Paro Laçi, dëshmitar kyç në gjyqin e aferës Partizani, kërkon mbrojtje nga GJKKO, pasi ndihet i kërcënuar nga Sali Berisha dhe familja e tij.  

Kërkesa e dorëzuar  prej avokatit të tij në GJKKO është shqyrtuar në seancën e të mërkurës të procesit Partizani, me gjyqtarët që e adresuan ish presidentin e klubit Partizani në Prokurorinë e Posaçme. Togat e zeza i thanë se nuk e kanë ata kompetencën për ta futur në listën e dëshmitarëve të mbrojtur, teksa pranuan kërkesën tjetër të tij, që dëshmia të jepet përmes letërporosive në Zvicër, ku Laçi ndodhet. Ne letrën për gjykatën ai thotë se nuk mund të kthehet në Shqipëri pasi ka frikë.

Paro Laçi është një dëshmitar i vyer i Prokurorisë së Posaçme në procesin kundër Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, të akuzuar për korrupsion e pastrim parash, dhe të tjerëve të lidhur me to. Ish drejtuesi i klubit ‘Partizani’, nga privatizimi i të cilit SPAK thotë se familja Berisha u pasurua me miliona euro, ka denoncuar edhe publikisht presionin që i është bërë për të lëshuar ambientet e ish klubit sportiv.

“Prokuroria e asaj kohe më thanë se vajza e Sali Berishës është rrezik real për jetën tuaj. ‘Paro Laçi, po rrezikon jetën, është vajza e Sali Berishës’, më kanë thënë në prokurori. Unë po të kisha parë interesat e mia nuk kisha shkruar në gazetat e asaj kohe që ‘më kishte premtuar 500 mijë euro dhe s’kam pranuar’. Shkëlzen Berisha më ka ofruar 500 mijë euro. Kam biseda telefonike me të”, deklaronte Paro Laçi më 21 prill 2026.

Pas deklaratave të njëpasnjëshme në Report Tv Laçi u thirr në SPAK për të dëshmuar për kërcënimet, ndërsa ishte pyetur edhe disa herë më herët si person në dijeni.

Në seancën e kësaj të mërkure gjykata vendosi edhe në lidhje me një tjetër dëshmitar të rëndësishëm të çështjes, Isa Taren. Për shkak të pretendimeve të familjarëve të tij se vuan nga demenca, gjykata miratoi dy ekspertët Ilda Aliko dhe Elton Serani për të kryer ekspertizën.

Në gjyq ishte radha e 5 ish zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së kthimit të pronave, që në pjesën më të madhe deklaruar se s’kujtonin gjë dhe se kishin respektuar ligjin.