Një vendim të paracaktuar e quan Shoqëria 2A Group sh.p.k. vendimmarrjen e fundit të Gjykatës së Lartë që i dha të drejtë kompanisë “Mabco” të biznesmenit Bexhet Pacolli në përplasjen për Aeroportin e Vlorës, duke i rikthyer atij kontrollin mbi projektin. Pasi iu rrëzua padia, shoqëria 2A Group sh.p.k. e Valon Ademit thotë se deri më tani asnjë instancë e gjykatave të faktit nuk i ka dhënë të drejtë shoqërisë “Mabco Construction” S.A., ndërsa pretendon se në 12 vendime të njëpasnjëshme, si në Gjykatat e Shkallës së Parë ashtu edhe në Apel, është provuar, sipas saj. ekzistenca e rrezikut që i kanosej këtij aseti strategjik nga tentativa për përfshirjen e strukturave të dyshimta dhe detyrimeve “offshore”.

Madje kompania e Ademit ngre të tjera akuza duke thënë se procesi në Gjykatën e Lartë është zhvilluar në kushtet e një konflikti interesi, pasi kryesuesi i trupit gjykues ka raporte të afërta dhe të ngushta me përfaqësuesin ligjor të Behgjet Pacollit.

REAGIMI I PLOTË I 2A Group

Shoqëria "2A Group" sh.p.k. sqaron opinionit publik dhe institucioneve mbikëqyrëse të sistemit të drejtësisë për të denoncuar një anomali të paprecedentë ligjore dhe një cenim flagrant të procesit të rregullt ligjor, lidhur me administrimin e interesave në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA). Deri më sot, në përballjet e vazhdueshme gjyqësore, asnjë instancë e gjykatave të faktit nuk i ka dhënë të drejtë shoqërisë "Mabco Construction" S.A. Përkundrazi, përmes 12 vendimeve të njëpasnjëshme, të dhëna nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit me trupa që përfshijnë mbi 20 gjyqtarë të ndryshëm, është provuar me themel dhe me prova të pakontestueshme e vërteta. Këto gjykata kanë konfirmuar rrezikun objektiv që i kanosej këtij aseti strategjik nga tentativa për inkorporimin e strukturave të dyshimta dhe detyrimeve të paautorizuara "offshore".

Vendimmarrja e fundit e Gjykatës së Lartë nuk përbën një zhvillim normal jurisprudencial, por një paradoks që ngre pikëpyetje thelbësore mbi funksionimin e shtetit të së drejtës. Është juridikisht e pakuptueshme dhe logjikisht e pamundur që një instancë e lartë të injorojë plotësisht një vëllim kaq masiv faktesh dhe të përmbysë një praktikë kaq të konsoliduar, duke disponuar në mënyrë të izoluar vetëm për njërin nga proceset. Kjo anomali shpjegohet vetëm nga një fakt se ky nuk është një vendim i mbështetur në frymën dhe gërmën e ligjit, por një vendim i paracaktuar. Procesi është zhvilluar në kushtet e një konflikti të hapur dhe të njohur interesi, pasi kryesuesi i trupit gjykues ka raporte të afërta dhe të ngushta me përfaqësuesin ligjor të palës tjetër.

Shoqëria jonë e kishte denoncuar paraprakisht dhe zyrtarisht këtë fakt pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar garantimin e paanësisë përpara se ky vendim të merrej. Fakti që ky denoncim institucional u shpërfill dhe procesi u dërgua drejt një rezultati të paramenduar, tregon një mungesë të thellë të integritetit profesional dhe procedural në këtë gjykim të veçuar. "2A Group" sh.p.k. deklaron me vendosmëri se një vendim i tillë i paracaktuar dhe thellësisht i vesuar nuk do të shërbejë si mjet për të legjitimuar asnjë skemë të errët financiare mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Beteja ligjore do të vazhdoje në të gjitha instancat e nevojshme, për të zhbërë këtë absurditet juridik dhe për të mbrojtur këtë aset të rëndësisë kombëtare nga interesat "offshore".

E gjithë përplasja ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”. Çështja përfundoi në gjykatë, ku fillimisht u pezulluan disa të drejta të “Mabco”, ndërsa më pas Apeli kufizoi të drejtën e votës së kompanisë vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e aksioneve të pretenduara nga “2A Group”.

Konflikti u thellua pas një kontrate kredie 100 milionë euro të marrë nga “Mabco” me fondin “Delphos”, duke bërë që “2A Group” të kërkonte pezullimin e administrimit dhe përjashtimin e ortakut nga shoqëria. Gjykatat e shkallëve më të ulëta i dhanë të drejtë përkohësisht kompanisë së Ademit, por Gjykata e Lartë riktheu kontrollin e aeroportit tek “Mabco”. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka paralajmëruar edhe mundësinë e prishjes së kontratës koncesionare për shkak të konfliktit mes aksionerëve.