Afera i inceneratorit të Fierit, GJKKO dënon me 6.8 vite burg ish-ministrin e Mjedist Lefter Koka! 2.8 vite burg për Alqi Bllakon! Dervishaj dhe 2 të tjerë të pafajshëm

TIRANË- Gjykata e Posaçme dënoi me 10 vjet heqje lirie ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për dosjen e inceneratorit të Fierit, por ai përfiton zbritje në 6 vjet e 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar. Koka u shpall fajtor për të tri akuzat, por gjykata i hoqi edhe të drejtën për ushtrimin e funksioneve publike për pesë vjet.

Në pikën 85 të vendimit të GJKKO, urdhërohet heqja e sekuestrimit për tri pasuri të Lefter Kokës në Durrës, duke mbajtur në sekuestro vetëm njërën prej tyre ne vlerën e përfitimeve monetare që ish-ministri ka pasur për inceneratorin.

Dënimi u lehtësua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie për Alqi Bllakon, si pasojë e ndryshimit të akuzës. Për të SPAK kishte kërkuar 7 vjet burg ose 4 vjet e 8 muaj, por ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, mori pafajësi për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”, dhe vepra penale iu rikualifikua në “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”.

Gjykata në faqen 8 të vendimit, urdhëroi heqjen e sekuestros për një “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, tek “Rruga e Elbasanit”, në pronësi të babait të Alqi Bllakos. Biznesmeni Klodian Zoto u shpall fajtor për akuzën “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” dhe mori pafajësi për akuzën, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ai u dënua me 12 vjet burg, i cilësuar fajtor edhe për “skema mashtruese me TVSH-në” dhe pastrim “pastrim parash” duke përfituar zbritje në 8 vjet nga gjykimi i shkurtuar. Ish-administratori i incineratorit të Fierit, Loran Dusha u shpall i pafajshëm për “korrupsion aktiv”, por fajtor për “pastrim parash” dhe u dënua me 7 vjet burg, duke përfituar zbritjen në 4 vjet e 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar.

I njëjti dënim me 7 vjet burg, të zbritura në 4 vjet e 8 muaj heqje lirie u dha edhe për Arbër Denizin, i cili akuzohej për çështjen e punimeve në incineratorin e Fierit. Ish-drejtori i ministrisë së mjedisit Pellumb Abeshi, u dënua me 3 vite e 6 muaj burg, por me gjyq të shkurtuar përfitoi zbritjen në 2 vite e 4 muaj burg, të cilat në fund u konvertuan në shërbim prove.

Dy të pandehurit Florian Muçaj dhe Azem Shatëri, u dënuan me nga 3 vite burg, por përfituan zbritje në dy vjet me gjyq të shkurtuar dhe u lanë të lirë, për shkak se e kanë kryer dënimin me paraburgim. Erjon Murataj, ish-anëtar i Komisionit të Prokurimit u dënua me 3 vite burg, dhe përfitoi uljen në dy vjet me gjyq të shkurtuar. Të akuzuarit e tjerë, Regan Merdani dhe Gentian Zifla u dënuan me 3 vite burg të cilat u pezulluan për tu konvertuar në shërbim prove.

E pandehura Sabina Cenameri mori një dënim me 3 vite burg por u la në shërbim prove pasi ka një fëmijë të mitur. Zv.presidenti i FSHF-së Arben Dervishaj, i akuzuar në cilësinë e supervizorit të punimeve në inceneratorin e Fierit, mori pafajësi për akuzat falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Ai është arrestuar më 16 nëntor 2022 ndërsa në pretencën e paraqitur në gjykatë për incineratorin e Fierit, SPAK kërkoi dënimin e tij me 4 vite burg, në zbritura në 2 vjet e 8 muaj nga gjykimi i shkurtuar.

Pafajësi mori edhe ish-administratorja e inceneratorit të Fierit Arjola Kodra dhe i pandehuri tjetër Juri Imeraj, ish aksioner i një prej kompanive të kontraktuara për kryerjen e punimeve në inceneratorin e Fierit.

Dënimet e GJKKO
Lefter Koka
, ish-ministër i Mjedisit, është dënuar me 10 vite burg nga GJKKO për aferën e inceneratorit të Fierit, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.
Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ish-deputet i PS-së, është dënuar me 4 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.
Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare, është dënuar me 11 vite burg, por me gjykim të shkurtuar do të dënohet me 8 vite burg. (Në arrati)
Florian Muçaj, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, 3 vite burg, me gjyq të shkurtuar 2 vite burg! Lirohet nga burgu, i ka mbaruar dënimi
Erjon Murataj, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, dënohet me 3 vite burg, përfundimisht do të vuajë 2 vite burg.
Azem Shatëri, anëtar i komisionit të dhënies së koncesionit, 3 vite burg, me gjyq të shkurtuar, 2 vite burg! Lirohet nga burgu, i ka mbaruar dënimi
Loran Dusha, administrator i Inceneratorit të Fierit, është dënuar me 7 vite burg, përfundimisht do të vuajë 4 vite e 8 muaj burg.
Arbër Denizi, administrator i PIVOT-04, dënohet me 7 vite burg, me gjyq të shkurtuar 4 vite e 8 muaj burg 
4 prej tyre iu konvertohet dënimi me Shërbim Prove
Regan Merdani, Administrator i 'Froggy”sh.p.k, 3 vite burg (pezullohet dënimi) shërbim prove
Gentian Zifla, Administrator i 'Itneg”sh.p.k 3 vite burg (pezullohet dënimi) shërbim prove
Sabina Cenameri, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, 3 vite burg (pezullim dënimi, ka një fëmijë të mitur) shërbim prove
Pellumb Abeshi, ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit, është dënuar me 3 vite e 6 muaj vite burg, me gjyq të shkurtuar 2 vite e 4 muaj burg, përfundimisht me shërbim prove
Janë shpallur të pafajshëm nga GJKKO
Arben Dervishaj, Mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit
Juri Imeraj, administrator i kompanisë J.P.Y
Arjola Kodra, Administratore e Inceneratorit të Tiranës

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

(Kliko këtu për të parë vendimim e GJKKO-së për Lefter Kokën dhe 14 të pandehurit)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
Arben Dervishaj u shpall i pafajshëm për inceneratorin e Fierit, Duka: E presim në FSHF për të vazhduar dhjetëra projekte

Presidenti i FSHF, Armando Duka ka reaguar pasi Arben Dervishaj, mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit, është shpallur i pafajshëm për aferën e inceneratorit të Fierit. Dervishaj, i cili është edhe zv.president e FSHF, u lirua nga burgu dhe Duka thotë se e mirëpresin për të vazhduar me dhjetëra projekte.

“Kemi pritur me durim dhe qetësi thuajse prej një viti që drejtësia të thoshte fjalën e saj për një nga kontributorët tanë më të rëndësishëm, zv.presidentin e FSHF e një mik e bashkëpunëtor si inxhinier Arben Dervishaj.

Ne, në FSHF për asnjë moment nuk kemi dyshuar në pafajësinë e inxhinierit me një karrierë të gjatë e kontribute të jashtëzakonshme në shumë prej veprave të ndërtuara në vendin tonë; ashtu sikurse një profesor me autoritet të padiskutueshëm në auditoret universitare.

Si mik, nuk kam dyshuar asnjëherë në pafajësinë e Benit; si personalitet në fushën e tij, shoqëria, politika e drejtësia do të duhet t'i jenë borxhli për burgun e padrejtë që kreu.

Ne në FSHF e mirëpresim sa më shpejt për të vazhduar me dhjetëra projekte infrastrukturore që inxhinier Arben Dervishaj i ka ndjekur me përpikmëri në çdo moment por edhe në sfidat e reja që kemi përpara që kërkojnë ekspertizën, eksperiencën dhe vendosmërinë e inxhinier Benit

Ora 14:11
Vendimi i GJKKO-së për aferën e inceneratorit të Fierit, Tabaku: Hap pozitiv! Reforma në Drejtësi po jep frytet e para

1692183267_joridatabaku.jpg

Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike e ka cilësuar si hap pozitiv vendimin e GJKKO-së për inceneratorin e Fierit. Sipas Tabaku, kjo tregon se akuzat e PD nuk kanë qenë ‘shpifje’, sikundër akuzoheshim shpesh kur flitej për inceneratorët.

Ndër të tjera deputetja demokrate shkruan se SPAK është një investim i Partisë Demokratike në Reformën e Madhe në Drejtësi dhe se ka nisur të japë frytet e para për të çliruar politikën nga kthetrat e pandëshkueshmërisë dhe hipokrizisë të pseudo-barazisë para ligjit.

‘Tanimë që godina e shëmtuar e pandëshkueshmërisë po goditet, qytetarët presin vullnet politik në luftën kundër korrupsionit! Shqipëria ka nevojë për një dritë shprese në tunelin e errësirës që ndodhet. Ka nevojë për një mesazh se gjërat mund e duhet të bëhen ndryshe!’- shkruan Tabaku.

Postimi i plotë i Tabakut

‘Vendimi i sotëm i GJKKO në lidhje me të akuzuarit për aferën e inceneratorëve është një hap pozitiv i drejtësisë. Një vulë vërtetësie se akuzat e PD nuk kanë qenë “shpifje” sikundër akuzoheshim shpesh kur flitej për inceneratorët.

Për gjashtë vite me radhë afera e inceneratorëve është denoncuar dhe faktuar nga Partia Demokratike si një aferë korruptive që ka shndërruar shtetin në bankën personale të tre individëve që me duar në xhepa fituan 430 milion euro kontrata.

Për gjashtë vite me radhë Partia Demokratike ka demaskuar pa asnjë kompleks skemën korruptive që ka kapur nivelet më të larta të qeverisjes qendrore dhe asaj lokale.

Ky është një hap i vogël që zbulon një pjesë të përgjegjësië për aferën 430 milion euro të inceneratorëve. Por, është një vendim që duhet të pasohet me hetimin e mëtejshëm dhe të thelluar ndaj personave të tjerë sidomos në inceneratorin e Tiranës.

Përgjegjësia e këtyre personave afërmendsh që është edhe politike. Mazhoranca socialiste i ka vendosur gjoksin mbrojtjes së kësaj afere duke u njehsuar me të që nga hapja e fushatës në Inceneratorin e Elbasanit në 2021 e deri tek avokatia publike e politike ne Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Sido dhe sado u përpoq të pengonte të vërtetën, shqiptarët e kuptuan qartë korrupsionin politik që tashmë është kthyer në sistem.

Mund të kishim pasur vendime më të forta, mund të mos kishim preferuar gjykimin e shkurtuar por sot rëndësi ka mesazhi, pandëshkueshmëria po merr fund.

SPAK, një investim i Partisë Demokratike në Reformën e Madhe në Drejtësi, ka nisur të japë frytet e para për të çliruar politikën nga kthetrat e pandëshkueshmërisë dhe hipokrizisë të pseudo-barazisë para ligjit.

Tanimë që godina e shëmtuar e pandëshkueshmërisë po goditet, qytetarët presin vullnet politik në luftën kundër korrupsionit! Shqipëria ka nevojë për një dritë shprese në tunelin e errësirës që ndodhet. Ka nevojë për një mesazh se gjërat mund e duhet të bëhen ndryshe!

Ora 13:04
U shpall i pafajshëm nga GJKKO për aferën për inceneratorin e Fierit, Arben Dervishaj lë qelinë

1695634954_1668594666arbendervishaj1600x360.jpg

Arben Dervishaj, mbikëqyrësi i punimeve të inceneratorit, është shpallur i pafajshëm për aferën e inceneratorit të Fierit dhe është nxjerrë nga burgu.

'Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Arben Dervishaj nga paraburgimi nëse nuk mbahet për shkak të një vendimi tjetër.'- njofton gjykata.

Arben Dervishaj, në kohën që ishte mbikëqyrës i punimeve tek inceneratori i Fierit, miratoi dhe pasqyroi në shtet situacione, shërbime dhe pajisje që nuk janë realizuar, për të justifikuar pagesat e kryera nga institucionet shtetërore që kapin vlerën e 4 milionë eurove.

Për të kryer këtë shërbim ndaj përfituesve të aksionerëve të inceneratorëve, Dervishaj ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me të gjitha faturat e paguara nga Klodian Zoto. Herën e parë në 2017-ën për të parë ndeshjen Juventus-Barcelona në Torino, më pas me të bijën në Tel Aviv dhe për herë të tretë në 2019-ën po në Torino për ndeshjen Juventus-Ajax. Në këtë ndeshje, Dervishaj nuk ishte i vetëm, teksa shkoi nën shoqërinë e Klodian Zotos dhe Alqi Bllakos. Zoto, vetëm për ndeshjen, për të tre pagoi 5040 Euro. 

Ora 12:21
FOTO/ Lefter Koka dënonet me 6.8 vite burg! I vëllai Leonard Koka dhe kunati Agron Duka në seancë kur u shqiptua dënimi

Vëllai i ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka, Leonard Koka kanë qenë në seancën e sotme në  Gjykatën e Posaçme ku u shqiptua dënimin me 6.8 vite burg.

Në seancë ka qenë dhe Agron Duka, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste i cili është dhe kunati i Lefter Kokës.

Ora 11:45
Inceneratori i Fierit/ Dënohet me 8 vite burg Klodian Zoto

1695635178_inc2.webp

Klodian Zoto është dënuar me 8 vite burg nga GJKKO për aferën e inceneratorëve të Fierit.

Klodian Zoto akuzohet për korrupsion, për mashtrim, skema për mashtrimin me TVSH si dhe pastrim parash. Më gjykim të shkurtuar, Zoto do të vuajë dënimin me 8 vjet burg.  

Ora 11:41
Inceneratori i Fierit, shpallen të pafajshëm Arben Dervishi, Arjola Kodra dhe Juri Ymeraj

Zëvendës Presidenti i FSHF, Arben Dervishi është shpallur i pafajshëm për aferën e inceneratorëve të Fierit.  Janë shpallur gjithashtu të pafajshëm Arjola Kodra si dhe Juri Imeraj.

Akuzat e Arben Dervishajt: 

Arben Dervishaj, në kohën që ishte mbikëqyrës i punimeve tek inceneratori i Fierit, miratoi dhe pasqyroi në shtet situacione, shërbime dhe pajisje që nuk janë realizuar, për të justifikuar pagesat e kryera nga institucionet shtetërore që kapin vlerën e 4 milionë eurove. Për të kryer këtë shërbim ndaj përfituesve të aksionerëve të inceneratorëve, Dervishaj ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me të gjitha faturat e paguara nga Klodian Zoto. Herën e parë në 2017-ën për të parë ndeshjen Juventus-Barcelona në Torino, më pas me të bijën në Tel Aviv dhe për herë të tretë në 2019-ën po në Torino për ndeshjen Juventus-Ajax. Në këtë ndeshje, Dervishaj nuk ishte i vetëm, teksa shkoi nën shoqërinë e Klodian Zotos dhe Alqi Bllakos. Zoto, vetëm për ndeshjen, për të tre pagoi 5040 Euro. 

Akuzat për Arjola Kodrën: 

Alqi Bllako, aso kohe në cilësinë e Sekretari të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit favorizoi kompaninë për inceneratorin e Fierit dhe për këtë Giuseppe Ciaffaglione dhe Arjola Kodra, të dy administratorë në kohë të ndryshme të inceneratorit të Tiranës, në paligjshmëri paraqitën si të punësuar babain e tij, Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive që kapin vlerën në total të rreth 15 milionë lekëve të reja, ose ndryshe të 6 mijë eurove pagesa çdo muaj.

Pse akuzohej Juri Ymerajt: 

Nga hetimet e SPAK rezultoi se Klodian Zoto, me bashkëpunëtorët, organizuan dhe vunë në funksionim skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, me qëllim fitimin për llogari të inceneratorit që ka konsistuar në përfitimin e kreditimit TVSH-së. Shoqëria ka realizuar blerje fiktive nga kompanitë e personave të përfshirë në vlerë totale prej 359.4 milionë lekë dhe dëmi i shkaktuar përmes TVSH-së në buxhetin e shtetit është 60 milionë lekë. 

Aso kohe Juri Ymeraj ka qenë në kërkim ndërkombëtar. 

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 26/09/2023 02:32

    Mund te mos jene perfekte si denime qe dhe keshtu me /gjykim te shkurtuar/ kane per t'u pergjysmuar ne rruge e siper,nga amnistite,sjellja e mire,/semundjet/,kohezgjatja e burgimit,etj,por te pakten denime u dhane,drejtesia filloi te funksionoje edhe pse jo ne pritshmerine e duhur. Ajo qe mungon ketu jane gjobat qe duhet te shoqeronin denimet me burg,p.sh.X-vite denim dhe Y-gjobe per demin qe i kane shkaktuar shtetit.Kur denuan Bernie Madoff per skemen Ponzi u denua me 150 vjet burg,por dhe me detyrimin per t'ju kthyer te demtuarve miliona e miliona dollare. Duket qe kjo metode denimi mungon ne legjistlacionin shqiptar.

    Përgjigju
  • SHPAK: 25/09/2023 15:39

    kta me te vertet tallen me popullin. hajdutet do bejne drejtesi haha

    Përgjigju
  • Xxxxxx: 25/09/2023 15:02

    Shpetuan zagaret...

    Përgjigju
  • i zhgenjyeri: 25/09/2023 13:47

    drejtesi e qelbur,,keta duhej te kishin denimin nga 25 vjet e lart...

    Përgjigju
  • teo: 25/09/2023 13:11

    po si o dervishi miratoi situacione te paqena dhe ska faj??!!!

    Përgjigju
    • futbolli dhe paraja e krimit.: 25/09/2023 14:59

      o vlla. ke te drejte ti, genjente duke thne qe jan ber punime, mashtronte shtetin per funksionim te gjerave qe as i kishin blere dhe jo me te funksiononte, bridhte me parate krimit me te vijen neper bote dhe ska faj. gjykatratha te lirohet. apokaliptike. drejtesia e re sorosiane qe kapi shtein per ti sherbyer pushtetit.

  • Ndergjegja: 25/09/2023 12:31

    Per pasurine dhe partine behen me qef deri 10 vite burg pa asnje problem. Fjala fundit: TË RROJ PARTIA DHE SPAKU!

    Përgjigju
  • Drejtesia: 25/09/2023 12:17

    Miliona euro t vjedhura, dhe i denojn me kaq sh vite burg. Mjer ne populli thjesht qe na ra te lindim ne kte toke

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ministri i jashtëm turk takon kreun e HTS-së në Damask

Ministri i jashtëm turk takon kreun e HTS-së në Damask