Ekspertët e Lindjes së Mesme janë të befasuar nga kthesa 180 gradë e Al Jazeera-s. Një editorial i publikuar në faqen e saj thotë hapur se SHBA dhe Izraeli po fitojnë përballë Iranit .

Dhe nuk bëhet fjalë për një media çfarëdo. Al Jazeera është rrjeti më i madh në botën arabe dhe ka ndikim të madh në opinionin publik dhe elitat e vendeve myslimane. Për vite me radhë ka mbajtur një linjë pro-palestineze dhe anti-izraelite, dhe si rrjedhojë shpesh edhe anti-amerikane. Duke qenë në pronësi të familjes mbretërore të Katarit, ajo shihet si një lloj “krahu mediatik” i emirit Al Thani .

Për këtë arsye, shumë vëzhgues besojnë se ky editorial nuk është thjesht një opinion, por një mesazh i miratuar në nivelet më të larta në Katar.

Dhe lajmi është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër. Katari ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të paqartë ndaj Iranit, shpesh shumë afër tij. Kjo lidhet edhe me interesat ekonomike: të dy vendet ndajnë një nga rezervat më të mëdha të gazit në botë dhe janë të detyruara të bashkëjetojnë .

Për vite, Katari është përpjekur të balancojë marrëdhëniet me vendet arabe të Gjirit dhe me Iranin, duke strehuar edhe drejtues të Hamasit dhe duke i financuar. Por kjo balancë është lëkundur.

Shkaku? Irani ka goditur drejtpërdrejt Katarin, duke synuar jo vetëm bazën më të madhe amerikane në rajon, por edhe zona civile dhe energjetike në Doha. Një zhvillim që ka shtyrë vendet arabe të afrohen më shumë me SHBA-të .

Në këtë kontekst vjen edhe analiza e Al Jazeera-s, e cila sfidon narrativën dominuese. Sipas saj, ideja që SHBA dhe Izraeli kanë hyrë në luftë pa plan është e gabuar. Problemi është se kritikët po shohin vetëm kostot, por jo rezultatin strategjik.

Sepse, nëse analizohet ajo që ka ndodhur në terren, tabloja është tjetër. Instrumentet kryesore të fuqisë së Iranit – raketat balistike, infrastruktura bërthamore, mbrojtja ajrore, marina dhe rrjeti i milicive – po goditen në mënyrë sistematike.

Autori i editorialit e përshkruan këtë si një operacion ushtarak të strukturuar, që zhvillohet në faza të qarta dhe kundër një kundërshtari që po humbet aftësinë për të projektuar fuqi.

Shifrat janë të forta: lëshimet e raketave balistike kanë rënë me mbi 90%, ndërsa dronët nga mbi 800 në rreth 75. Qindra lëshues janë shkatërruar dhe, sipas disa vlerësimeve, 80% e kapaciteteve sulmuese të Iranit është neutralizuar .

Në të njëjtën kohë, kapacitetet detare po shkatërrohen dhe mbrojtja ajrore është dobësuar deri në atë pikë sa SHBA fluturon lirshëm mbi Iran.

Operacioni ka kaluar në dy faza: fillimisht neutralizimi i mbrojtjes dhe komandës, më pas goditja e industrisë ushtarake për të penguar rindërtimin.

Kjo e vendos Iranin përballë një dileme të qartë: nëse përdor armët që i kanë mbetur, rrezikon t’i humbasë; nëse i ruan, humbet presionin. Me pak fjalë, një fuqi në rënie.

Edhe në planin bërthamor, situata mbetet kritike. Irani kishte arritur në rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në 60%, shumë pranë prodhimit të materialit për armë bërthamore. Sulmet kanë goditur objektet kryesore dhe po shkatërrojnë kapacitetet për rindërtim .

Megjithatë, editoriali pranon një kufi të qartë: njohuritë nuk mund të shkatërrohen dhe rezervat e uraniumit mbeten. Kjo e zhvendos betejën në fazën diplomatike pas luftës.

Një tjetër pikë kyçe është Ngushtica e Hormuzit. Por edhe këtu, sipas analizës, Irani rrezikon të godasë veten, pasi pjesa më e madhe e naftës së tij kalon nga aty. Një bllokim do të rriste izolimin dhe do të tensiononte marrëdhëniet me Kinën.

Ndërkohë, rrjeti i aleatëve të Iranit po dobësohet. Hezbollahu, milicitë irakiane dhe Houthit vazhdojnë të veprojnë, por gjithnjë e më pak të koordinuar.

Kritika kryesore mbetet mungesa e një fundi të qartë të luftës. Por sipas editorialit, objektivi nuk është pushtimi i Teheranit, por dobësimi i aftësisë së Iranit për të ushtruar ndikim në rajon.

Sigurisht, kostoja është e lartë: mbi 1,400 civilë të vrarë dhe pasoja ekonomike globale. Por analiza mbyllet me një ide të qartë: alternativa, një Iran bërthamor dhe dominues në rajon, do të ishte shumë më e rrezikshme.

Në fund, përfundimi është i prerë: pavarësisht konfuzionit politik dhe kostove të luftës, në planin ushtarak strategjia po funksionon./CorrieredellaDSera