Akademiku Rexhep Qosja vë gishtin në plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare në 85-vjetorin e tij

Akademiku Rexhep Qosja vë gishtin në plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare në 85-vjetorin e tij

Rexhep Qosja

85-vite më parë lindi një prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar, akademiku i shquar Rexhep Qosja, erudit, me kontribute  të shquara në mjaft fusha si në historinë e letërsisë dhe të qytetërimit shqiptar, në historinë politike të shqiptarëve; veprimtar me vetëdije qytetare e kombëtare të lartë.

Në këtë ditë të 85-vjetorit të tij, botuesi i njohur Fatmir Toçi ka postuar në rrjetet sociale fjalën që Qosja ka mbajtur në një aktivitet të organizuar në Prishtinë, fjalë në të cilën ka prekur plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare.

Postimi i Fatmir Toçit

Sot shënohet 85-vjetori i Lindjes së Burrit të Dheut, akademikut Rexhep Qosja, njeriut, atdhetarit, studiuesit, krijuesit dhe intelektualit të spikatur të epokës që po jetojmë. Jemi pranë Tij në Prishtinë në këtë ditë të shënuar me urimin që na del nga zemra për një jetë të gjatë e të shëndetshme, aktive e në të mirë të tij dhe gjithë kombit shqiptar. Një Akademi me dinjitet u organizua dje nga Kolegji AAB i Prishtinës në mjediset e saj mbresëlënëse.

Ja dhe fjala përshëndetëse dhe mesazhi i fortë i prof. Rexhep Qosjes për politikën dhe shqiptarët në këtë ditë të shënuar të jetës së Tij:

Rexhep QOSJA: KOHEZIONI

SHPIRTËROR, SHOQËROR E MBARËKOMBËTAR

Të nderuar të pranishëm,

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,

I nderuar Kryetar i Bordit të Kolegjit AAB, Lulëzim Tafa,

I nderuar Drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi,

I nderuar Gjeneral Kudusi Lama, gjeneral i paqes dhe gjeneral i luftës çlirimtare të UÇK-së,

I nderuari bashkëvendësi im, mjeku i popullit, zbukuruesi artistik i Tiranës e Vuthajve me arkitekturat e ndërmarrjeve të tij, Ahmet Ulaj.

I nderuari botuesi shumëvjeçar dhe miku im i çmuar e i dashur, Fatmir Toçi,

Të nderuar pedagogë, studiues shkencorë, kolegë, miq, vëllezër

Të dashur studentë!

Më vjen mirë që më është dhënë rasti t’Ju përshëndes dhe njëkohësisht t’Ju falënderoj që me pjesëmarrjen tuaj në këtë akademi po shprehni nderim për autorin të cilit këtu po i shënohet 85 vjetori i lindjes.

Dhe, falënderoj regjisoren e mirënjohur, Burbuqe Berisha, e cila me veprimtarinë e saj filmike dhe teatrore e pasuron artistikisht dhe domethënshëm çdo akademi dhe vepër letrare të shfaqur në film dhe teatër; dhe falënderoj historianët e shquar të letërsisë shqipe, Agim Vincën e Hysen Matoshin, profesorin universitar e poetin e mirënjohur, Lulëzim Tafën, për fjalët e mira, më të mira se që i meritoj, për mua këtu sot.

Megjithëse mosha në të cilën jam dhe përvoja me të cilën më ka pajisur jeta më kanë privuar si prej mezipritjes për shënime të përvjetorëve ashtu edhe prej dëshpërimeve nga mohime që mund të më bëhen, ky nderim që po më dhurohet këtu prej jush më gëzon.

Pse mund të them kështu?

E para, sepse është nderim që më bëhet prej një Kolegji ndër më të mëdhenjtë e më të rëndësishmit në Republikën tonë, që është njëkohësisht institucion i arsimit të lartë, i shkollimit fillor e të mesëm, i veprimtarive teatrore e kulturore në përgjithësi e i medies moderne dhe prej njërit nga institutet më të çmuara e më të rëndësishme të studimeve shqiptare – të Institutit Albanologjik të Prishtinës, në të cilin unë jam tani e 54 vite, domethënë prej themelimit të tij të dytë në vitin 1967.

E dyta, mund të them kështu sepse është nderim që më bëhet prej këtij Kolegji dhe këtij Instituti në qytetin e Prishtinës, në të cilin jam rritur e jam moshuar e në të cilin e kam zhvilluar dhe bërë publike gjithë krijimtarinë time në fushë të shkencës, në fushë të letërsisë e në fushë të publicistikës.

