Më sot 16 tetor 2013 Shqiptarja.com publikoi pjesen e pare “Origjina e Botës”, Pse shqiptarët i skandalizon arti
Nesër më 17 tetor 2013 publikon pjesen e dytë Mehmet Shehu: “Nudo në Akademi?Të mbyllet ajo shkollë kurvash
Më 18 tetor 2013 publikohet pjesa e tretë dhe e fundit Buza: Skulpturave iu hoqënorganet para vizitës së ministrit
Sot Pjesa e parë
AGIM FAJA: ORIGJINA E BOTES, PSE SHQIPTARET I SKANDALIZON ARTI
O NJERËZ AKOMA ME FRIKËRA E TURPE NE?
Parafjalë
Ju them me sinqeritet se këto grimca ngjarjesh të ndodhura nëpër kohëra, pata menduar ti shkruaja pasi të kisha mbyllur disa punë të tjera që kisha nëpër duar. Do ti shkruaja thjeshtë për ti patur në arkivin tim dhe jo për ndonjë qëllim tjetër, mirëpo kur lexova dy shkrime për tablonë e piktorit të shquar Gustav Kurbe “Origjina e Botës” dhe në ilustrim të tyre nuk qe vënë portreti, për të cilin flitej por figura të tjera, atëherë vendosa t’i shkruaj ato, në ilustrim të këtij debati shoqëror e artistik.
VËRTET Ç’ËSHTË KJO TURP APO FRIKË?
Shkrimin e parë e lexova në gazetën “Mapo” të 9 korrikut 2013, f.13, një shkrim shumë interesant dhe me shumë informacion të detajuar të studiuesit Luan Rama, autor i kaq shkrimeve njëri më i bukur se tjetri, kushtuar figurave të shquara të historisë sonë dhe jo vetëm. Shkrimi titullohej: “Origjina e Botës” e Courbet, u porosit nga një shqiptar. Sa gjë e bukur dhe e guximshme! Gjithnjë ne shqiptarët jemi treguar evropianë, madje edhe kaluar evropianët, ani se Evropa as dje dhe as sot, akoma jo s’na ka pranuar në gjirin e saj.
Fillimet e atij “Revolucioni seksual” që ndodhi në Amerikë në vitet ’60 të shekullit të kaluar ne i kishim kërkuar njëqind vjet më parë në vitin 1867, kur ambasadori turk në Paris më pas në Shën Petërburg, Halil Beu, (me origjinë shqiptare, pinjoll i familjes së Mehmet Ali Pashës, që zbarkoi në Egjipt me 300 kalorësit e tij) e porositi piktorin francez Gustav Kurbe t’i bënte një tablo me seksin e femrës, gjë fort e guximshme dhe shumë origjinale për të gjitha kohërat, ç’ka e dëshmon edhe vetë Kurbeja, kur thotë: Dijeni se as Ticiani, as Veroneze, as Rafali e as Unë, kurrë nuk kemi pikturuar tabllo më të bukur se kjo...”
Si një risi artistike, natyrisht për të pat shumë pëshpëritje dhe përfolje, megjithatë koha-mëmë e pranoi në gjirin e saj, jo si “një fëmijë ilegal” por si një “fëmijë i jashtëzakonshëm”.
(Ne foto: “Origjina e botës” e Gustav Kurbe)
Me “Origjinën e Botës” jam njohur në shtator 2003, kur një ish-nxënësi im Arben Shira (piktor në Fasano të Italisë) më solli riprodhimin me ngjyra të saj, të shoqëruar dhe me një vështrim kritik nga kritiku i njohur italian i arteve figurative Vitorio Sgarbi, i cili midis të tjerash shkruan: “...”Origjina e Botës” është një nga tablotë më famoze të Kurbesë, e cila qëndron bukur dhe qetë në muzeun e Orseit, në Luvër. Piktori i madh e ka titulluar “Origjina e Botës” dhe duhet kuptuar mirë, se sa i guximshëm ka qenë ekspozimi i kësaj vepre, pasi është një pikturë, e cila për shumë kohë ka qenë e censuruar. Kurbe, duke shkuar më larg se Mane, ka pikturuar pikërisht atë pjesë anatomike që simbolizon origjinën e botës. Është një pikturë me një realizim të jashtëzakonshëm, ndoshta piktura më antimetafizike e botës.
Në qoftëse do ti referohemi Xhiotos, pra pikturës mesjetare, atëherë mund të themi se me këtë pikturë fillon periudha moderne e arteve figurative: shenjtërimi i seksit në art, si një kënaqësi e natyrshme dhe e domosdoshme, që të shkakton një gjendje jermi...”
Siç shkruan dhe studiuesi ynë Luan Rama “ ...e realizuar në përmasat natyrale 46 X 55 cm, tabloja ka imazhin kuadratik pak gjë sipër gjurit e gjer tek fillimi gjoksit, ku në qendër është vendosur pikërisht seksi i femrës... Kurbeja edhe pse e kishte punuar me shumë dashuri e përgjegjësi, ishte mëse i sigurt për fatin e keq të saj, se do të zhdukej shumë shpejt. Pra ishte si një vdekje e paralajmëruar dhe vazhdimisht mendonte, se cili do të ishte vallë inkuizitori i saj dhe në ç’turrë drush do të digjej?”
Mosbotimi i saj, në ilustrim të shkrimit të studiuesit Luan Rama dhe më keq akoma botimi i një portreti gruaje (që duket si e alivanosur), e shoqëruar edhe me një vizatim, që nuk merret vesh se ç’është, natyrisht nuk m’u duk normale. Nuk e kuptoj, dhe më saktë nuk mund ta mendoj, se si në vitin 2013 dhe aq më tepër pas ikjes së asaj nate të gjatë, të vështirë, të pështirë e të rrezikshme, siç qe diktatura jonë ne përsëri kemi frikë. Unë po e quaj frikë, por a mos vallë është turp?
E them këtë pasi me një fenomen të tillë jam ndeshur edhe në vitin 1995, tetëmbëdhjetë vjet më parë, kur shtëpia botuese “Albin” hodhi në treg librin “Kënaqësia e seksit” të mjekut të njohur, shkencëtarit të shquar dhe seksologut amerikan Aleks Konfort, botuar për herë të parë në vitin 1972 dhe ribotuar disa herë, bestselleri më i shquar për seksin, që ka dalë në shitje gjer më sot në perëndim. Ky libër i botuar në më shumë se 25 vende të botës, që nga Australia e Zelanda e Re, në Brazil, Argjentinë, Danimarkë, Bullgari, Spanjë, Italia e Japoni, Suedi, Hollandë, Jugosllavi, etj. Vetëm në SHBA dhe Britani të Madhe në vitin 1986, njohu më tepër se 8.5 milion ekzemplarë, e pikërisht këtë libër, ne jo vetëm që e botuam në një letër gazete të rëndomtë me ilustrime pa ngjyra të stampuara dobët, por edhe të prekura, si fjala vjen në faqet 36, 37, 45, ...101, 102, etj etj, ku vendi i organeve mashkullore e femërore, apo bashkimi i tyre është mbuluar me një njollë gri të errët, ose më saktë është ndotur, për të mos u parë.
Ky botim i dhënë kështu, flet për atë që ne shqiptarët në përgjithësi, qoftë edhe intelektualët në veçanti, ruajmë akoma komplekse nga e kaluara dhe sajojmë vetë atë që quhet autocensura. Pra duam të këndojmë për seksin, por prapë kemi frikë, se mos këndojmë një çikë si shumë. Kjo pasi seksi dhe edukata seksuale, gjithnjë janë konsideruar nga ne herezi. Sa turp!...**)
"Gratë që flenë" Gustav Kurbe
"Femer e ulur" Modiliani
Dhe të mos harrojmë se i përkasim vitit 2013 dhe se ai, i cili porositi ti pikturonin seksin e femrës, që sot quhet “Origjina e Botës” më 1867, qe xhinsi ynë, i cili i dëftoi që atëherë se si duhet të jetë një evropian. Studiuesi na informon se Halil Beu aq e adhuronte pikturën sa të gjitha muret e rezidencës së tij, i kishte mbushur me tabllo famoze të artistëve francezë si: Inger, Delakrua, Koro, etj. Dhe ishin kryesisht nudo ku të tërhiqnin vëmendjen: “Banjo turke” e Engërit dhe “Vajza me papagall”.
Kulti i Halil Beut ishte e bukura. Ai, jo vetëm që i kërkoi Kurbesë që ti pikturonte në një tabllo seksin e femrës dhe i ofroi një shumë marramendëse prej 20 mijë frangash, por i dërgoi dhe modelin që do të pozonte për të, të njohurën e tij, irlandezen Joanna Hifferman.
Afro dy muaj më pas në gazetën “Standard” të 23 shtatorit 2013 faqe 18-19 u botua shkrimi “Halil bej i nudove” nga një person me inicialet: V.M. Në faqen e parë të gazetës shkruhej: “Koleksionisti shqiptar Halil Beu. Si bleu me 20 mijë franga nudon më të diskutuar”. Gjithmonë bëhet fjalë për “Origjinën e Botës”. Megjithatë kjo gazetë u duk pak si më e avancuar, se në ilustrim të shkrimit kishte vënë tabllonë e famshme të “Banjo turke” të Zhan Ogyst Domenik Enger (me ngjyra, në faqen e parë dhe bardhë e zi të shtrirë në dy faqe 18-19, tek shkrimi) është e vërtetë se tërë ato gra nudo e kanë “Origjinën e Botës”, por titullohet “Banjo turke” dhe jo “Origjina e Botës”.
Vërtet ç’është kjo turp apo frikë?
“NA MERRE VETË KARROCËN!”
Kjo frikë ose turp më kujton një rast që më ndodhi në Budapest të Hungarisë në gusht të vitit 1987, ku më kishin dërguar për të operuar një tumor të pështymës. Në ato vite të sëmurët shkonin jashtë shtetit si gjynahqarë pa asnjë pare në xhep. Pas operacionit ambasada më dha disa forinta (pare hungareze), me të cilat, jo gjë tjetër por as edhe një album me riprodhime të piktorit të madh klasik Mikhail Munkash nuk bleja dot. Atëherë i kërkova një punonjësi të ambasadës që të më shoqëronte nëpër dyqane të ndryshme për të blerë ndonjë krem “Nivea” deordorant “Medea” a “Fa” për Durrien, ca çamçakiz për fëmijët. Edhe pse ai qe më i moshuar se unë, rrugës biseduam lirshëm për gjithçka.
Kur u futëm në supermarket, ndërsa blenim ato që kisha në lista dhe i futnim në karrocë, ai më tha: “Agim, këtu ka edhe kondom… Ç’janë kondomët e pyeta unë. Prezervativ, pse nuk i njeh! “Ooo thirra, sa mirë, do të marr nja 100 copë!!!... Duket ai nuk e priti dhe si më tha: na, merre vetë karrocën… iku. Unë bleva ç’kisha për të blerë bashkë me 10 pakot me nga 10 perzervativë, i pagova tek një vajzë simpatike që ishte në dalje të supermarketit dhe kur u takuam jashtë e pyeta: “Më fal po sa vite ke këtu në Hungari?” “Pesë”- më tha.
“Pupupupuuuu! Po si nuk paske përfituar një çikë nga këto or burrë i dheut! Pastaj nuk kuptoj një gjë; me ble perzervativë nuk të leni, me dështuar s’të leni, atëherë ç’të bëjmë ne të shkretët? Por aman mor, se ngelëm duke i larë nga tre katër herë e duke i ngjitur e pudrosur, ato dreq perzervativësh, që sa mezi i sigurojmë nëpër shokë e miq…. Ç’varfëri pathologjike! O zot, ç’jetë e ndrydhur! Gjëja më e bukur qe se kur në maj të 2003 isha për vizitë me një grup krijuesish durrsakë në Kosovë, pashë në librarinë ‘Koha’ të Prizrenit, një libër të titulluar: “Seksi dhe seksualiteti” që kishte botuar ai punonjësi i ambasadës, i cili nuk donte që unë të blija perzervativët.
Ia bleva librin, madje bashkë me të edhe librin “Seksualiteti në islam”, një libër shumë interesant i Abdelëahab Bouhdiba botuar në Gjilan më 2001.
“ …PO KË TË RUAJ MË PËRPARA..?”
Ashtu sikurse fjala sjell fjalën sjellin dhe kujtimet njëri-tjetrin. Kështu sjell ndërmend një takim në Pogradec në fund të shtatorit të vitit 1985 me shkrimtarin tonë të madh Dritëro Agolli. Pinim kafe në hotel-turizmi “Guri i kuq” të Pogradecit. Unë kisha shkuar bashkë me Durrijen time, të kaloja një pesëmbëdhjetë ditësh, ndërsa Dritëroi me Sadijen e tij ktheheshin nga Korça. Tek pinim kafe e flisnim e qeshnim, dikur Dritëroi tha: “Shkova kohë më parë te Dr.Glozheni dhe i thashë që të më ndihmonte se po na shtoheshin fëmijët. Aman doktor na i mbyll ato kanale që të mos bëjmë prapë se nuk i mbajmë dot!” Shok të kam o Dritëro, e mik të kam sa nuk bëhet, por të them sinqerisht se këtë që më kërkon nuk e bëj dot; ndaj të këshilloj të ruhesh, vetëm të ruhesh…”
“ T’ëmën o doktor- i thashë unë- po kë të ruaj më përpara o burrë i dheut, të ruajmë që të mos shkelim vijën e Partisë apo të ruajmë mos bëjmë gratë me barrë? Eh, të shkretët ne ç’kemi pësuar!...” Kjo sot duket paradoksale, por në ato vite qe një realitet.
Shenime
*) Piktori i merituar
**Krejt ndryshe me shumë estetikë, bukuri dhe art, shtëpia botuese “fryma”, botoi albumin e autorëve Stjuart@Suzan Holrojd: “Për dashurinë dh seksin”. Teknikët e dashurisë seksuale/ Tiranë 2007.
BIOGRAFIA E PIKTORIT
Agim Faja ka lindur në Shijak në 14 mars 1939, ai ka mbaruar Shkollën e Mesme Pedagogjike në Elbasan në vitin 1954 dhe më pas shkon në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, ku përfundon studimet në vitin 1958. Në vitin 1960 ndjek edhe studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve i sapo hapur në atë kohë, ku merr mësime nga pedagogët Vilson Kilica dhe Guri Madhi. Agim Faja është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive dhe personale. Në vitin 1987 i akordohet titulli "Piktor i Merituar", kurse në vitin 1996 presidenti i asaj kohe Sali Berisha i jep titullin "Pishtar i Demokracisë". Ai është nderuar edhe me titullin "Qytetar Nderi i Shijakut".
Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)