Afro 20% e shqiptarëve në rrezik varfërie, kanë të ardhura ditore deri në 751 lekë! Gjendja do rëndohej nëse s’do ishin pensionet e skemat sociale

Vetëm 751 lekë në ‘portofol’ në ditë dhe nuk je i varfër, të paktën ky është vlerësimi i Institutit të Statistikave për vitin 2023.

Në raportin për ‘Matjen e Të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës në Shqipëri për vitin 2023”, thuhet se rreziku për të qenë i varfër është ulur me 0.9% krahasuar me vitin 2022, dhe ka zbritur në 19.7%. E përkthyer në shifra, janë mbi 545 mijë qytetarë vlerësuar në rrezik varfërie.

“Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2023 është vlerësuar me 270.565 lekë, në krahasim me 225.931 Lekë që ishte në vitin 2022”, thotë INSTAT.

Edhe pse Shqipëria nuk e ka të përcaktuar minimumin jetik, ky vlerësim i INSTAT tregon vlerën financiare të kufirit të varfërisë. Që një individ të mos jetë i varfër duhet të ketë minimumi 22,547 lekë të ardhura në muaj, ose 751 lekë në ditë. Në raport me vitin e kaluar ‘mirëqenia’ është rritur me vetëm 144 lekë në ditë.

Në raport thuhet se rreziku për të qenë i varfër është më i lartë tek grup mosha 18-64 vjeç, të cilët jetojnë në familje me pak të punësuar apo dhe ato me nivel arsimimi të ulët. Niveli i varfërisë thotë INSTAT do të ishte edhe më i lartë në vend nëse do të mungonin ndihmat sociale të tilla si asistenca, ndihma ekonomike, kempet apo pensionet.

“Në vitin 2023, 36,4% e popullsisë do të vlerësohej në rrezik për të qenë të varfër, nëse tek të ardhurat e disponueshme do të përjashtoheshin të gjitha përfitimet sociale”, thuhet në raport.

Pavarësisht se shifrat flasin për rënie të varfërisë, përsëri familjet në vend mbeten të brishta financiarisht.

Në një analizë të kryer nga Elona Dushku e departamentit të kërkimeve në Bankën e Shqipërisë mbi brishtësinë financiare të familjeve, tregon se 60% e familjeve nuk kanë likuiditete për ‘surpriza’ të paplanifikuara financiare.

Pamundësia për të përballuar një shpenzim të papritur vjen si rezultat i kostove të rritura të jetesës, pasi një familjeje me mesatarisht 3.7 anëtarë, duhet të shpenzojë të paktën 36 mijë lekë në muaj për t’u furnizuar me ushqimet bazë. Sipas INSTAT 40% e të ardhurave mujore të familjeve shkojnë për ushqime.

KUFIRI I VARFËRISË, VLERA MONETARE
Viti 2022                    225,931 lekë në vit
Viti 2023                    270,565 lekë në vit
Diferenca                    +44,634 lekë në vit
VARFËRIA NË SHQIPËRI
Të ardhurat 2023             607 lekë dita
Të ardhurat 2024             751 lekë dita
Diferenca                        +144 lekë dita

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 14/12/2024 05:25

    Gjendja do te rendohej me shume po te mos ishin dhe remintancat e emigracionit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen