TIRANË- Në GJKKO u mbajt seanca e radhës gjyqësore për aferën Partizani, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerët. Në këtë seancë, prokurorja e SPAK Enkeleda Millonai lexoi kërkesën për gjykim të çështjes me akuzat respektive për të pandehurit, ndërsa i pranishëm ishte edhe prokurori Arben Kraja.
Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Berishës dhe të pandehurve të tjerë për pavlefshmëri të akteve dhe papërdorshmëri të provave që janë gjetur deri më tani nga SPAK, me argumentin se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe në prova.
Bëhet fjalë për vendimet e marra nga gjyqtarja e hetimeve paraprake Irena Gjoka, e cila prej kohësh është nën sulmet e ish-kryeministrit Berisha. Trupa gjykuese ka theksuar gjithashtu se pretendimet për tejkalim kompetencash nga SPAK nuk qëndrojnë, pasi janë po ashtu të pabazuara në ligj dhe në prova konkrete.
GJKKO ka nënvizuar se të gjitha pretendimet që lidhen me masat e sigurimit janë shqyrtuar tashmë nga gjykatat, deri edhe nga Gjykata Kushtetuese, dhe për këtë arsye rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri absolute.
“Kërkesat e pabazuara në ligj dhe prova. Kërkesat e tjera për tejkalim të kompetencave nga SPAK të pabazuara në ligj e prova. Të gjitha pretendimet për masat e sigurimit i janë nënshtruar kontrollit gjyqësor deri në gjykatën kushtetuese”, ka thënë trupa gjykuese.
Sa i takon pretendimeve për ekspertë të pa licencuar apo në konflikt interesi, gjykata vlerëson se këto raste nuk përbëjnë shkak për pavlefshmëri të akteve. Sipas GJKKO-së, arsyet e paraqitura nga mbrojtja janë thjesht deklarative, ndërsa ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë vepruar në përputhje me ligjin.
Gjykata ka njoftuar se do të thërrasë një ekspert topograf për të dëshmuar mbi njohuritë dhe kualifikimet e tij, përpara se të shprehet mbi një nga kërkesat që lidhen me pavlefshmërinë absolute.
Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar edhe pretendimin për sekuestrimin dhe ekspertimin e pajisjeve kompjuterike si të kundërligjshëm. Sipas GJKKO-së, sekuestrimet e kryera në “Studio Pustina” dhe të dhënat e marra nga shoqëria “Homeplan” janë të ligjshme, por gjykata ka konstatuar se të dhënat e përfituara nga pajisjet që u janë kthyer më pas të pandehurve janë të papërdorshme.
“S’ka shkelje te afateve për ekspertimet. S’ka fakte qe ka patur paanshmëri te eksperteve apo janë ndikuar", ka argumentuar GJKKO.
Gjykata ka konstatuar se disa prej pretendimeve të ngritura nga mbrojtja nuk hyjnë në kategorinë e kërkesave paraprake, por duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor gjatë procesit në themel.
Një tjetër kërkesë që rrëzoi GJKKO ishte edhe ajo e kompanisë Kontakt, e cila kërkonte gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes. Avokatët kërkuan shtyrjen e seancës për t’u konsultuar me klientët pas vendimit mbi kërkesën paraprake dhe seanca e radhës do të zhvillohet më 25 nëntor, në orën 11:00.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Komente












