Në hyrje të podkastit “Flasim”, teksa kryeministri Edi Rama po komentonte sot zhvillimet e fundit lidhur me gjyqtarët e prokurorët në vend, ai tregoi dhe një ngjarje të ndodhur së fundmi në kryeministri.
Rama tha se disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), trokitën në derë dhe se nuk pranuan që të dorëzonin armën, referuar rregullores së sigurisë së lartë të Gardës së Republikës. Çështjen për të cilën agjentët e BKH kishin shkuar në kryeministri, Edi Rama nuk e sqaroi.
“Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës”, tha ndër të tjera Edi Rama.
Në një reagim zyrtar, Prokuroria e Posaçme sqaroi se për episodi për të cilin flet kreu i qeverisë ka ndodhur më 20 nëntor të këtij viti, kur 3 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan të Kryeministri për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar nga Gjykata e Posaçme për zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
SPAK sqaron se "në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit. Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale. Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës".
Më 12 dhjetor, zv.Kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës Kushtetuese u rikthye në detyrë. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor. Gjykata ka vendosur të merrë në shqyrtim ankimin e Kryeministrit Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra, pasi u mor e pandehur për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, si edhe po hetohet për shkeljet me tenderin për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ditën e sotme në podcastin e tij "Flasim" se disa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë refuzuar të dorëzojnë armët e shërbimit, bazuar në rregulloren e Gardës së Republikës, kur kanë tentuar të hyjnë brenda Kryeministrisë.
SPAK sqaron se për episodi për të cilin flet kreu i qeverisë ka ndodhur më 20 nëntor të këtij viti, kur 3 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit shkuan të Kryeministri për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar nga Gjykata e Posaçme për zëvendëskryeministren dhe ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Gjithashtu, në reagim theksohet se "pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale."
Reagimi i plotë:
Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:
Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.
E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.












