Agim Sulaj: Ju rrëfej kujtimet që shpalosen në tablotë e mia. Rikthimi tek rrënjët ka rilindur artin tim! (VIDEO)

…..Kjo valixhe emigranti.., as vetë piktorit Agim Sulaj, por as shqiptarëve dhe italianëve, nuk do t’ju hiqet nga mendja…..

Piktori dhe karikaturisti me famë botërore, Agim Sulaj, rikthehet sërish në vendin e tij.

Ai, rikthehet tek ato rrënjë që e përfaqësuan- kur për herë të parë shkoi në vitin 1992 me një ekspozitë në Rimini të Italisë - e një vit më pas me një tjetër ekspozitë në Brindizi.

Ishin emocionuese këto ekspozita të para jashtë vendit, pas rënies së diktaturës komuniste.

Shumë shpejt Agim Sulaj hyri në zemrën e artdashësve italianë. Për të rinisi jeta e artit.

Edhe sot e kësaj dite, piktori jeton e punon në Rimini. Aty ka studion e tij, ku dielli, natyra dhe njerëzit e frymëzojnë të meditojë dhe të krijojë duke plotësuar një personalitet unikal si artist.

Aty rilind çdo ditë arti i tij, i eksploruar tashmë nga artdashësit e dhjetëra vendeve të botës, ku shkon me ekspozitat e tij.

Hiperealizmi magjik i Agim Sulajt, skrupuloziteti i teknikave të tij, që përçojnë  një vepër të gdhendur me detaje, e që lëshon ka shumë energji dhe dritë brenda telajos, shkëlqen mes zejeve të artit bashkëkohor.

Në ekspozitën e dhjetorit në Tiranë, Agim Sulaj ka gjetur edhe më shumë arsye për t’u rikthyer në atdhe, tek “rrënjët” siç i pëlqen të thotë. Dhe jo vetëm të thotë, por edhe të mbahet përherë e më tepër shpirtërisht dhe emocionalisht tek këto rrënjë.

                                               ***

E quan këtë ekspozitë një rikthim tjetër, apo ka një mision që shkon përtej kësaj ekspozite?

-Ndryshe nga vitet e tjera, unë prezantoj këtë vit tri ekspozita. Ekspozita e parë rrëfen për herë të parë një Agim Sulaj të panjohur, që publiku shqiptar sot e shikon për herë të parë. Janë ato vizatimet e kohës së Liceut, që unë pata fatin t’i gjej se unë i konsideroja të humbura. Për sa iu përket vizatimeve të asaj periudhe, janë vizatime në tush në laps, dhe gjilpërë e thatë, kanë qenë ato teknikat tona që studionin gjatë shkollës. Janë rreth 30 punime.  Ekspozita e dytë, është ekspozita e tablove, në katin e parë, që ka nostalgjinë, sidomos të detit të Vlorës, gjithmonë e Vlorës, si dhe mbresat nga fëmijëria e kaluar në det, nëpër muret e  shtëpisë, nëpër ambiente, në natyrë, dhe gjetjet historike. Dhe këtë vit për fatin e mirë, Agim Sulaj vjen me të gjithë artistë që ka bota. Është kjo ekspozitë “Shqipëria pas tërmetit”. Mbas tërmeti që ra në vendin tonë, unë desha që këtë dhimbje ta kthejë në një ekspozitë ndërkombëtare, bërë një shpërndarjeje në rrjetet socaiale. Është një ekspozitë solidariteti kundër dhimbjes së tërmetit, dhe artistë m’u përgjigjën për katër ditë. Nuk e imagjinoja të gjeja një përgjigje kaq të menjëhershme. Dhe kjo është të njohësh Shqipërinë dhe ta kesh afër. U bë e njohur Shqipëria nga 54 artistë nga e gjithë bota.

Dhe zemra e një krijuesi, bëhet aq e ndjeshme kur trondite toka e atdheut…

-Nisma ishte që unë doja të bëja diçka. Më lindi instinktivisht që unë doja të bëja diçka. Atë natë që ra tërmeti unë ndjenja gjithë natën pa gjumë. Isha në Rimini. Ka qenë aty rreth orës 1.30-2.00. U zgjova, nuk më zinte më gjumi.  Dhe që në atë moment filloi ngacmimi artistik, në fillim si njeri; dhimbja dhe ajo situata që ju e keni përjetuar fizikisht duke ndenjur në ankth, por edhe dhimbja, more si janë ata, çfarë bëjnë. Të nesërmen unë bëra ato duart si shqiponjë mbi rrënoja. Një tablo në vaj që është edhe posteri i ekspozitës. Dhe mendova pse të mos u them miqve, se unë kam shumë miq karikaturistë në botë. U bëra tag 100 vetave, dhe më erdhi menjëherë përgjigja. Kjo është nisma ime, por edhe një ekspozitë ndërkombëtare, Unë e nisa, por në të mori pjesë gjithë bota. E quaj arritje pozitive ndaj impenjusit të tyre ndaj vendit tënd.

