Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish për situatën në Aeroportin e Vlorës, duke e cilësuar alarmant bllokimin e punimeve që, sipas tij, vazhdon që nga data 18 e muajit të kaluar.

Në një postim të gjatë në Facebook, Pacolli thekson se punimet po pengohen nga veprime që, sipas vlerësimit të kompanisë koncesionare MABCO, bien në kundërshtim me ligjin dhe me vendime të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

Sipas tij bllokimi i punimeve po shkakton dëme të konsiderueshme për interesin publik, ekonominë kombëtare, komunitetin lokal dhe vetë investitorin, duke nënvizuar se MABCO ka investuar mbi 310 milionë euro në projekt përmes kapitaleve, punimeve dhe garancive financiare. Ai pretendon gjithashtu se bllokimi i punimeve po dëmton imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt për investimet strategjike 

Pacolli thekson se, vonesat në përfundimin e aeroportit nuk burojnë nga investitori, por nga procese dhe vendime kontradiktore gjyqësore, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri juridike dhe kanë penguar zbatimin e vendimeve të instancave më të larta.

Behgjet Pacolli ka fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë për çështjen e aeroportit të Vlorës duke fituar edhe kontrollin mbi këtë të fundit. Kolegji civil i Gjykatës së Lartë vendosi të rrëzojë padinë e bërë nga shoqëria "2A Group" e drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.

Më herët dy gjykatat e faktit i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër ‘Mabco’ deri sa vendimi të merrte formë të prerë.

E gjithë përplasja mes tyre ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.

Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranoi aso kohe dhe bllokoi veprimtarinë e “Mabco”-s që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë ‘2A Group’.

Postimi i plotë

Situata në Aeroportin e Vlorës ka marrë përmasa alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet kompetente të Republikës së Shqipërisë.

Që prej datës 18 Maj 2026, punimet në Aeroportin e Vlorës janë penguar dhe bllokuar nga veprime të ndërmarra nga një grup personash, të cilat, sipas vlerësimit tonë, bien në kundërshtim me ligjin dhe me vendime gjyqësore të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Lartë.

Ky bllokim po shkakton dëme të konsiderueshme dhe të vazhdueshme ndaj interesit publik, ekonomisë kombëtare, komunitetit lokal dhe investitorit koncesionar MABCO, i cili ka marrë përsipër dhe vazhdon të përballojë i vetëm barrën financiare të projektit, me një investim dhe angazhim shumëvjeçar që tejkalon vlerën prej 310 milionë eurosh me anë të injeksione kapitale, punime dhe garanci financiare. Gjithashtu, vonesat në përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit, të cilat burojnë drejtpërdrejt nga këto veprime penguese, po shkaktojnë pasoja serioze për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe po dëmtojnë rëndë imazhin e Republikës së Shqipërisë si një vend i sigurt për investimet strategjike dhe për garantimin e shtetit të së drejtës.

Duhet të theksohet se vonesat në realizimin e projektit nuk burojnë nga investitori, por nga veprime dhe procedura që kanë sjellë nxjerrjen e një sërë vendimesh kontradiktore dhe të kontestuara juridikisht nga gjykata të shkallës së parë, të cilat, në praktikë, kanë penguar ekzekutimin e vendimeve të instancave më të larta gjyqësore. Kjo situatë ka krijuar pasiguri juridike dhe ka cenuar parimet themelore të hierarkisë së vendimeve gjyqësore dhe të sigurisë juridike.

Vendime të tilla, të mbështetura nga veprime të personave të caktuar dhe të formalizuara përmes akteve gjyqësore përkatëse, përbëjnë shkakun kryesor të dëmeve ekonomike të sipërpërmendura, ndërsa njëkohësisht cenojnë rëndë autoritetin e sistemit të drejtësisë, rendin kushtetues dhe besimin e publikut në funksionimin e shtetit ligjor.

Po aq shqetësues mbetet fakti se, në raste të caktuara, zbatimi i këtyre veprimeve është shoqëruar me përfshirjen e strukturave shtetërore në rrethana që kërkojnë verifikim dhe hetim të plotë institucional, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në këto rrethana, i bëjmë thirrje organeve kompetente të rendit, Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin me urgjencë veprimet e nevojshme për zhbllokimin e punimeve, rivendosjen e ligjshmërisë, garantimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe hetimin e plotë të çdo veprimi apo mosveprimi që ka kontribuar në krijimin e kësaj situate.

Çdo person që rezulton të ketë vepruar në kundërshtim me ligjin, të ketë shpërdoruar kompetencat e tij apo të ketë penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore duhet të mbajë përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi.

MABCO mbetet plotësisht e angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, duke vënë në dispozicion të tyre të gjithë dokumentacionin, provat dhe informacionin e nevojshëm për zbardhjen e plotë të fakteve dhe identifikimin e përgjegjësive përkatëse.

Shprehim besimin se organet ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë do të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe vendosmëri për të hetuar dhe zbardhur këtë rast të paprecedent, i cili ka shkaktuar dëme të rënda ekonomike, sociale dhe reputacionale, duke cenuar interesin publik, klimën e investimeve dhe besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit të së drejtës.