Një aksident i rëndë u shënua mëngjesin e kësaj të enjteje në vendin e quajtur “Ish-pularia”, 2 kilometra në hyrje të qytetit të Burrelit në rrugën nacionale Burrel - Tiranë.

Një kamioçinë  ka dalë nga rruga duke përfunduar 20 metra në humnerë.  Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi Besim Daçi, rreth 51 vjeç, i cili ndodhej i vetëm në automjet.

Sipas policisë, automjeti në humnerë është pikasur nga udhëtarët rreth orës 5 të mëngjesit, të cilët kanë njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat. Por mendohet që 51-vjeçari të ketë humbur jetën gjatë natës.

 Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit.

Grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.