Prishtina me zhvillimin, me pamjen e me gjendjen e saj të sotme, me rritjen demografike, arkitekturore, artistike dhe kulturore në përgjithësi, flet shumë jo vetëm për veten, po për Kosovën, për Shqipërinë, për gjithë shqiptarët.

Koha në të cilën jeton brezi ynë është kohë e gjasave tona të sotme e të ardhme, të përtashme e historike.

Dhe, këto gjasa na u krijuan në fundin e shekullit 20 dhe në fillimin e shekullit 21.

E arritura më e madhe, historike, e këtyre gjasave është shteti i Kosovës.

Sot ne jemi Komb me dy shtete, që pashmangshëm do të bashkohen. Dhe ky është premtim për një ardhmëri më të mirë se kurrë më parë të popullit shqiptar.

Sot jemi Komb emri i të cilit, identiteti i të cilit, historia e të cilit, kultura e të cilit, dhuntitë e të cilit, nderohen në Botë.

Por, fjalët e këtilla që dëgjohen me shumë ëndje nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se një popull quhet i pjekur në pikëpamje politike, shoqërore, kulturore në qoftë se i sheh qartë, jo vetëm të mirat, por i sheh qartë e kritikisht edhe të këqijat në jetën e tij.

Po i them shkurt disa fjalë për një të keqe që e rëndon jetën tonë të sotme.

Përbërësi më i rëndësishëm i njësisë shpirtërore të popullit shqiptar – kohezioni shpirtëror, shoqëror dhe mbarëkombëtar sot po cenohet, po dëmtohet, kur e kur po rrezikohet, prej disa dukurish, gjendjesh, veprimesh, ndasish, mendimesh, idesh, politikash e mashtrimesh.

E ato janë:

Krimet më të shumta e më të shumëllojshme se kurrë më parë në historinë e popullit shqiptar duke filluar prej vrasjeve me motivet më të ndryshme e deri te prodhimi, importimi, eksportimi e përdorimi i drogave!

-krahinorizmat dhe lokalizmat e ndryshëm: hapësinorë e mendorë,

-ideja e kombit të dytë shqiptar,

-shpërfillja e klasës së mesme,

-kundërshtimet e disa institucioneve a grupeve ndaj gjuhës standarde,

-ndarja gjithnjë e më e kurdisur e shoqërisë në klasa,

-trajtimi i pabarabartë i dinjiteteve dhe i gjendjeve sociale,

-konfliktet e pandalshme të forcave politike,

-korrupsionet e ndryshme, që pengojnë zhvillimin e ekonomisë, të demokracisë dhe nxisin urrejtje ndaj shtetit,

-nepotizmi me të cilin favorizohen përkatësitë e fetishizuara të kohëve të kaluara dhe shpërfillen aftësitë, dinjitetet, dhuntitë, meritat,

-shfrytëzimi i posteve politike për pasurim dhe për privilegje të llojllojshme,

-shpërfillja e shkencës dhe e kulturës sado në vendet e zhvilluara demografike çmohen si bazë mendore e zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë dhe shtetit,

-jeta në varfëri të skajshme e një pjese të popullsisë,

-papunësia, sidomos e të rinjve,

-shpërnguljet e të rinjve dhe të intelektualëve.

E të tjera.

Çka të bëjmë për të mënjanuar këto dukuri, gjendje, veprime, mendime, ide, politika kundërbashkuese?

Përgjigja ime është: universiteteve, kolegjeve dhe institucioneve shkencore e kulturore iu takon rol i veçantë për mbrojtjen e kohezionit shpirtëror, shoqëror e mbarëkombëtar prej të këqijave të sipërthëna. Ato e formojnë, e ngrisin brezin e ri me dije shkencore, me kulturë, me aftësi të përgjithshme për ruajtjen dhe pasurimin e atij kohezioni shpirtëror, shoqëror e mbarëkombëtar.

Të mos harrojmë se në vitet tragjike të historisë jemi mbajtur qëndrueshëm para së gjithash në sajë të atij kohezioni shpirtëror.

Hajdeni t’ia kushtojmë kujdesin e duhur, të nevojshëm kësaj vlere madhështore që na ka bërë të qëndrueshëm, të fortë në vitet më të vështira të historisë, që na bën sot dhe që do të na bëjë të qëndrueshëm, të dijshëm të nderuar e të fortë gjithmonë.

Ju faleminderit për vëmendjen me të cilën i dëgjuat këto fjalë.

Prishtinë, 24.6.2021

 

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja