Avokati Edmond Petraj është shprehur se gjatë dy ditëve të fundit ka një rënie të tempit të protestave të dhunshme që po zhvillohen që prej 13 tetorit në Tiranë.

Komentet Petraj i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se Partia Demokratike dhe një pjesë e partive të vogla opozitare, i kanë mbështetur protestat e dhunshme në kryeqytet.

Sipas Petrajt, ditën e sotme si Policia, ashtu edhe protestuesit, kanë treguar më shumë maturi dhe vetëpërmbajtje në përballjen me njëri-tjetrin.

“Kjo situatë filloi ra që dje. Të shtunën ka qenë dita më e ashpër, dje pak më e ndryshme, ndërsa sot ka ardhur drejt një normalizimi. S’ka pasur shumë konfrontime agresive. Ndjesë pastë Qazim Mulleti, i cili thoshte ‘po zbritët në qytet, hapni sytë’. Tirana ime u prish. Kjo ka një pjesë të tërheqjes edhe të politikës, që këto ditë i kanë mbështetur. Partia Demokratike dhe parti të vogla. Po ta shikosh sot, tempi i protestës ka rënë. Ajo forma te Gjykata e Apelit ishte një gjest dhune. Janë të pakontrolluar. Mosha relativisht e re. Këta ishin ndryshe nga ata që gjuanin me gurë. Ndryshe edhe nga ata që ishin në bulevard dhe mbanin pjesën kryesore të përballjes me Policinë. Policia është treguar më e matur në këtë rast. Sot shikoj një vetëpërmbajtje të Policisë, por edhe të protestuesve”, tha mes të tjerash Petraj.

Petraj tha gjithashtu se prokuroritë dhe gjykatat në vend duhet të merren në mbrojtje nga efektivët e Policisë, pasi sipas tij, persona të caktuar që kanë qejfmbetje për një vendim të caktuar, mund të hakmerren ndaj këtyre institucioneve gjatë kaosit të krijuar.

Sipas Petrajt, Rruga e Durrësit është kthyer si qytetet e bombarduara të Ukrainës, teksa shtoi se elementë të caktuar në protestë kanë kryer edhe grabitje nëpër bizneset private.

“Duhen marrë nën mbrojtje gjykatat dhe prokuroritë, pasi elementë të caktuar që mund të kenë qejfmbetje për një vendim të caktuar, mund të shkojnë dhe të hakmerren në këtë kaos. Është kthyer rruga e Durrësit si Ukraina. Elementë të caktuar kanë hyrë në protestë dhe kanë bërë grabitje”, shtoi Petraj.


Lajmi kryesor:

Protestat e dhunshme/ Eksperti Basha: Dyshohet se i organizon ‘Antifa’, njëjtë si në gjithë Europën! S’duhet t’i lëmë maskat të djegin Shqipërinë