Agron Gjekmaraj: Aurel Plasari 'ecce homo'

Agron Gjekmaraj: Aurel Plasari 'ecce homo'

Aurel Plasari

Nuk më befasoi lajmi se të premten në ora 12, Aurel Plasari dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin e lartë "Gjergj Kastrioti-Skenderbeu" por më shtyu drejt këtij shënimi të sotëm.

Lumi i dekoratave ka vërshuar rrëmbyeshëm nga të gjithë Presidentët shqiptarë të tranzicionit.

Jo gjithmonë ato janë shpërndarë sipas meritës e sëres. Ndonjëherë shkëlqimi i tyre në gjokse që se mbanin dot atë peshë i ka veshur me komizëm dhënësit e marrësit.

Një spikamë madhështie për luftërat e pa bëra, për trimëritë e pa kryera, për kontributin e pa dhënë, per veprat pa vepër brenda duket mbi ballin e disa elementëve të shoqërisë sonë tanimë faktor ekonomik e politik të cilët lobojnë për të shpërblyer protagonizmin e tyre me medalje të ndryshme.

Presidentet tanë, produkte të këtij ambienti nuk i kanë shpëtuar kësaj ngasjeje e tundimi celebrues.

Por rasti i sqimatarit më të madh të kulturës shqiptare, dendit të saj mbi fronin e sulmuar, Profesor Aurel Plasarit është ndryshe, krejt i pakrahasim. Plasari na ka kujtuar shpesh se druri prej të cilit është latuar Pinoku është natyra njerëzore. Punëtori i fjalës që gjithë mëngjesin mund ta kalojë për të vënë një presje dhe gjithë pasditen për ta hequr duke i dhënë sharm të bukures stilistike. Burri që dyshon gjithmonë e për gjithçka si kërkues i epërm i gjenezës së fenomeneve atij që latinet do ta thërrisnin " de omnibus dubitandum" në kërkim të vërtetash formidabile.

Atij asnjë dekoratë nuk ja bën më të madhe dukjen e peshen, asnjë sosh nuk i shton gjë, e as nevoje për to nuk besoj se ndjen, por është rasti me thënë qe prej tij marrin seriozitet, stabilizojnë autoritetin e lënduar, urdhërat, stemat vete dekoratat.

Kur një si Plasari e pranon atë, ajo krijon një kanon , një standart, një lakmi civile legjitime e të shtuar. Askujt më shumë se atij , a thua si e bërë enkas për të, nuk i rri mirë , begenisja shteterore që mban emrin e Mbretit Gjergj -shqiptarit më themelues e më akumulues me identitet , emocione, lavdi e kumt.

Pse më shumë se askujt?! Pothuaj 20 vjet nga jeta e tij krijuese i ka kushtuar kërkimeve mbi heroin tonë kombetar , Arberisë së tij, familjeve arbërore, rrëzëllimit të arbërit në histori, kohëve të më pasme pask ikjes së Gjergjit , "gjakut të shprishur" , jehut të atyre moteve të papërsëritshme mbi të cilen shqiptaret dolen komb e shtet me vete!  Një sërë veprash grishese , imponuese plot thagmë e thelb, asht i pathyeshëm ku historia e albanologjia ngjisin mishin e vet.

Por mbi të gjitha si për të kulmuar rreth 600 vjet histori nga viti 1405 e këtej " Skenderbeu -një histori politike" si vepër e kryer a kryevepër do të ndihmojë në jetë të jetëve shqiptaret për të kuptuar e lexuar vetveten sa herë që nevoja për vetëkonservim e transformim do të shfaqet.

Një moment si ky, kur ndien nevojen për të thënë diçka është e pamundur ti shpetosh retrospektives. Unë kam qenë një student i Aurel Plasarit në vitet 94-96 dhe kam qënë me shumë fat të ndjek leksionet e tij mbresëlënëse, të ndryshme, oh sa të ndryshme nga të tjerve, por edhe të kem miqesinë e tij.

Në kohen kur një shkollë kulturore siç ishte " realizmi socialist" po shëmbej me tam tamet, folklorin patetik, dëmet e veta teksa etërit e saj tentonin të dominonin lirinë, në mes të asaj rrëmujë kundërthënese shfaqej Profesori bir i kultures pa izma. Të shumta kanë qënë netët ku pothuaj e gdhinim së bashku me Mark Markun, Gezim Gurgen e Prof Aurelin kafeneve të Tiranes. Të pafundme kërsheritë, të pafundme bisedat per të fshehtat e tekstit, për letërsinë e krahasuar, përkthimet, Fishtën, Konicën, Harapin, Merxhanin, Mit'hat Frashërin e shumë e shumë të tjerë dhe për mua shkolla e vertetë apo kujtimi më i madh i saj ishin ato biseda.

Çfarë nuk mbyllej aty vazhdonte në redaksinë e "Hyllit të Drites" me At Zef Pllumin drejtorin e saj dhe kryeredaktorin Aurel Plasari që për një student 20 vjeçar, i etur per të nxënë ishte maksimumi që me shënjoj jetën dhe zgjidhjet e mëvonshme.

"Frati i kujtimeve" dhe Plasari ishin dyshja më antikonformiste e Kryeqytetit. Për mbi 10 vjet ata ndërtuan një shkollë mendimi e kulture, luftuan mentalitetin ideologjik të sundimit mbi kulturën duke i kundërvënë sistemin e hapur. Botuan, promovuan folën për të ndaluarit e mëdhenj duke tentuar që pas "rishfaqjes së vijes së Teodosit" përmes shembullit të tyre shqiptarët t'ja mbanin kah oksidenti.

Personalisht pa pretenduar se ja kam arritur jam munduar të mësoj nga të menduarit, të shprehurit dhe të shkruarit e Aurel Plasarit ! Mbase na magjepsi jo vetëm për volumin e dijeve por edhe se ai e shkruan shqipen me bukur se kushdo tjetër.

Përkthyes i shumë kryeveprave botërore, autor i shumë librave dhe eseve, me të cilat ka ndarë e bashkuar me shizma ndërgjegjeje, mendimtar e profesor Aurel Plasarin shpesh e kanë dashur në krah. Janë gëzuar kur e kanë patur e sulmuar kur kjo s’ka ndodhur!

E kanë gjykuar sa herë ka bërë një zgjedhje apo ka marrë një vendim, sa herë ka shfaqur anësi e pa anësi por të gjithë kanë rëndur me atë kënaqësi që jep leximi pas çdo libri apo shkrimi të tij duke ja njohur statusin e epërm të njeriut "homo meditans" që bashkohësinë tonë ënde e humanizon, ënde i jep shpresë dhe i përkufizon horizontin e pritjes.

Nuk e di kush do jetë në ceremoninë e nesërme! Nuk e di kë ka ftuar Profesori të cilin e falënderoj për shënjimin personal që më ka bërë, por do ishte në nderin e burrave të shtetit shqiptar nëse ka ënde të tillë të jenë nesër aty duke respektuar kësisoj veten raportin me vlerat, kulturën dhe historinë me personalitetet qe kalojnë kuthtas si dhuratë e Zotit në këtë vend, që askush si Aurel Plasari nuk i misheron!

Ecce Homo u tha Ponc Pilati hebrejve duke drejtuar gishtin mbi Krishtin e kamxhikosur e të përgjakur.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja