KABUL - Dhoma e Ulët e Parlamentit afgan miratoi sot marrëveshjen për sigurinë dypalëshe (BSA) me NATO-n dhe SHBA-në duke parashikuar mbajtjen e një force të huaj për asistencë dhe trajnim në Afganistan pas largimit të trupave luftarakë në muajin dhjetor.
Marrëveshja, nënshkruar më 30 shtator, do të mundësojë për 12 500 ushtarë të huaj të qëndrojnë në vend në 2015, në kuadër të misionit "Mbështetje e vendosur".
Teksti u miratua me shumicë votash nga Dhoma e Ulët (Wolesi Jirga).
Marrëveshja u nënshkrua pas betimit të presidentit afgan, Ashraf Ghani. Paraardhësi i tij kishte refuzuar ta nënshkruante duke ia lënë vendimit pasardhësit të tij.
"Presidenti Ghani përshëndeti miratimin nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të Afganistanit të marrëveshjes dypalëshe të sigurisë me NATO-n dhe SHBA-në", shkruan presidenca afgane në një komunikatë.
"Presidenti, në të njëjtën kohë i kërkoi Dhomës së Lartë të Parlamentit (Meshrano Jirga) të bënte të njëjtën gjë përsa i përket marrëveshjeve", vijon komunikata./ATSH/