Ajo që nuk kupton Kurti dhe ndjekësit e tij

Ajo që nuk kupton Kurti dhe ndjekësit e tij

Albin Kurti

Më 24 shkurt 2022 gjithçka ndryshoi, bota nuk ishte më ajo që kish qenë. Atë e ndryshoi njëherë e përgjithmonë pushtimi rus i Ukrainës.  U dëgjua po në këtë ditë, kjo e vërtetë tronditëse, fillimisht të pohohej nga Liz Truss, atë kohë Ministre e Jashtme e Britanisë. Më pas, orë pas ore, në Europë u pa qartë nga kushdo se ata, rusët, nuk do ndalonin aty, nëse nuk do i ndalnin!

Albin Kurti nuk arriti të dëgjonte krismat e luftës dhe as të kuptonte se gjërat nuk ishin më si më parë, se po ta kuptonte nuk do merrej me targat e automjeteve, të cilat mendonte dhe mendon ende se i heqin sovranitetin?! Diplomacia europiane dhe amerikane ju përgjërua të hiqte dorë se nuk ishte koha për sipërmarrje të tilla që nxisnin konflikte e dëmtonin klimën, në mos të paqes, të qetësisë relative.

Pas agresionit imperialist të Rusisë për pushtimin e Ukrainës, gjithë Europës i hynë drithmat, por veçanërisht Moldavisë e tre vëndeve baltike, dikur ish pjesë e perandorisë. Aleatit të Putinit në Serbi, Vuçiçit, ju ngjallën shpresat se “botës serbe” i kish ardhur dita, çka linte të kutohej një Ballkan në zjarr. Ndërsa pritej rënja e Kievit dhe Zelenskit e familjes së tij Amerika i afroi strehim, ukrainasit, për habinë e të gjithëve, i vunë trimërisht gjoksin mbrojtjes së atdheut.

Kërcënimi bërthamor rus, kërcënimi i ndërprerjes së gazit rus, me të cilin Europa ngrohet e gatuan dhe kërcënimi i ndërprerjes së furnizimit me grurin ukrainas dhe rus, me të cilin ushqehet një pjesë e njerëzimit, u futi drithmat të gjithëve, por jo Kurtit!

Albin Kurti nuk i vuri re sa sipër, nuk ishin shqetësim për të, por së bashku me Osmanin donin me patjetër të bënin zgjedhje e të vendosnin sovranitetin në atë copën e tokës që nuk e kanë kontrolluar dot, si këta ashtu dhe qeveritë e mëparshme të Republikës së Kosovës. Vuçiç e priti me kënaqësi vendimin për zgjedhjet komunale në Veri, ndërkohë që udhëzoi përmes strukturave të tij të mos marrin pjesë në zgjedhje. Është tamam koha për trazira, të cilat do u japi fuqi e zë serbëve të këndojnë më me forcë këngën “Kosova është Serbi”. Ndërkombëtarët nuk mund t’i thonin Kurtit: mos i bëj zgjedhjet; ashtu siç nuk i thanë që t’i ngujoj “të zgjedhurit” brenda zyrave!

Urtësia e jetës politike kohë pas kohe ka mësuar nga historia, nga ku njerëzimi i kohërave moderne dallon dy luftërat boterore. Një e shtënë arme në Sarajevë, një aneksim tokash në Bohemi e Poloni për “botën gjermane”, e zhyten njerëzimin në lumenj gjaku e mjerim të paparë.  Prej kësaj urtësie, prej këtij mësimi nga historia, Europa e di se në Ballkan mjafton një shkëndijë për të ndezur një zjarr të madh. E pikërisht, në kushtet kur Europa e ka në kufi një luftë të egër, atë të pushtimit të Ukrainës, këtë zjarrin në Ballkan e ka të tepërt, tej mase të dëmshëm dhe, për më tepër, të panevojshëm. Nuk e do Europa, por Rusia e kërkon dhe e nxit me të gjitha mjetet. Një front i dytë lufte, veç asaj në Ukrainë, i vjen për mbarë vetëm Rusisë.

Është kjo arsyeja pse ndërkombëtarët janë nervozuar me qëndrimin e Albin Kurtit për të dërguar në veri forca policore në ruajtje të kryetarëve e selive të komunave. Një përplasje mes banorëve serbë dhe policisë ose, siç u pa më pas, me trupat e KFOR-it, mund të dilte e të dalë jashtë kontrollit, që do të thotë luftë; që do të thotë futje e trupave ndërkombëtare; që do të thotë pjesëmarrje aktive e Rusisë në konfliktin për mbrojtjen e vëllazërisë sllave! Pra, prishje e paqes në rajon!

Ajo që nuk kupton Kurti dhe ndjekësit e tij është se bota nuk është më viti 1999, kur Klinton dhe Bler ishin të vendosur të mos i lejonin më tej krimet e maskrat e Serbisë, siç kishin ndodhur në Bosnje e luftrat e tjera në procesin e ndarjes së Jugosllavisë; nuk kuptojnë se fuqitë e mëdha demokratike nuk kanë më përballë një Jelcin që endet mes avujve të alkolit, por kanë një satrap i cili i ka kërcënuar e vazhdon t’i kërcënojë sëbashku me Medvedev, me luftë termbërthamore. Para se të humbasë luftën-thonë në ushtrinë amerikane- ai, Putini, nuk do ngurroj t’i përdorë armët bërthamore! Dhe vjen kështu puna, që para se të shqetësohen se çdo bëhet me sovranitetin e Kosovës, me të drejtë mendojnë veprimet së pari për mbrojtjen e popujve të tyre, të ekonomisë së tyre. Ndodh kështu se janë burra me mend në kokë, ndaj popujt e tyre i kanë në krye!

Të kuptuarit e rrethanve gjeostrategjike, do ta bënin këdo të mendonte thellësisht për veprimet që ndërmerr. Vetëm një mëndjelehtë nuk do kuptonte dot se Europës dhe SHBA-së në këtë cepin tonë të botës tani i nevojitet përpos se qetësi, qetësi, qetësi! Nëse Kurt sovranisti e kupton, por bën të mënçurin, përpos se shfaq shkallën e tij të marrëzisë!

Afërmendsh që në këto rrethana, kur Kosova nuk dëgjon të bëjë çfarë i thonë, ndërkombëtarët do ledhatojnë Serbinë. Këtë do e bëjnë jo se i besojnë, por se duan t’i marrin hë për hë premtimin se nuk do i shtyjë më tej veprimet agresore, si në rastin e rrëmbimit të tre policëve. Me gjasa e braktisin dhe Kosovën, deri sa të zejë mend!

Dje në parlament Kurti edhe njëherë përsëriti, “…Asnjë kthim prapa as nënshtrim e as ndryshim të mendjes për të respektuar kushtetutën e vlerat europianë të shtetit tonë të pavarur”.

 Mëndjemadhësia vjen kaluar, por kthehet në këmbë-thotë populli.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Jon: 16/06/2023 22:57

    Lëre më mirë mos shkruaj kur nuk e di se për çfarë shkruan, Kurti i bindet ligjit të shtetit të Kosovës dhe është më e mira që bën. Është udhëheqës i përsosur dhe politikan i mirë i cili mendon vetëm vendin e tij, i heq kapelën

    Përgjigju
  • Gjergj: 16/06/2023 16:29

    Faleminderit pèr assgjè, Bajram Peçi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin