Ish-ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa këmbëngul se nuk e ka kërcënuar gjeneralin Vladimir Qirjazi dhe ti kishte kërkuar të firmoste me urgjencë të privatizimit të ish-klubit. Pasi doli nga GJKKO, Oketa tha se kishte firmosur kthimin e pronës te pronarët e ligjshëm, por nuk ishte e regjistruar në kadastër.

“Kam pasur shumë takime me Qirjazin. Nuk më rezulton që Qirjazi të ketë përdorur fjalën kërcënuar, kom me Qirjazin ka qenë zyrtar. Ka një urdhër të Ministrisë të Mbrojtjes që del mbi çdo lloj dokumentesh, pjesa tjetër janë kujtim i dikujt tjetër. Nuk kam çfarë të shtoj asnjë lloj dokumenti. Bëhet fjalë për diçka që daton 18 vite më parë. Komunikimi ka qenë me dokumente zyrtare. Ajo që di të them unë, jo vetëm me Qirajzin, por me cilindo, komunikimi ka qenë brenda kuadrit ligjor. Qirjazi ka vazhduar i qetë detyrën deri kur unë kam qenë ministër i mbrojtjes.

Jo. Këtë ua them me bindje të plotë. Kur praktika ka ardhur në zyrën e ministrit, procedura ishte thuajse e mbaruar. Pronarët legjitimë, kishin bërë pagesën që shteti u kishte kërkuar dhe çështja e klubit partizani nuk përbënte prioritet të ministrisë së mbrojtjes,. Ishte një trajtim i një çështje prone si gjithë pronat e tjera. Nuk ka pasur asgjë që e dallon nga pronat e tjera. Në momentin që urdhri i ministrit nuk po zbatohej, kanë nisur procedurat se përse pronarët legjitime që kanë paguar një faturë, nuk po kthehet prona. Mund të ishim sot po në këtë derë, po pranë kësaj gjykate, për një akuzë të kundërt. Supozojmë që ministria e mbrojtjes nuk do ta kishte kthyer pronën. Pronarët mund ti ishin drejtuar Strasburgut dhe unë mund të isha thirrur për një dëm financiar që mund ti ishte shkaktuar shtetit shqiptar. Po e them sot, se asokohe se kam menduar, e kam trajtuar si të gjitha çështjet e tjera.

Pas praktikës që ka ardhur në tavolinën time kam lëshuar një urdhër për kthimin e pronës te pronarët e ligjshëm që kishin paguar faturën përkatëse. Një javë më pas, Qirjazi ka lëshuar një urdhër në respekt të urdhrit të ministrit për ngritjen e një grupi pune për dorëzimin e pronës. Urdhri do të thotë që është gjetur legjitim. Është hapur praktika për të nxjerrë certifikatat dhe është parë që kjo pronë nuk ishte e regjistruar dhe meqë prona nuk është e regjistruar dhe procedurat ligjore janë, është kërkuar që kjo pronë të regjistrohet dhe të mbyllet praktika”, tha ai.


Lajmi kryesor:

Afera Partizani/ Ish-ministri i Mbrojtjes Oketa mbron Berishën dhe mohon presionet! Gjenerali Qirjazi e akuzon se e kërcënoi në zyrë: Firmose me urgjencë privatizimin se ma kërkojnë (VIDEO)