Pra ju keni përftuar një dedikim për vendin tënd që keni gjithmonë nostalgji. Të kthehemi tek nostalgjia që sa më shumë i afrohesh dhe gdhend me detaje në art, kjo nostalgji jotja me ngjyra që të afron me shijen e së kaluarës. Dhe le të qëndrojmë tek nostalgjia jote e shkollimit. Tek vizatimet që vijnë për herë të parë. Pse mendove për t’i pasur në këtë ekspozitë?

-Këto vizatime gati i kisha harruar. Mendoja se i kisha humbur. Gjetja e tyre më dha idenë e  madhe që unë t’ia prezantoja publikut shqiptar. Kërkesë për këtë ekspozitë kam pasur edhe jashtë Shqipërisë, por vendi i parë ishte ky vend ku unë jam rritur. Aty janë vendi ku kam  lindur, Vlora dhe Tirana ku jam rritur dhe portreti i gjyshes sime, se unë jam rritur në shtëpinë e saj.

Më kujtoni njëkohësisht që ju keni pasur një marrëdhënie të mirë me shtypin e kohës. Ju keni qenë një autor shumë i njohur edhe në revistën “Hosteni”. A mund të na kujtoni disa momente dhe lidhje që patë me punën atje?

-Hosteni ishte një fabrikë e mrekullueshme artistike me artistë të mrekullueshëm. Me një edukatë artistike që çdo batutë e Ilir Pojanit apo Bujar Kapexhiut kthehej në një krijimtari që merrte jetë. Më kujtohet Dionis Bubani, që i thoshte Bujar Kapexhiut : “Ardhja jote më gëzon, ikja jote më lumturon”.  Ishin gjetje figurative dhe ne ashtu flisnim në mënyrë figurative. Hosteni niste punën në orën 8.00 të mengjesit, kishte diskutime, përpjekje krijuese. “Hosteni” kishte krijuar një hapësirë që t’i shpëtoje censurës. Për shembull, unë e kam trajtuar shumë burokratin, por në fakt burokrati ishte diktatura. Kishim dhe Niko Nikollën që iu është gjendur afër krijuesve, njerëzve të artit. Ai më nxiti, ai që e ka mbajtur karikaturën dhe e ka ngritur në art, e kjo duhet thënë…

Më njërën këmbë në pikturën dhe me tjetrën në artin e karikaturës Agim Sulaj është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Ajzerbaxhan, Kinë, Iran. Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg, etj

-Nuk e dija që kisha sensin e humorit për të kariktatura, Niko Nikolla më nxiti. M’u zhvillua kjo linjë.  I edukuar më këtë frymë, unë ika nga Shqipëria me një valixhe të rëndomtë, ndërsa brenda saj ishte edukimi gjatë këtyre viteve, ishte kultura që kisha marrë.  Unë para se të ikja mora një çmim për karikaturën, që u bë në ‘79-n në Durrës. Ishte koha kur humori ishte në shkallën më të lartë, kur Estrada që kishte Skënder Sallakun e kishte të zhvilluar zhanrin e humorit.

Ndërsa ne shqiptarët e ndjejmë veten me fat që kemi një piktor të tillë, sepse nëpërmjet artit që Agim Sulaj përcjell në botë vezullojnë thesaret e Shqipërisë, trashëgimitë, vlerat. Janë këto thesare që piktori i mbart me vete, në atë valixhen e parë të emigrantit, kudo që shkon e prezanton veprat e tij....

Agim, ajo “Valixhja e emigrantit” është valixhja jote. Më trego pak për kohën kur ike nga Shqipëria…?

-Kanë qenë vite ’93. Fillimisht ika me një ekspozitë personale në Rimini, dhe atje më janë prezantuar të gjitha veprat në karikaturë që kisha bërë në revistën “Hosteni”. Dhe më gjeti në ato vite një italian në Vlorë, më pa punët dhe më tha që do të bëjë ekspozitën atje dhe do më bënte dhe katalogun. Ishte një event  “Miqësia mes popujve” që organizohej shpesh në Itali. Në fakt, në ato vite unë kisha vetëm dëshirë të pikturoja, nuk kam qenë ndonjë entuziast për të ikur, por në vendin ku unë kisha studion, doli pronari i saj dhe donte pronën e tij, unë ngela pa studio. Po të kisha studion, unë nuk do të kisha ikur. Në Itali unë kam filluar me temat e emigrimit dhe ajo valixhe mua më ka sjellë fat. Unë nisa punën në Itali dhe kur pikturova “Valixhen e emigrantit”, kisha një shtysë, se emigranti nuk ka një shtëpi, por valixhja është shtëpia e tij. Efekti që pati më dha shtysë që unë të vijoja të merresha edhe me karikaturën. Kështu nisi jeta ime në Itali. Pastaj kur nisi interneti të bëhej pjesë e shoqërisë, nisa të isha shumë më aktiv me ekspozita.

Miqtë e artit dhe ne gazetarët e dimë shumë mirë që suksesi juaj nis me pikturën realiste në Shqipëri, që ju I dhatë dritën I dhatë koherencën, I dhatë ngjyrat për ta kthyer pastaj në atë pikturën e papërsëritshme hiperealiste të Agim Sulaj. Kemi dëshirë t’i ndjekim edhe këto hapa të suksesit, nga Shqipëria, në botë, kudo keni shkuar me ekspozita?

-Prandaj edhe unë kthehem këtu çdo vit. Është i katërti vit që unë vij rregullisht. Madje këtë ekspozitë unë mund ta quaja “Rrënjët 4”. Duke u rritur në këtë vend, në këtë bazë, në atë atmosferë jeta jonë rridhte, o duke vizatuar ,ose duke bërë akuarele. Unë në darkë shkoja tek Zef Shoshi dhe i thosha: -Profesor, si të duken. Dhe kështu më pas nisa jetën Itali  duke marr pjesë në ekspozita. Ka qenë Galeria “Forbi” që më ka dhënë dorë, një galeri e njohur në arenën ndërkombëtare dhe që më ka dhënë dorën. Dhe gradualisht, në vite nisi të ndryshonte edhe pak stili. Unë e kam pasur stilin realist, ku figurat duken si të vërteta, por në Itali mirëpritej ajo që bëja, sepse në Shqipëri në diktaturë piktura hiperealiste nuk preferohej, shpërfillej si art borgjez.

Piktura juaj në mënyrë të palodhshme, të përhershme karakterizohet nga kujtesa. Në tablo gjen Vlorën, fëmijërinë, etj. Çfarë është kujtesa për ju si filozofi e artit?

-Kujtesa është ajo që un i them “e pandotura”, sepse unë jam rritur në një Vlorë të pandotur, kur vinte në oborr ajo aroma e portokajve, apo e detit. Kujtesa ime ka në bazë atë Agimin e vogël, që rrinte mbi një gurë deti, ose rrugicave të mia, që unë u them të mijave edhe rrugicave të Tiranës, edhe të Vlorës, sepse në Tiranë jam rritur.. .

Gjyshja, atdheu, trashëgimia, çfarë janë për ju?

-Është atdheu . Është vendi ku unë kam lindur. Është anatomia e artistit. Është jeta e artistit. Sa më shumë të kalojnë vitet, aq më shumë ai rikthehet.

Është e pakundërshtueshme që ju jeni një nga piktorët më punëtorë dhe në detajet që i keni spikatur në vizatimin e gjyshes janë duart, ato duar të ënjtura nga puna, të latuara nga puna, duart e përfunduara në një vepër arti nga puna e madhe. A është ajo një frymëzim dhe një shembull për ju?

-Faleminderit. Gjyshja ka qenë një nga personazhet e mia në kohën e adoleshencës. Unë erdha në Tiranë të bëja liceun dhe jetoja në shtëpinë e saj. Ajo ka qenë modeli im. I thosha “hajde të pikturojë pak” dhe ajo rrinte e pozonte e palodhur. Madje ndonjëherë edhe e zinte gjumi nga lodhja e punëve. Unë i thosha “hapi pak sytë” dhe vadja e vizatoja. …

E mban mend numrin e ekspozitave?

-As të çmimeve, as të ekspozitave, nganjëherë e humbas atë sensin e numërimit, sepse ka nisur të vihem edhe në siklet, sepse ka edhe të rinj që punojnë fort, dhe duhet t’u lë radhë atyre. Është edhe këtë herë që unë fitova “Oskarin” e karikaturës në Turqi, një event ndërkombëtar, …

A e ke fituar edhe njëherë këtë?

Po. Kjo është hera e dytë. Këtë herë e fitova me atë afrikanin në det që ngrihet si mur mbi det, duke parë me sytë nga ne. Ndërsa pak vite më parë e kam fituar me veprën që një njeri i vogël, liliput, u vinte flakën këpucëve të lustrosura. Por, ja pra, kështu është ne Europë, çmimet nuk merren nga emri apo nga njohja, gara është gjithmonë një garë e drejtë.

Agimi Sulaj, rikthimin e pareshtur në atdheun e tij e sheh si rilindje për të vazhduar të ardhmen dhe ditën e tij të re, që lidhet në një mënyrë të pazgjidhshme me rrugët e fëminisë, me njerëzit e thjeshtë, me dashuruesit e mëdhenj, me mesazhet e tyre.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje

Kosovë/ KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje