Akademia e Shkencave nis punën për tri vepra madhore albanologjike

Akademia e Shkencave nis punën për tri vepra madhore albanologjike

Akademia e Shkencave

Mblidhet Këshilli shkencor  i Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike, organi drejtues për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: «Enciklopedia shqiptare », « Fjalori i madh i shqipes » dhe « Historia e shqiptarëve ». 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë po vijon punën për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: « Enciklopedia shqiptare », « Fjalori i madh i shqipes » dhe « Historia e shqiptarëve ». 

Në kuadër të projektit madhor të hartimit të tri veprave të sipërpëmendura, që përbën një nga drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2021 e në vazhdim, këtë të hënë, më 22 shkurt 2021, u organizua në mjediset e ASH-së një takim pune për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ngritjen e strukturave kryesore e atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave madhore. 

Të pranishëm ishin anëtaret e këshillit: prof. Emil Lafe, akad. Ilirjan Malollari, akad. Jani Thomai, prof. Valter Memishaj, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Dhimitër Haxhimihali dhe drejtori ekzekutiv i QBAE-së prof. Irakli Koçollari.

Ndërsa janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve e në konsultim me ASHAK-un, si dhe është konfirmuar miratimi i tyre në parim, në takimin e kësaj të hëne u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse, me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre.  

Për të tria veprat u diskutuan format e bashkëpunimit me institucionet e tjera, nevojat për infrastrukturë e personel ndihmës. 

Hartimi i « Historisë së shqiptarëve » u vlerësua që mund të fillojë punë shumë shpejt e të realizohet në kohën e parashikuar, duke u theksuar se ka mjaft të dhëna, prova e dokumente të reja që bëjnë të domosdoshme shkrimin e saj.

Puna me « Fjalorin e madh të shqipes » do të nisë së shpejti. Në këtë vepër do të ketë mbi 100.000 zëra leksikografikë (mbi 90.000 fjalë dhe mbi 10.000 njësi frazeologjike). 

Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij: fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira e frazeologjike, lidhje paradigmatike, të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike, etj. 

Në aspektin kombëtar, Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë.

Enciklopedia shqiptare, çka përbën ndërmarrjen më të vështirë e më voluminoze, përfundimisht, vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet.

Në takim, për të tria veprat u diskutua edhe bashkëpunimi i ngushtë me ASHA-në në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe më pas u dhanë udhëzime për ngritjen e mjediseve të reja të punës për Qendrën e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike. 

Akademia jonë e Shkencave, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka marrë rolin organizator e financues në hartimin e këtyre tri projekteve madhore shqiptare; « Enciklopedia shqiptare », « Fjalorit të madh të gjuhës shqipe » dhe të Kuvendit të Albanologjisë që do të mbahet në nëntor të këtij viti. Kështu ASH-ja realizon një prej objektivave kryesore të reformës së këtij institucioni, atë të kryerjes prej saj të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat