TIRANE – Aleanca KuqeZi (AK) ka shprehur sot shqetësimin e saj për situatën “që po përjeton flota shqiptare e peshkimit në kanalin e Korfuzit”. Përmes një deklarate për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i AK, Myslum Pashaj, denoncoi “skandalin e rradhës të qeverisë shqiptare e cila hesht përpara cënimit të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë”.

Sipas Pashaj, qeveria shqiptare “ka fshirë ligjet e brendshme të kufirit tokësor dhe detar me qëllim favorizimin e të tilla situatave ku Greqia të ndihet zot e ujërave shqiptare”.

Aleanca KuqeZi deklaron se “mesi i Kanalit të Korfuzit është vija e vërtetë ndarëse detare dhe shkelja e saj është cënim i hapur i integritetit territorial të Shqipërisë”.

“Flota e peshkimit shqiptar po ndjehet në detin e saj e kërcënuar dhe e pambrojtur nën trysninë e shtetit grek. Patrullimi i rojeve bregdetare të autoriteteve greke është një shkelje e hapur e integritetit territorial për të cilën shteti shqiptar duhet të marra masa urgjente” thuhet në deklaratën e AK.

(im/shqiptarja.com)