Akademia e Shkencave përkujton Shën Joan Kukuzelin, mjeshtrin dhe krijuesin e metodave të shkrimit muzikor bizantin

Akademia e Shkencave përkujton Shën Joan Kukuzelin, mjeshtrin dhe krijuesin e metodave të shkrimit muzikor bizantin

Personaliteti i Shën Joan Kukuzelit dhe muzika e tij, që përbën një dëshmi të vyer për njohjen e traditës së artit muzikor u kujtuan këtë të premte përmes organizimit të një veprimtarie shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.  1 tetori është data që bashkon muzikën bizantine dhe Ditën Ndërkombëtare të Muzikës me emrin dhe trashëgiminë e madhe muzikore të Jan (Ioan) Kukuzelit.

Kjo veprimtari u organizua nga Akademia e të Rinjve dhe Komisioni i Përhershëm i Artit dhe i Trashëgimisë Kulturore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit të Akademisë së Studimeve Albanologjike në prani të Hirësi Nathanailit, Mitropolit i Amantias, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e zonjës Meri Kumbe, zëvendësministre e Kulturës si dhe nga prezenca e përfaqësuesve të institucioneve shkencore dhe kulturore të vendit.

Akad. Vasil S. Tole zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave tha se vendi ynë dhe muzika jonë është me fat që ka një pararendës kaq të shquar si Kukuzeli, për të cilin sot mbahet meshë në të gjitha kishat e vendit, kontributi i të cilit në muzikën bizantine është tërësisht i njohur dhe i gjithëpranuar. E jo vetëm kaq. Muzika bizantine, ky art sublim që zë fill 2000 vjet më parë, prej vitit 2019 me propozim të Greqisë dhe Qipros është tashmë pjesë e listës përfaqësuese të dukurive shpirtërore të UNESCO-s. 

Akad. Tole theksoi se këndimi bizantin është një traditë kulturore e rëndësishme, bën pjesë në traditat muzikore të zhvilluara në Perandorinë Bizantine. 

“Është muzikë ekskluzivisht vokale; në thelb është monofonike; këngët janë të kodifikuara në një sistem tetë-mënyrash ose tetë-tonesh; këndimi përdor stile të ndryshme ritmike, në mënyrë që të theksojë rrokjet e caktuara të fjalëve të veçanta, etj.” -tha akad. Tole. 

Nisur nga fakti që regjistrimi i këndimit bizantin në UNESCO është realizuar si kandidim multinacional, akad. Tole kujtoi se muzika bizantine nuk u krijua në një vend të vetëm. Pjesët e saj na vijnë nga autorë me kombësi dhe vende të ndryshme dhe pjesë e merituar e kësaj trashëgimie është edhe ajo që vjen nga Shqipëria, nga vendi i Jan Kukuzelit dhe Kristanth Manditit, dy emra të shquar të muzikës bizantine në nivel botëror dhe propozoi që në bashkëpunim me propozuesit e dosjes dhe UNESCO-n, të mundësohet edhe përfshirja e këndimit bizantin në Shqipëri, si pjesë e këtij regjistrimi. “Hapësirat ligjore ekzistojnë. Duhet vullnet dhe angazhim i përbashkët, i cili besoj se nuk na mungon, që edhe tradita e këndimit bizantin në Shqipëri të bëhet pjesë e pandarë e këndimit bizantin në tërësi.”, -tha akademik Vasil Tole. 

Theodhor Peci rrëfeu për jetën e Joan Kukuzelit dhe “grindjet” ballkanike për përkatësinë kombëtare të mbiemrit të tij, Kukuzeli-Papadhopulos.

Joan Kukuzeli lindi në Durrës rreth vitit 1270. I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël. Ai mbeti i varfër, por u edukua nga mësuesit më të mirë të asaj kohe dhe u dallua për një zgjuarsi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për aftësitë e mëdha muzikore.

E dërguan në Konstandinopojë, në kryeqytetin e perandorisë, për të studiuar dhe kënduar në oborrin perandorak. Duke parë talentin e tij të madh dhe përparimin e habitshëm në muzikë, e emëruan drejtues të veprimtarive muzikore të kryeqytetit, dhe i dhanë titullin “Mjeshtër”. Jani u bë një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë perandorit. Më teja z. Peçi e quajti Kukuzelin një figurë të jashtëzakonshme, shenjtor të kishës ortodokse që braktisi privililegjet që i dha perandoria e Bizantit dhe jetoi si murg në malin Aathos, e megjithatë të qenit muzikant spikaste në personalitetin e tij.  

Jani Kukuzeli ishte mësues e krijues i metodave të shkrimit muzikor bizantin- tha Peçi, i cili mjeshtërisht drejtoi edhe përshëndetjen muzikore me pjesëmarrjen e korit të muzikës bizantine “Shën Joan Kukuzeli” të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. 

Përshëndetje muzikore pati edhe edhe kuinteti i Shkollës së Mesme Artistike “Jan Kukuzeli” i qytetit të Durrësit, nën drejtimin e artistit Pirro Sota dhe Esmeralda Ahmetaj, pianiste, studente në Konservatorin e Belgjikës. 

Dr. Mikaela Minga, muzikën bizantine e konsideroi si një pasuri të vyer të njerëzimit dhe theksoi se arti psaltik ka lidhur qendrat shpirtërore të shqiptarëve. Ajo kujtoi lidhjet e këngëve bizantine me ato të qyteteve të Shqipërisë e sidomos me ato të Elbasanit. 

Zëvendësministrja e kulturës z. Meri Kumbe falënderoi Akademinë e Shkencave për mbajtjen e përmendores për Jan Kukuzelin dhe tha se “muzika shpirtërore bizantime mbetet një pasuri e vyer e njerëzimit, ku historia ka dashur që vendi ynë i vogël të ketë kontributin e tij”.   

Më tej, studimin e kësaj muzike zv.ministrja e Kulturës e lidhi me politikbërjen në përcaktimin e identitetit tonë kulturor. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille