AGPK: Kuvendi shtyp lirinë e medias

AGPK: Kuvendi shtyp lirinë e medias
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) nërmes komunikatës thotë se është alarmuar nga forma e kalimit në Kuvend të Projektkodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ata shtojnë se projektkodi, ashtu siç është votuar sot nga Kuvendi i Kosovës përdhunon, shkel dhe pamundëson Lirinë e Shtypit.

"Projektkodi Penal i Republikës së Kosovës, i sapovotuar nga Kuvendi i Kosovës, është veprim antidemokratik dhe i paparë në asnjë vend me standarde evropiane, të cilat pretendon t`i arrijë Kosova. Është e çuditshme se si deputetët nuk kanë respektuar asnjë pikë të marrëveshjes së arritur ndërmjet AGPK-së, shoqërisë civile dhe Komisionit për Legjislacion, marrëveshje e cila është përkrahur edhe nga sponzoruesi i këtij Kodi, Ministria e Drejtësisë." thuhet më tej në komunikatën e AGPK-së. 

AGPK ka rekomanduar që Neni 37, i cili flet për përgjegjësinë e autorëve, kryeredaktorëve, botuesve dhe të tjerëve, të largohet nga Projektkodi Penal. Ky nen rregullon përgjegjësinë e redaktorëve për një vepër penale që nuk është e përcaktuar me vetë Projektkodin Penal. Për më tepër, përgjegjësia e personave juridikë rregullohet me ligj të veçantë dhe AGPK nuk e sheh të nevojshme që vetëm për mediat të parashihet përgjegjësi penale shtesë. Përgjegjësia e tillë vetëm sa mund të keqpërdoret nga sistemi i drejtësisë. Në Kroaci dhe në Shqipëri një përgjegjësi e tillë nuk parashihet fare në kodin penal dhe kjo nuk i ndalon gjykatat që të kërkojnë përgjegjësi nga mediat.

Gjithashtu, AGPK ka kërkuar që mbrojtja e burimeve, që është paraparë me Nenin 38, të ndryshohet. Sipas këtij neni, gjykata mund të kërkojë zbulimin e burimeve kur gazetari shkruan për vepra penale, si degradimi i integritetit seksual, ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, përvetësimi në detyrë, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.

AGPK më tutje i bën thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të kthejë këtë ligj prapa në Kuvendin e Kosovës dhe të mos e nënshkruajë një akt që fundos demokracinë dhe Lirinë e Shtypit në Kosovë.

AGPK paralajmëron se përmbajtja e tillë e Kodit Penal është dhe do të mbetet e papranueshme për komunitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

Edhe deputetja e Vetëvendosjes, Alma Lama, në një konferencë për media tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës me këtë ligj instaluar shtetin diktatorial i cili shantazhon lirinë e mediave, të gazetarëve redaktorëve, kryeredaktorëve, botuesve. 
Lama mbrojti ish kolegët e saj gazetarë duke kritikuar Kuvendin e Kosovës që ia mundëson organeve të rendit dhe drejtësisë t'i detyrojnë gazetarët që të nxjerrin dhe tregojnë burimet e tyre, duke u vështirësuar punën që në të ardhmen të publikojnë materiale që nuk i shkojnë për shtat qeverisë dhe pushtetit.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ 20-vjeçari i dehur në timon, përplas 6 mjete! Merr gjobën e majmë (FOTO)

Sarandë/ 20-vjeçari i dehur në timon, përplas 6 mjete! Merr gjobën e majmë (FOTO)