TIRANË- Në kuadër të afrimit të sezonit të reshjeve, Prefekti i Qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi, mblodhi sot Komisionin e Planifikimit të Emergjencave Civile, për të raportuar mbi planin e masave dhe thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve në nivel rajonal.
Në fjalën e tij, Vorpsi theksoi se krahasuar me vitin e kaluar vihet re një shtim i masave për parandalimin e katastrofave natyrore dhe sidomos mbrojtjen e jetëve njerëzore. Sipas tij, problematike mbetet ende rrëshqitja e dherave dhe gërryerjet e vazhdueshme, ndërsa theksoi se kjo problematikë është për t'u parë me prioritet kryesisht në komunat Farkë dhe Paskuqan për arsye se ujëmbajtësit ndodhen pranë zonave të banuara.
Mbledhja prane Prefektures Tirane
"Nuk duhet toleruar në asnjë moment papërgjeshmëria apo neglizhenca e kryetarëve të çdo njësie vendore, të cilët janë njëkohësisht edhe Kryetarë të Komisioneve Vendore të Emergjencave", u shpreh Prefekti Vorpsi.
Nga ana tjetër, ai theksoi se duhen marrë një sërë masash të cilat do të bëjnë të mundur sigurimin e rrugës dhe kalueshmëri pa probleme në ato pjesë ku mund të krijohen vështirësi nga reshjet.
Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Planifikimit të Emergjencave, Vorpsi u kërkoi drejtuesve rajonalë të pranishëm në takim që të përgatitën për masat e nevojshme dhe këto masa të organizohen mbi bazën e prioriteteve të mëposhtme:
Sigurimi i jetëve njerëzore: përmes lajmërimit të shpejtë të popullatës dhe informacionit të ndërsjelltë, për shkak të situatës së përmbytjeve.
Kontrolli dhe garantimi i kalueshmërisë së akseve rrugore, si rezultat i përmbytjeve.
Ofrimi i ndihmës mjekësore për popullsinë e zonave të prekura nga fatkeqësia.
Mundësimi i ndihmës në ushqime e veshmbathje.
Marrja e masave për një evakuim të mundshëm të banorëve të zonave të prekura.
Të pranishëm në takimin e sotëm ishin drejtues të Policisë së Shtetit dhe PMNZSH, përfaqësues të Autoritetit Rajonal Shëndetësor, Batalioni Mbështetës i FA, Kryqi i Kuq etj. /ATSh/