TIRANE- Pas agjencisë vlerësuese Standard&Poor’s, edhe simotra e saj Mood’ys, e para që ka ndërmarrë një vlerësim të ekonomisë shqiptare publikoi dje analizën e saj vjetore, duke konfirmuar nivelin “e qendrueshme” për të. Sipas analizës vjetore, konsolidimi fiskal i ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe marrëveshja 3-vjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar kanë balancuar përkeqësimin fiskal të vendit në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor të vitit 2013. Masat e reja ofrojnë një përgjigje të rëndësishme kundrejt rënies së forcës fiskale, veçanërisht në lidhje me gjenerimin e të ardhurave, ku, megjithatë, vlerësohet se Shqipëria vazhdon të performojë më dobët se fqinjët e rajonit.

Agjencia ka mbajtur të pandryshuar nivelin “B1” për Shqipërinë, me këndvështrim perspektiv “të qendrueshëm”. Ndërkohë, marrjen e statusit të vendit kandidat për antarësim në Bashkimin Europian  Moody’s e cilëson si një zhvillim pozitiv.

Sipas agjencisë, Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit dhe në reformën gjyqësore, edhe pse procesi i konvergjencës me standardet e Bashkimit Europian është ende i gjatë. Moody's pret efekte të tjera pozitive me integrimin në Bashkimin Europian, që ka vërtetuar se është një faktor i rëndësishëm i flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Sfidat kryesore të kreditimit të Shqipërisë kanë të bëjnë me raportin e lartë të borxhit me Prodhimin e Brendshëm Bruto, që parashikohet të rritet në 73% në vitin 2015, me nevojën e lartë për huamarrje në vitin 2015 dhe me maturimin e eurobondit 300 milionë eurosh, që duhet të rinovohet në nëntor 2015.

Nga Shqipëria kërkohet progres në reformat strukturore, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit, forcim të të drejtave të pronësisë dhe efikasitet të Gjyqësorit. Moody’s paralajmëron se një dështim i përpjekjeve për të stabilizuar deficitin fiskal dhe nivelin e borxhit do të sillte ulje të vlerësimit për Shqipërinë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)