Trimoshat e BKH-së shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale.
Kështu u kundërpërgjigj kryeministri Edi Rama pas sqarimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit se 3 agjentë të saj shkuan të godinën e qeverisë më 20 nëntor për të ekzekutuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar nga GJKKO ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe se në hyrje të kryeministrisë dorëzuan armët e shërbimit te punonjësit e Gardës pa asnjë debat, ndryshe nga çfarë pretendoi kreu i qeverisë ditën e sotme në podcastin e tij "Flasim".
Kundërpërgjigjia e Edi Ramës pas sqarimit të BKH-së:
"Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale - thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.
Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit."
Lajmi kryesor:
Rama: Trimoshat e BKH s'donin të dorëzonin patllaken te dera e Kryeministrisë! SPAK: Hetuesit ishin për pezullimin e Ballukut, armët u dorëzuan pa debat! Kundërpërgjigjet kreu i qeverisë












