGuardia Airport të New York, ku një kontrollues i trafikut ajror pranoi se “ka bërë një gabim”.
Audio tregon tensionin e madh që mbizotëronte në kullën e kontrollit. Kontrolluesit e trafikut ajror u urdhëruan të thërrisnin një avion tjetër që po afrohej, për të anuluar uljen, ndërkohë që po zhvillohej incidenti tragjik që çoi në vdekjen e pilotit dhe bashkëpilotit të avionit.
Në regjistrim dëgjohet kontrolluesi që thërret me urgjencë: “Ndalo, ndalo, ndalo… Truck 1, ndalo, ndalo, ndalo. Ndalo Truck 1. Ndalo”.
Një tjetër kontrollues u komunikoi pilotëve të një avioni të Frontier Airlines (fluturimi Delta 2603) të anulojnë uljen, para se të kthehej tek aviioni i Air Canada (fluturimi Jazz 646), i cili tashmë ishte përplasur me automjetin zjarrfikës.
Kontrolluesi i tha ekuipazhit të Jazz 646: “Po shoh që jeni përplasur me automjetin. Qëndroni aty ku jeni. E di që nuk mund të lëvizni. Makinat po vijnë drejt jush.”
Gjithashtu, kontrolluesit informuan pilotin e Frontier se pista do të mbetej e mbyllur dhe pyetën nëse dëshironin të ktheheshin në zonën e parkimit. Piloti u përgjigj: “Po ndodhin procedura, ajo që pamë nuk ishte mirë.” Kontrolluesi pranoi: “U përpoqa të komunikoj me ta… po përballemi me një situatë emergjente dhe e shkatërrova.”
Komente










