Bizneset që duan të përfitojnë nga Paqja Fiskale apo falja e detyrimeve tatimore kanë hyrë tashmë në javët vendimtare të procedurave, pasi një pjesë e afateve kryesore mbyllen gjatë muajit qershor.

Administrata Tatimore kujton përmes një postimi në rrjete sociale se aplikimet për Marrëveshjen e Paqes Fiskale në sistemin “e-Filing” që kanë nisur më 15 maj dhe do të pranohen deri më 5 qershor 2026. Më pas, subjektet që aplikojnë në ditët e fundit kanë kohë deri më 15 qershor për të ngarkuar marrëveshjen e nënshkruar në sistem.

Një tjetër datë e rëndësishme për tatimpaguesit është 30 qershori. Deri atëherë, ata që kanë deklaruar rideklarim të pasqyrave financiare duhet të paguajnë tatimin për vitet ku janë bërë ndryshime, të dorëzojnë dokumentacionin pranë Drejtorive Rajonale Tatimore dhe të ngarkojnë në “e-Filing” pasqyrat financiare të rideklaruara me sqarimet përkatëse.

Po në qershor nis edhe zbatimi i skemës për faljen e detyrimeve tatimore. Nga 10 qershori fillon pagesa për subjektet që duan të përfitojnë nga ligji i faljes, ndërsa deri më 30 qershor bizneset mund të përfitojnë fshirjen e 50% të detyrimit për periudhën 2015–2019, nëse paguajnë menjëherë gjysmën e principalit.

Tatimet sqarojnë gjithashtu se deri në fund të qershorit duhet të dorëzohen edhe deklaratat e padorëzuara deri më 31 dhjetor 2024, në mënyrë që subjektet të përfitojnë faljen e gjobave për deklarim të vonuar.

Më tej, afati i 30 nëntorit lidhet me paraqitjen e aktit të heqjes dorë nga ankimi pranë Drejtorive Rajonale Tatimore, ndërsa 31 dhjetori 2026 është afati final për përfitimet e mbetura nga skema e faljes së detyrimeve.