TIRANË, 18 Dhjetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Sot nis faza e dytë e reformës në arsimin e lartë, ku Universitet do të përballen me testin e cilësisë.
Lajmin e bëri të ditur vetë Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e zhvilluar sot në sallën e hartave të Këshillit të Ministrave, për nënshkrimin e  marrëveshjes me Agjencinë britanike të Akredimit të Universiteteve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se Universititet janë në prag të një prove tjetër. "Tashmë nis faza e dytë e reformës në arsim. Një tjetër provë e dhimbshme, por jetike, pasi do të na ballafaqojë me të tjera fakte, shifra, prova rrënqethëse nga pikëpamja e cilësisë, pasi nga ana e ligjshmërisë, tashmë ato, universitetet janë në rregull", tha Rama.
Kreu i Ekzekutivit në fjalën e tij, u shpreh se reforma në arsim vërtet mund të jetë e dhimbshme, por është jetike për të ardhmen e shoqërisë sonë, të shumëkujt që me sakrificat e prindërve ndërmerr rrugën e arsimit të lartë.
Kryeministri  ilustroi edhe me shifra rezultatet e pjesës së parë të reformës ku u mbyllën Universitete të cilat nuk plotësonin kriteret ligjore. "Dua të veçoj faktin se nga 11 mijë studentë që duhet të zhvendoseshin në institucionet e arsimit të lartë, vetëm 2800 u paraqitën me kërkesën për zhvendosje, sepse të gjithë të tjerët kishin shënuar emrin në këto institucione dhe prisnin ditën kur do të shkonin të merrnin dipomën pa shkuar asnjë ditë në universitet", tha Rama, duke kujtuar se në fazën e parë u mbyllën 18-të Universitete.
Prandaj duke nisur nga ky rezultat, por dhe pritshmëri të tjera, bazuar në atë ç'ka ka prodhuar arsimi shqiptar në këto vite, Kryeministri Rama tha se kjo reformë do çlirojë shqiptarët nga një barrë e madhe, që prodhonte diploma dhe jo profesionistë. " A e dini se kemi një rekord për sa i takon strategjive të arsimit të lartë. Në 20 vite kemi prodhuar 7 strategji kombëtare për arsimin, pasi sa herë ndërroheshin minitrat, madje edhe kur ministrat ishin të një partie prodhonin këto dokumenta strategjik, të cilat çuan në degradimin e arsimit. Kësisoj, ky hap i dytë i kësaj reforme, i cili do të udhëhiqet nga një Agjenci prestigjoze angleze, që s'ka nevojë për reklamë do të çlirojë shqiptarët nga një barrë e madhe. Kjo barrë na ka sjellë sot këtu, kur duhet të kalojmë në fazën e dy të reformës, matjen e cilësisë së arsimit. Bazuar në ligjshmërinë, këto institucione sot janë në rregull, por në cilësi, ky proces do të sjella të tjera dhimbje, që do të na ballafaqojë me të tjera fakte, shifra, prova rrënqethëse.", nënvizoi Rama.
Duke folur për cilësinë në arsim, shefi i qeverisë bëri të ditur se jemi në emergjencën kombëtare. "Ne kishim arritur jo vetëm që ta transformojmë dijen në mall dhe universitetin-biznes, por edhe të kishim numrin më të madh të universiteteve në Europë, madje edhe më shumë se Britania, dhe nota mesatare 5.5. Sikur të kishin rritjen ekonomike 5.5 do ishte arritje spektakolare. Por nota mesatare 5.5 do të thotë që kemi prekur fundin dhe më keq nuk mund të kishte. Por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që me gjithë vështirësitë ekonomike e financiare sot kemi një raport tjetër nga ai që kemi patur një vit më parë. Është një raport që flet për vetëdijen tonë se duhet një menaxhim më i mirë i situatës", tha Rama në fjalën e tij.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla nga krahu tjetër, u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një lajm i mirë për verifikimin e kritereve të cilësisë në arsimin e lartë. "Pas 24 viteve, një proces i tillë aplikohet për herë të parë, si dhe shënon një rezultat të punës sonë në një vit qeverisje. Ky është një moment i veçantë, për ti dhënë një përgjigje çdo kujt që ka merak për një reformë të rëndësishme në vendin tonë. Ka pasur edhe më parë punë me ekspertë të huaj, ndaj shpreh mirënjohjen e atyre që kanë qenë në vite, në procesin e reformave në arsim", nënvizoi Ministrja e Arsimit, e cila nënvizoi se nuk ka pasur ansjëherë më parë në vendin tonë një reformë të tillë.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon gjatë fjalës së tij tha se reforma në arsim është thelbësore për një vend që është djert zhvillimit. "Shqiptarët janë shumë të etur për dije, ndryshe nga ç'ndodh në shumë vende të Evropës. Arsimi është një sektor që dhuron dije dhe jo shet dije, prandaj është shumë e rëndësishme që reforma të kryhet sa më shpejtë dhe për këtë ajo mbështetet nga këshilltarët britanikë, të cilët kanë për qëllim ta përafrojnë atë me standardet evropiane", përfundoi ai.
Agjencia Angleze e Akredidimit të Arsimit të Lartë është krijuar në vitin 1997 dhe është e pavaruar. Ajo ka një bord, që i administron veprimtaritë e veta me një kryetar që vjen nga institucionet e arsimit të lartë por jo drejtpërdrejt. Kjo agjensi punon për Anglinë, Uellsin, Irlandën e Veriut, Skocinë. Mbretëria e Bashkuar si një e tërë është e angazhuar për standarde të nejta por mënyra sesi ato aplikohen kanë ndryshimet e tyre. sidoqoftë, një nga gjera që është në bazë është kuptimi i vlerës së përbashkët dhe kontributi që ai jep në zhvillimin e ekonomisë. këto do të sjellim edhe në Shqipëri./a.g/