Eksperti i Sigurisë, Faik Basha, është shprehur se protestat e dhunshme që po ndodhin në Shqipëri prej disa ditësh, janë i të njëjtit model me ato që po ndodhin edhe në shtete të tjera të Europës.
Duke përmendur organizimet ‘Antifa’, Basha tha në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv se ndryshe nga Shqipëria, në shtetet e tjera të Europës pozita dhe opozita janë bërë bashkë për të frenuar këto lloj protestash.
Sipas Bashës, nëse autoritetet do të lejojnë personat e maskuar që të shkatërrojnë Shqipërinë, atëherë pensionistët nuk do të kenë mundësi të marrin pensionin e tyre.
“Nëse ne do të lëmë maskat të shkatërrojnë Shqipërinë, pensionistët s’do të kenë mundësi të marrin më asgjë. Kjo nuk është protestë që zhvillohet në Tiranë, por është protestë europiane. Është i njëjti model, i njëjti organizim, i njëjti financim dyshohet të jetë. Në të gjithë Europën, në të gjitha qytetet e Francës, në Itali, Belgjikë, Greqi e Shqipëri, janë organizime Antifa. Antifa mendohet se po bën këto organizime në Itali e Francë. Në Shqipëri ka një ndryshim shumë të madh. Sepse në këto vende pozita dhe opozita janë bërë bashkë dhe i kanë dalë në bllok për ta pritur”, tha mes të tjerash Basha.
Basha përmendi gjithashtu se vallëzimet dhe kërcimet në protestë, që sipas tij janë lëvizje të çuditshme që nuk kanë lidhje me traditën shqiptare të të bërit protestë, por një model i huazuar nga Europa.
Në përfundim Basha tha se lëvizja ‘Antifa’ dhe lëvizje të tjera të kësaj natyre, kanë vënë në rrezik sigurinë e gjithë Europës.
Sipas Bashës, vendet europiane ku po zhvillohen këto forma protestash, janë duke u koordinuar për të ndërtuar plane të përbashkëta emergjence.
“Ke parë ti shqiptarë që të bëjnë lëvizje të asaj natyre, kërcime, ato lëvizjet që para se t’i godasin me gurë dalin dhe u kërcejnë përpara policëve. Bëjnë disa organizime të çuditshme, që në Shqipëri nuk kanë ndodhur. S’janë fare tipike në Shqipëri. Në Shqipëri nëse del për të protestuar, del proteston, kërkon rrëzimin e Qeverisë. Këto lëvizje kanë vënë në rrezik sigurinë në mbarë Europën. Tani është duke u bërë një koordinim i përbashkët i gjithë vendeve europiane, për të ndërtuar plane emergjence të përbashkëta”, përfundoi Basha.
Avokati Edmond Petraj është shprehur se gjatë dy ditëve të fundit ka një rënie të tempit të protestave të dhunshme që po zhvillohen që prej 13 tetorit në Tiranë.
Komentet Petraj i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se Partia Demokratike dhe një pjesë e partive të vogla opozitare, i kanë mbështetur protestat e dhunshme në kryeqytet.
Sipas Petrajt, ditën e sotme si Policia, ashtu edhe protestuesit, kanë treguar më shumë maturi dhe vetëpërmbajtje në përballjen me njëri-tjetrin.
“Kjo situatë filloi ra që dje. Të shtunën ka qenë dita më e ashpër, dje pak më e ndryshme, ndërsa sot ka ardhur drejt një normalizimi. S’ka pasur shumë konfrontime agresive. Ndjesë pastë Qazim Mulleti, i cili thoshte ‘po zbritët në qytet, hapni sytë’. Tirana ime u prish. Kjo ka një pjesë të tërheqjes edhe të politikës, që këto ditë i kanë mbështetur. Partia Demokratike dhe parti të vogla. Po ta shikosh sot, tempi i protestës ka rënë. Ajo forma te Gjykata e Apelit ishte një gjest dhune. Janë të pakontrolluar. Mosha relativisht e re. Këta ishin ndryshe nga ata që gjuanin me gurë. Ndryshe edhe nga ata që ishin në bulevard dhe mbanin pjesën kryesore të përballjes me Policinë. Policia është treguar më e matur në këtë rast. Sot shikoj një vetëpërmbajtje të Policisë, por edhe të protestuesve”, tha mes të tjerash Petraj.
Petraj tha gjithashtu se prokuroritë dhe gjykatat në vend duhet të merren në mbrojtje nga efektivët e Policisë, pasi sipas tij, persona të caktuar që kanë qejfmbetje për një vendim të caktuar, mund të hakmerren ndaj këtyre institucioneve gjatë kaosit të krijuar.
Sipas Petrajt, Rruga e Durrësit është kthyer si qytetet e bombarduara të Ukrainës, teksa shtoi se elementë të caktuar në protestë kanë kryer edhe grabitje nëpër bizneset private.
“Duhen marrë nën mbrojtje gjykatat dhe prokuroritë, pasi elementë të caktuar që mund të kenë qejfmbetje për një vendim të caktuar, mund të shkojnë dhe të hakmerren në këtë kaos. Është kthyer rruga e Durrësit si Ukraina. Elementë të caktuar kanë hyrë në protestë dhe kanë bërë grabitje”, shtoi Petraj.










Komente
Komento