Afganët në Qytetin Studenti, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Ruseti: Janë ambientuar shpejt, po zhvillojmë aktivitete për gratë e fëmijët për të harruar tmerret e luftës

Për ta bërë sa më të lehtë përshtatjen në Shqipëri të qytetarëve afganë që vijnë nga përplasjet e dhunshme të talebanëve, gratë dhe fëmijët veçanërisht, janë nën kujdesin e punonjësve social të Bashkisë së Tiranës. gazetari Ermal Qorri ka zhvilluar një intervistë me nënkryetaren e Bashkisë, Anisa Ruseti e cila tregon për Report Tv me detaje angazhimin për t’ia bërë sa më të lehtë jetesën e përkohshme në Shqipëri qytetarëve afganë dhe na rrëfen edhe arsyet përse të punosh me ta është mjaft e lehtë.

Mbi 600 qytetarë afganë po strehohen në Shqipëri, ndërsa 300 prej tyre vijojnë të strehohen në Qytetin Studenti, por nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anisa Ruseti do të na tregojë detaje se si stafi social i Bashkisë së Tiranës po kujdeset për të rriturit, por kryesisht për fëmijët.

Faleminderit për kohën! Unë do të doja që ta nisnim menjëherë me atë çka është duke ndodhur aktualisht, ku edhe në sfond dëgjohen pasthirrmat e fëmijëve që janë duke luajtur. Çfarë plani konkret ka marrë Bashkia e Tiranës për të strehur, por ndoshta edhe për të pasur kontroll mbi fëmijët, të paktën nga ana sociale?

Ajo që ndodh në momentin e parë kur të gjithë qytetarët afganë i drejtohen godinës 11 dhe 12, ne kujdesemi për nevojat e tyre që janë bazike, që ka të bëjë me ushqimin, veshmbathjen dhe çdo gjë tjetër pasi kanë kaluar testin e covid-19 dhe kanë rezultuar negativë. Kështu që ajo që ju po shikoni është që gjatë gjithë kohës ne përpiqemi që t’ua mbushim kohën, sidomos fëmijëve, me lojëra kreative dhe nëpërmjet animatorëve tanë socialë që janë socialë dhe psikologë, të mundim t’ua mbushim kohën me aktivitete sa më pozitive për ta, që të kuptojnë tashmë që ajo që kanë kaluar është e shkuara dhe që nga momenti që kanë ardhur në Shqipëri i presin vetëm gjëra të mira përpara.

Si e ka pritur stafi social sjelljen e tyre pasi e dimë që fatkeqësisht vijnë nga një situatë jo shumë normale. Pra, keni pasur surpriza në këtë drejtim apo fatmirësisht ka shkuar çdo gjë mirë?

Për fat të mirë, deri tani ka shkuar çdo gjë mirë. Qytetarët kanë qenë shumë pozitivë dhe kanë qenë të gatshëm që të na japin edhe neve pak dorë kur vjen puna te koha që duhet për të gjitha proceurat që ata do të duhet të ndjekin, sidomos referuar regjistrimit të tyre në Polici, ku duhet të japin të gjitha të dhënat dhe gjithçka tjetër. Kanë qenë pozitivë, kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë. Veçanërisht stafi ka qenë i gatshëm për t’i ndihmuar, duke pasur parasysh që vijnë prej një situate e cila është shumë e vështirë, kanë kaluar orë të gjata në pritje dhe tashmë, siç mund ta shikoni, janë adaptuar dhe po ta shikoni, si nga ana e stafit por edhe nga ana e tyre mund të shikoni fytyra që janë të qeshura dhe pozitive dhe të gatshëm për të ndërvepruar me njëri-tjetrin. Shumica e tyre flasin anglisht dhe kjo na e ka lehtësuar shumë punën për të pasur një komunikim, por ndërkohë jemi siguruar që të kemi edhe disa persona të cilët flasin gjuhën e tyre native, të cilën mund ta përdorin.

Do t’i referohemi kujdesit sigurisht nga ana e policisë, patjetër që po, ka edhe forca, por nga ana shëndetësore, pra nga ana mjekësore çfarë stafi ka aktualisht që po i mbikëqyr këta fëmijë, nënkuptoj psikologë apo edhe mjekë?

Ministria e Shëndetësisë ka 24 orë në 24, mjekë dhe inferemierë të cilët janë këtu të gatshëm për ato që janë nevojat e tyre më bazike, të cilat kryesisht kanë qenë në lidhje me përshtatje me klimën, apo me çështje të vogla që lidhen me fëmijët. Dhe pastaj nëse ka gjëra më të rëndësishme, që për fat të mirë deri tani nuk i kemi pasur, do të duhet t’u drejtohen strukturave të hospitalizimit apo strukturave të tjera. Ndërkohë që shëndetësia ndjek çështjen që sapo ju thashë, punonjësit tanë socialë janë duke u marrë me çështje që kanë të bëjnë me traumën që ata kanë kaluar apo me disa nevoja të tjera që kanë shfaqur disa nga zonjat që kanë qenë në kujdes edhe të fëmijëve.

Ndoshta pak problem edhe për shkak të situatës së krijuar, por mendoj se ka një plan konkret të veprimtarisë, pra që nga momenti i zbritjes dhe i akomodimit në Qytetin Studenti dhe si procedohet më pas, nënkuptoj këtu kontrollin nga ana e covid-19 dhe pastaj se si do të vijohet. Ndoshta do të qëndrojnë për një periudhë kohore këtu apo do të shkojnë në qytete të tjera? Ta qartësojmë edhe njëherë me detaje.

Ne dje kemi lëvizur rreth 120 qytetarë drejt një strukture tjetër hotelerie që është në bregdet dhe po e përdorim godinën 11 dhe 12 vetëm si një pikë hyrëse, për të pasur të gjitha nevojat e tyre imediate, për t’i plotësuar dhe pasi ata kanë mbaruar të gjitha procedurat e regjistrimit në polici, mund të largohen dhe të shkojnë në hoteleri. Pra, këtu janë vetëm në mënyrë të përkohshme dhe sikundër e kemi njoftuar edhe më përpara, kjo do të jetë një strukturë pritëse deri në javën e parë të shtatorit, ku më pas qytetarët afganë do të duhet të largohen, për t’ia lënë vendin menaxhimit të administratës së Qytetit Studenti, për të përgatitur godinën për të akomoduar pastaj studentët që do të duhet të vijnë në vitin e ri akademik.

Është e vështirë për ju, por sigurisht edhe për stafin social që sigurisht t’i trajtojë me detaje të gjitha ato çka shfaqin fëmijët por sigurisht edhe të rriturit?

Nuk ka qenë e vështirë sepse sikundër ju thashë, të dyja palët kanë qenë shumë pozitive dhe qytetarët kanë shprehur nevoja të cilat janë lehtësisht të plotësueshme. Unë besoj që kudo ku ka vullnet të mirë dhe ka dashamirësi për të ndihmuar njerëzit, nuk ka asnjë gjë që është e pamundur. Dhe nevojat, të paktën në këto dy ditët e para, kanë qenë ato të emergjencës dhe nevojat jetike. Pra kur vjen puna tek ushqimi, veshmbathja, gjëra të cilat shumica e tyre kanë pasur nevojë që të kenë kohën e tyre për t’u qetësuar dhe pastaj t’i rikthehen. Ajo që kemi vënë re në këto tri ditë, është se ata adaptohen shumë lehtë. Fakti që të gjitha facilitetet i kanë afër godinës ku ata jetojnë, ka lehtësuar edhe përshtatjen e tyre me atë çfarë po jetojnë në Qytetin Studenti.

A ka një numër konkret aktualisht në Qytetin Studenti të fëmijëve, por edhe të të rriturve, përafërsisht nëse nuk është konkret?

Ne sot në këtë strukturë akomodojmë 266 persona, pjesa më e madhe e tyre janë fëmijë edhe gra. Kemi bërë një vlerësim paraprak në lidhje me numrin, por sikundër e thashë, numri është dinamik. Ne presim që sërish sot të kemi një avion, i cili duhet të sjellë qytetarë të tjerë dhe kjo na e ndryshon gjatë gjithë kohës numrin e atyre që kemi akomoduar. Por në këtë moment të gjithë janë nën kujdesin e prindërve të tyre dhe për çfarëdolloj nevoje tjetër që kanë, stafi psiko-social është i gatshëm që t’i ndihmojë.

Për të gjitha prurjet e reja që do të ketë në fakt në kryeqytet, do të jetë ndalesa e parë në Qytetin Studenti pikërisht për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla siç iu nënshtruar edhe grupet e mëparshme, apo do të ketë një ndryshim? Pra çfarë pritet në momentet në vijim?

Situata është dinamike. Ne jemi të gatshëm sikurse edhe gjatë gjithë këtyre ditëve, më varësi të një vendimi që do të ketë Ministria e Jashtme dhe e gjithë taskforca që është ngritur në lidhje me këtë çështje. Unë nuk e di nëse do të ketë prapë njerëz të cilët do të akomodohen në Qytetin Studenti apo do të shkojnë direkt në strukturat e hotelerisë, por sidoqë të jetë unë besoj se e gjithë taskforca dhe sidomos ministritë të cilat janë të përfshira në këtë operacion humanitar, janë të gatshme që në varësi të dinamikës edhe ajo çfarë është më e mira për qytetarët afganë, të mund të adaptojnë planin e tyre të masave.

Megjithëse në fakt u takon institucioneve të tjera, por ndoshta edhe policisë që t’i japin këto detaje, por keni një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë, për sa i përket ndoshta “rrezikshmërisë” të qytetarëve afganë që janë aktualisht në Shqipëri?

Unë besoj që nuk ka asnjë vend për të pasur shqetësim. Janë të gjithë qytetarë, të cilët pikësëpari u janë mirënjohës qytetarëve shqiptarë për mikpritjen që u kanë bërë dhe janë falënderues gjatë gjithë kohës që kanë qenë tri ditë këtu. Ata janë shumë të vetëdijshëm që ky është një moment transitor për ta, për të kaluar diku tjetër dhe deri tani, përveç se kemi qenë shumë bashkëpunues dhe kanë qenë pozitivë, unë gjykoj që nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë