Afati i ligjit për investimet strategjike propozohet të shtyhet deri në dhjetor 2027, vlera e investimit rritet në 100 milionë euro

Pas skadimit të afatit më 31 dhjetor 2023, Partia Socialiste propozon që afati për ligjin e investimet strategjike të zgjatet deri në 31 dhjetor 2027, pra me 4 vite të tjera.

Projektligji i propozuar nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi është depozituar tashmë në Kuvend, dhe në relacion thuhet se kjo zgjatje e afatit i jep mundësi kompanive të aplikojnë për të investuar në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.

Përveç afatit, janë parashikuar edhe ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me vlerën e investimit. Sipas propozimit të bërë, statusi “investitor strategjik” me procedurë të asistuar, në çdo sektor do të jepet nëse vlera e investimit është mbi 50 milionë euro si dhe duhet që të garantohen minimalisht 300 vende pune. Në ligjin aktual vlera e investimit për këtë procedurë fillon nga 1 milionë euro dhe kusht që të krijohen 150 vende pune.

“Ka ardhur koha të trajtohen me procedura nxitëse dhe favorizuese ato projekte që propozojnë vlera të konsiderueshme investimi, si dhe sjellin brand-in apo eksperiencën ndërkombëtare të standardit më të larte, ndaj propozohet qe vlera minimale e një projekti të propozuar për t'u kualifikuar si investim potencial strategjik te jete mbi 50 milionë euro”, thuhet në relacion.

Po ashtu është propozohet që për të marrë statusin investitor strategjik me procedurë të veçante vlera minimale e investimit është mbi 100 milionë euro dhe garantohen minimalisht 500 vende pune.

Sipas relacionit që prej vitit 2015 janë miratuar 40 projekte investimi strategjik, 14 projekte janë refuzuar dhe aktualisht janë 34 aplikime në fazë vlerësimi. “Industria e turizmit është sektori i preferuar ku është përqendruar edhe numri më i madh i këtyre projekteve” thuhet në relacion.

Të gjithë investitorët strategjikë trajtohen në mënyrë të diferencuar nga bizneset e tjera, pasi përfitojnë lehtësi në taksa, procedura administrative të shpejta apo programe mbështetëse.

Nga ana tjetër qeveria ka nisur punën që brenda këtij viti të depozitojë në kuvend një tjetër ligj të ri për investimet në vend, ku do të bashkohen ligji “Për investimet e huaja” dhe ai “Për investimet strategjike” me qëllim nxitjen, tërheqjen dhe promovimin e investimeve vendase dhe të huaja, në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Konkretisht

-Investitorët/projektet qe do te përfitojnë statusin "Investim/investitor strategjik, procedure e asistuar duhet te plotësohen kriteret me poshtë:

Vlera e investimit të jetë e barabartë ose me e madhe se 50 (pesëdhjete) milionë euro;

 ose ii. investimi krijon, minimalisht 300 (treqind) vende te reja pune; ose

iii. investimi synohet te realizohet ne zona me prioritet zhvillimi;

Për investitorët/projektet qe do të përfitojnë statusin "Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë ",duhet të plotësohen kriteret më poshtë;

i. vlera e investimit te jete e barabarte ose me e madhe se 100 (njeqind) milione euro; ose ii. investimi krijon minimalisht 500 (peseqind) vende te reja pune.

Ligji për investimet strategjike i cili u miratua në vitin 2015 dhe parashikon një lehtësi për bizneset që aplikojnë për investime dhe marrin statusin e investitorit strategjik. Afati i tij përfundoi në dhjetor 2021, por u shty nga Kuvendi për në fund të vitit që lamë pas dhe tani kërkohet të shtyhet edhe për 3 vite të tjera.

Ligji i mëparshëm u njihte statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investonte më shumë se 5 milionë euro dhe punësonte 80 punëtorë.

(Kliko KËTU për projektligjin për disa ndryshime në ligjin për investimet stategjike)

(Kliko KËTU për të parë relacionin për ligjin për investimet strategjike)

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hajna: 25/01/2024 08:03

    Investime strategjike,t'ja merrni pronat më të dobtëve,e t'ja falni të fortëve,duke bo pazare 50 fifty?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë