Mendimi u formësua në veprën skulpturore, e cila siç dëshmon autori është bërë për festën e emigimit për t’u vendosur më pas në aeroportin e Riminit në Sallën e Pritjes. Pritej të vendosej valixhia... por ajo nuk gjendej. Punët nuk shkuan mbarë dhe ndodhi “çudia humoristike”: - në aeroport, ku kontrollohen edhe qeskat më të vogla, valixhja e piktorit tre me dy metra humbi dhe u zhduk. E kishin vjedhur...! Asnjë polic apo shef policie, drejtor e askush tjetër nuk dinte gjë për fatin e saj. Piktori ka bindjen se valixhja është diku. Në Rimini ka me mijra hotele dhe disa drejtues të aeroportit ishin edhe drejtorë hotelesh...
Sa mirë do të ishte ta kishim në Mëmëdheun tonë, si simbol të dhimbjes së madhe që shkakton emigracioni... “Të gjithë jemi emigrantë” - kumton Artisti i Madh.
Në vitin e largët 1990, Agim Sulaj do të largohej për në Itali dhe shoqërues kishte vetëm një valixhe. Njësohej ajo me dhimbjen e largimit, ishte një copë tokë, një ëndërr e mbyllur, brengë e trishtim, strehë dhe kujtesë, ishte vetë Mëmëdheu, ku ai lëshoi rrënjët për t'u bërë Artisti, që është sot. E shtrëngonte fort në dorë, sepse brenda saj kishte një pjesë të qenies së tij artistike, një tufë me karikatura, me të cilat do të hapte një ekspozitë. Dhe mbeti aty në Rimini.
Një valixhe, objekt kaq i rëndomtë dhe i zakonshëm vjen nga thellësia, kur gjithë njerëzimi ishte një grumbull emigrantësh, të cilët endeshin për mbijetesë. Është mjeti i parë që krijoi njeriu i lashtë në formën e një trajseje. Me të mbante ushqimin, veglat e punës, “pasurinë”, duke u shndërruar në një domosdoshmëri. Nga ana tjetër, valixhja mori sinonimin e “ecjes” në kohë, dmth hapësirë. I mbijetoi kohës dhe sot është objekt modern si pjesë e udhëtimeve dhe diç më shumë.
Kushdo e dëshiron “thyerjen” e kufirit me një valixhe në dorë. Është si të kalosh ylberin. Kufi që ndan dy botë. Ferri dhe Parajsa. E shkuara dhe e ardhmja. Jeta dhe Vdekja. Gjithë jeta është një valixhe në udhëtim. Njeriu gjithmonë, jo thjesht ka ëndërruar të udhëtojë, sepse jeta është lëvizje dhe kjo dëshmohet që nga prehistoria, grekët e sintetizuan me udhëtimet e Odisesë, apo Diogjeni modern, që jetonte dikur në një vozë, ndërsa bota arabe me “Një mijë e një netët” të Simbad Detarit, por në një kuptim bashkëkohor, piktori gjithë botën e qendërzon në një valixhe udhëtimi, në hapësirën e së cilës zhvillohet e gjithë drama njerëzore e ecjes drejt lirisë, diturisë, mirëqenies, kapjes së shtetit, qytetit apo vendit të ëndërruar dhe të dëshiruar.
Është një ikje si nga epidemia e pashpresë, ndaj "udhëtari" i radhës në gjetjen e Sulajt nuk ka fytyrë, nuk dihet se kush është, dmth është gjithësecili, që i është mbyllur dritarja e jetës në "shtëpinë" e vet dhe shikon dritën, shpresën në dheun tjetër... Ikin e ikin si në ikjen biblike. Një ikje që nuk ka fund dhe ndalje...etj., etj.
Të kalosh diku gjetkë, ku ëndrra për jetën është më e bukur, është shtrirë e mbledhur kruspull në mendjen e shumë njerëzve, grupimeve, që e kërkojnë me ngulm, me forcë, me pasion të çmendur.
Në këtë përpjekje epike gjithëkohore dhe gjithnjë e pranishme, emigracioni merr një përmasë të re, që në thelb mbetet i njejtë: - një ëndërr për t’u realizuar. Artisti kap e tejkalon kohën. Jemi të gjithë emigrantë të përjetshëm, sepse vetë jeta këtë kuptim ka. Lëvizja e popullsive do të sjellë përzjerrjen e kombeve, racave, kulturave në një botë pa kufi, edhe pse ende ëndërr...
Piktori e ka kthyer në emblemë, bashkëudhëtare. Gjetje e bukur, sepse shpreh më mirë se çdo gjë kohën. Të gjithë ëndërrojmë një valixhe, e cila mund të mbarte edhe kujtime, por në këtë rast, mbart dashurinë për një shans të ri, për një jetë tjetër, për një... që mund të jetë çdo dëshirë, që ka njeriu sot, kur kufijtë kërkohet të jenë thjesht kordinata përcaktuese tatimore, se sa shprehje identiteti nacionalist.
Artisti valixhen e trajton me seriozitetin më të madh, si urë kalimi nga lufta në paqe, "komardare shpëtimi" në detin e trazuar, "kalim diplomatik", “ka lëshur rrënjë”, “anije shpëtimi” etj., etj. Si simbol është bërë një lloj "pasaportë" në mjediset jo vetëm të porteve, aeroporteve, pikave doganore, por kudo ku jepet mundësia për të kaluar.
Në ekspozitën, e sivjetshme, të hapur në "Plaza", në kryeqytet, Sulaj ndërmjet punëve ka sjellë nga Italia, edhe origjinalin, titulluar "Refugjatët", fituese e çmimit të parë në Angli, në konkursin ndërkombëtar të vizatimit "Derëent Art", me vlerën e 6000 paundëve anglezë. Fillimisht ka marrë çmim në Portugali më 2011, i realizuar në letër me akrilik për të vijuar rrugën drejt vlerësimit të madh.
Çmimi dëshmon vlerën e Shkollës Shqiptare, dhe mësuesve të saj, "apostuj të artit" kanë nxjerrë vizatues tejet të talentuar.
Përtej informacionit të mësipërm, shikuesi ndalet gjatë në këtë kompozim, duke kundruar me kërshëri lëvizjen e lapsit në letër, një lëvizje që në gjurmën pasuese, ndjen masën në volume, peshën dhe ngjyrën në materializim, lakonizmin e linjës dhe zhdërvjelltësinë në futjen dhe sendërzimin deri në imtësi të vogla, karakteristikë e artit hiperealist të Sulajt, nga të paktët artistë shqiptarë, zhvilluar me aq sukses prej tij.
Vlera estetike e një skulpture rritet kur në materialin e baltës dhe më pas të derdhur në bronx apo tjetër, ndjen mollëzat e duarve të skulptorit apo heqjet e stekës në gërryerjen e formave. E njëjta gjë në vizatim, kur shikuesi në të ndjen jo thjesh linjën, por bashkë me të edhe drithërimën e gishtrinjve të piktorit, nervin e artistit në shkitjen dhe heqjen e linjave dhe mbushjeve me brishtësi, diku e forcon, duku e fshik lehtazi, duku e ndal papritur si një enigmë, duke e lenë shikuesit ta plotësojë. Tashmë lapsi nuk është thjesht i tillë, bëhet me laps e nuk duket si laps, duke u futur ne qerthullin e lojës së vizatimit.
Punë e mbajtur gjatë me ditë, javë e muaj, ndërtim pas ndërtimi, pa u ndalur deri në mbylljen përfundimtare e shteruese, ku tashmë nuk mund të vihet më asnjë pikë më shumë.
Befasia goditëse vjen edhe nga përmasat e mëdha të kompozimit (170x150 cm). E gjithë silueta e valixhes pritet e del në dritë nga sfondi i bardhë i letrës, duke i rritur monumentalitetin kompozimit.
Loja në ngritjen e një grumbulli njerëzish mbërthyer pas direkut të anijes me një velë të grisur si flamur, pa identitet, se i tillë është refugjati dhe i shpërfaqur në të gjithë popujt e botës, pavarësisht se frymëzimi vjen nga drama e madhe shqiptare, forca e ekzekutimit e ka kthyer në një emblemë të refugjatëve kudo ku ata ndodhen. Veprat e mëdha shkojnë përtej kufijve të vetë krijuesit dhe vendit që i përkasin.
Kompozimi na kthen në fillesë të njerëzimit si popuj emigrandë, por tashmë e zhvillojnë betejën e jetës mbi sipërfaqen e valixhes, kthyer në një tallaz deti të egërsuar, që kullon anëve të valixhes.
Të sillet ndërmend tabloja "Trapi i meduzës" i Theodore Gericault, sepse vazhdon ikja e mbytja e saj apo foto e Joe Rosenthal, e cila u kthye më pas “Monumenti i trupave marinse” nga skulptori Felix de Ëeldon, por tek Sulaj ndeshim dramën e madhe të sotme, jo thjesht shqiptare por edhe italiane të shekullit të kaluar, irlandeze, franceze, angleze, spanjolle... apo afrikane të sotme, dramë si plagë, ëndërr e pagjumë, dëshirë për t'u kryer drejt një jete më të mirë, emigracion që e bën botën më të afërt, më të dashur, të të gjithëve dhe pa kufinj...
Ja pra, një laps bën mrekullinë, por duhet të jesh mjeshtër si Sulaj për ta përmbushur... Artisti dëshiron ta vendosë në Lungomaren e Vlorës, vendi me dramën më të dhimbshme të refugjatëve me Tragjedinë e Otrantos.
Artisti mendon dhe gjen. Objektet e paraqitura në telajo janë më së të zakonshëm dhe të thjeshtë. Valixhja ka një cikël të plotë. Vijnë si gjetje pas gjetjesh dhe kur mendon se u shteruan, Sulaj do të gjejë dhe krijojë diçka të re. Përsëri e përsëri i kthehet e rikthehet. Tashmë valixhja është një "personazh vizual".
Piktori Agim Sulaj Sulaj e ka shtruar rrugën artistike, në fëmijërinë dhe rininë e hershme. Ende pa mbaruar studimet e larta, boton karikatura e para në shtypin e kohës. Ato bien në sy për gjetjet e veçanta në interpretimin e humorit. Me anë të ndërtimit të fabulave pamore, të thjeshta e kuptimplote, të rrokshme nga syri dhe tejet të kuptueshme, fshikullon vese e zakone, dukuri dhe shfaqje negative të jetës. Ato dëshmuan, jo vetëm talentin, por edhe ecurinë e mëvonshme. Është nga piktorët karikaturistë dhe lidhja e ngushtë e tyre bëj të japin e marrin nga njera tjetra.
Karikaturat u bënë me ngjyra, kryesisht akuarel dhe më pas u kthyhen tablo të plota kompozicionale trajtuar në teknikën e vajit, në kompozime të mirëfillta. Ato largohen shpesh karikaturës klasike, nuk janë thjesht shpërfytyrime gazmendi, por mbajnë gjallë kundërvenien e domosdoshme në ngritjen e dramës artistike.
Ndonëse ruan frymën e ironisë therëse, qëndërzimin dhe goditjen e fortë të ngjarjeve, fonomeneve dhe dukurive, që shfaqen në shoqërinë njerëzore, piktori nuk niset nga konceptet e shpërfytyrimit të formës, por të thelbit të shprehjes së formës me të cilën i dha karikaturës një përmasë të re nga pikpamja artistike në realizime më të thella ideore.
Sulaj ka një art të angazhuar në dhënien e shqetësimeve të kohës, qofshin ato politike apo shoqërore. Në laboratorin krijues ka plot “lojra” me fantazi, të cilat i derdh në telajo herë pas here, duke arritur në përthyerjen e realitetit dhe fenomeneve. Dhuron jo thjesht kënaqësi dhe të qeshura, por mbi të gjitha na bën, ta vemë gishtin në kokë dhe të mendojmë, se si mund ta bëjmë më të mirë shoqërinë njerëzore. Ajo që shpreh artistikisht në vepra kanë një shtrirje dhe përhapje kudo në botë dhe kjo është një vlerë tjetër e shtuar e artit të tij, sepse gjithmonë godet me tema të përgjithshme. Autori sjell shqetësimet e mëdha të kohës, si shprehjen e lirisë, dënimin e varfërisë, pabarazinë njerëzore, kërkon bashkimin e popujve, drejtësinë e shtetit, dënimin e politikanëve, që karrigen e pushtetit e përdorin për t’u kolovitur dhe si mjet pasurimi etj, etj.
Sulaj si rrallë artist, është vizatues i lindur, skrupuloz deri në imtësi, "gërryes" dhe zbulues i formave, me një linjë të brishtë, tejet të ndjeshme, vëzhgues dhe sintetizues i ndërtimeve të sakta dhe të qarta, seleksionues i atyre formave plastike, që japin domethënien e personazhit. Mbi të gjitha dashuria dhe ngrohtësia në ndriçimin dhe përçimin e tipareve njerëzore.
Linja nuk është thjesht një vizë e hedhur në letër. Ajo mban brenda vetes magjinë e shndrrimit të saj në plastikë, formë, volum, material, lëvizje dhe emocion. Kënaqësi të endesh në "udhëtimin zbulues" të Mjeshtrit Sulaj !
Sulaj është nga portikët më të spikatur të ngrehinës së Artit Shqiptar, artist i kultivuar, mendjemprehtë, thumbues, kompozitor i larmishëm, artist i mirëformuar, por së pari Njeri i mirë e Mik i vyer, që gjithmonë do të gjejë e krijojë diçka, që forcon dashurinë për jetën nën humorin e hollë të gazmendit, e bën botën më të bukur, sepse më mirë në një botë të varfër që qesh, se sa në një botë të pasur, ku lotët e mërzitjes na mbysin dëshirën për të jetuar. Edhe pse duket si një mes i artë, pra në mes të gëzimit dhe hidhërimit, kompozimi të shtyn në zgjidhjen e mëdyshjes dhe të detyron të shkosh drejt të qeshurës, gëzimit të jetës... Thua: - hej, e qeshura grafike rron se e kërkon vetë njeriu, sepse pa të bota do të ishte një nursëze e keqe.
Shpesh punimet e artistit të venë para mëdyshjes: - Të qeshësh apo të qash ? Simbolika shpërthyese të bën të mendosh, të shtyn në revoltë dhe në fund të gjesh një zgjidhje për jetën... Gjithë jeta është si një gotë pije, të cilën duhet ta pish deri në fund dhe pasi ta kesh pirë të tërën, shkunde, se mos ka mbetur ndonjë pikë dhe pasi ta pish edhe atë, flake tutje gotën, se të ka ardhur koha të ikësh nga kjo jetë...
Piktori gjithmonë arrin të befasojë në gjetje dhe vetë arti në thelb është befasia e gjetjes, bërjes, trajtimit dhe idesë e mesazhit që përçon. Të gjitha janë të përmbledhur thukshëm në krijimtarinë mbresëlenëse. Nuk është më shumë produkt i shkollës se sa i një ndjesie të brendshme, të lindur që shfaqet herët tek fëmija në aftësinë për të vizatuar.
Artisti shkon e vjen nga Italia në Shqipëri. Është një ritual i përvitshëm, i bukur, i dhimbshëm, ndalon në Vlorë, në vendbrengën me valixhen e kujtimeve të bukura. E ka në shpirt dhe herë pas here ajo e zgjon nga limontia e jetës, e thërret me forcë, e shtyn të marë penelat dhe të bëjë kompozimin e ardhshëm, si në një udhëtim kujtimesh të pafundme në rrugën e jetës...
“Arti, shprehet piktori, më vjen si nga lart dhe në se vëzhgimin e pikturës e kam të menduar dhe filloj dhe e bëj mbi bazën e një teknike në thonjza “të rreptë”, se hiperealizmi dhe realizmi përveç, që e kultivojnë frymëzimin për ditë, nuk e jep menjëherë, se nuk është pikturë impresioniste, që mund ta bësh për dy orë, unë e kultivoj gradualisht në tre – katër orë çdo ditë në detaje, me penela të vegjël në teknikën si “të gjallë” të gjërave, ia kaloj edhe karikaturës dhe kjo e bën edhe të vlefshme, por si mesazh. Karikatura më vjen si nga lart dhe çuditërisht jam më i zgjuar si piktor dhe karikaturist, se sa si qytetar”.
Fjala e piktorit është talajo, “fushbetaja”, ku ai zhvillon e ngre idetë, zbërthen kohën dhe ndërton kompozimet. Me krijimet e tij artisti u ka paraprirë edhe shumë ndodhive të mëpasme, siç ishte rasti i daljes së Anglisë nga Europa, ai krijoi një karikaturë ku e shfaqi këtë gjë. Ai jep mesazhe dhe mesazhet e tij kapen e përditësohen në fitimin e konkurseve të shumtë.
Italia ka me qindra artistë, ku gjithkush ul kokën para tyre, e megjithatë ata e kërkojnë Sulajn, duan ta fusin në Historinë e Artit italian, ndaj në të gjitha shkrimet për të shprehen, "piktori nga Rimini me origjinë shqiptare. Jo. Agim Sulaj është Piktor i Madh shqiptar, që banon në Rimini.
Koha ecën dhe bashkë me të edhe marrja e çmimeve në të gjithë botën: Itali, Francë, Angli, Belgjikë, Gjermani, Rusi, Greqi, Kroaci, Kosovë, Luksemburg, Turqi, Azerbaxhan, Siri, Iran, Kinë, Siberi deri në Kombet e Bashkuara, Amerikë, Kanada... një listë e gjatë, e pafundme... një kurorë nderi e vlerësimi... duke u bërë një nga ambasadorët e mirë të artit e kulturës. Për të shkruajnë gazeta, revista dhe i japin çmime anekënd, veç kjo nuk ndodh në dheun e tij... Asnjë çmim. Asnjë vlerësim nga Shteti, aq dorëlëshuar me shumë e shumë të tjerë, që nuk kanë as peshën dhe as vlerësimin e Sulajt.
E trishtë, por ai nuk shqetësohet. Historia është e mbushur me shembuj të shumtë.... Hap ekspozitë pas ekspozitë, vijnë shikues të thjeshtë, admirues të shumtë krejt të panjohur, që e kanë ndjekur artistin në krijimtarinë e tij, duan të bëjnë një foto me të dhe ai buzagaz qëndron e falenderon... E ka gjetur rrugën me kohë dhe e ndjek. Të tjerët duhet t’i vinë pas...
Agim JANINA, Studiues Arti
[gallery]25187[/gallery]
d.c./shqiptarja.com