TIRANE - Ish-ministri i Arsimit në qeverisjen e djathtë, Myqerem Tafaj, aktualisht deputet i PD do të përballet me Gjykatën e Lartë për akuzën e shpërdorimit të detyrës. 7 muaj pas kallëzimit të ministres Lindita Nikolla për ish-paraardhësin e saj, hetimet e prokurorisë e gjetën atë fajtor për shkeljen e ligjit me akreditimin e 4 fakluteteve me programe jo cilësore dhe në shkelje me ligjin të unviersitetit “Vitrina”, tashmë të mbyllur me vendim qeverie.

...
Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet ndaj Tafajt dhe i ka dërguar dosjen Gjykatës së Lartë. Ish-ministri Tafaj akuzohet se ka akredituar shkollën e lartë universitare “Vitrina” edhe pse Këshilli i Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit ka qenë kundër dhe e ka refuzuar kërkesën e universitetit.
 
Sipas prokurorisë, Këshilli i Akreditimit pranë Ministrisë së Arsimit ka kundërshtuar në katër raste kërkesën e ish-universitetit “Vitrina” për të hapur 4 fakultete. Këshilli ka dhënë vlerësimin negativ për shkak se ishin programe jo cilësore studimi dhe nuk plotësonin përcaktimet ligjore. Ky vlerësim i është dërguar ish-ministrit Tafaj, por ky i fundit, - thotë Prokuroria, - në kundërshtim me ligjin ka firmosur për hapjen e 4 fakulteteve të tjera nga Universiteti “Vitrina”.

Report TV ka mësuar se bëhet fjalë për urdhrin me numër 381 i 5 gushtit të vitit 2011 firmosur nga Tafaj dhe që akrediton 4 programe në Universitetin Vitrina atë të Inxhinierisë Elektrike, Mekatronikë, Administrim publik dhe Stomatologji.  Është pikërisht ky urdhër që ngarkon me përgjegjësi penale ish-ministrin, i cili sipas kërkesës për gjykim rezulton ta ketë shkelur ligjin me dashje të drejtpërdrejtë.
 
Por prokuroria nga ana e saj shkon më tej, duke e bërë përgjegjës Tafajn dhe për dëmin ekonomik shkaktuar studentëve të cilët i besuan këtyre programeve. Kjo, thotë prokuroria, ka sjellë pasoja financiare për individët dhe për shtetin, si garant i standardeve të larta mësimore, si edhe duke i krijuar favore të pa merituara institucionit arsimor në fjalë.

Myqerem Tafaj do të gjykohet nga Kolegji Penal pranë Gjykatës së Lartë, kjo për shkak se ai është deputet i Partisë Demokratike, mandat të fituar në zgjedhjet e 23 qershorit si deputet në Kamëz. Akuza e shpërdorimit të detyrës Tafajt i është komunikuar në fillim javë, ndërsa këtë të enjte Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar kërkesën për gjykim pranë Gjykatës së Lartë. 

Kallëzimi u bë muaj më parë nga sekretari i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Plarent Ndreca, ku evidentohej se Tafaj ka përdorur autoritetin e tij si ministër për t’i dhënë akreditimin një shkolle që nuk plotësonte kushtet bazë ligjore. 

Universiteti “Vitrina” u mbyll në aksionin e gjerë që qeveria mori vjet për të mbyllur shkollat që nuk plotësonin kriteret ligjore. Në raportin e MAS kur u vendos për tu mbyllur “Vitrina”, thuhej se “një student mund të regjistrohej për të vazhduar studimet edhe nëse dorëzonte një makinë me domate”. 

Njoftimi i Prokurorise
Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim në Gjykatën e Lartë kërkesën ndaj ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Myqerem Tafaj, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.

Në përfundim të veprimeve hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 4, viti 2015, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundim se, i pandehuri ka vendosur hapjen e programeve mësimore të një shkolle të lartë private, aktualisht e mbyllur, në kundërshtim me atë që ka vendosur Këshilli i Akreditimit. Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtëpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim NEGATIV), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyre të kundraligjshme.

Veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Myqerem Tafaj kanë sjellë për rrjedhojë hapjen e programeve mesimore, të cilat nuk janë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore, për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë. 

Për Prokurorinë e Përgjithshme, me veprimet e kryera, i pandehuri Myqerem Tafaj, në cilësinë e ish-Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, ka sjellë si pasojë krijimin e mundësisë së subjektit privat “Shkolla e Lartë Private Vitrina”, që, pavarësisht se nuk plotësonte standartet e parashikuara nga ligji, të zgjerojë aktivitetin në fushën e arsimit dhe të ofrojë programe jo cilësore studimi, me pasoja financiare për individët dhe për shtetin, si garant i standarteve të larta mësimore, si edhe duke i krijuar favore të pa merituara institucionit arsimor në fjalë.


Pse u mbyll “Vitrina” 
Në muajin gusht Ministria e Arsimit publikoi raportin për mbylljen e disa universiteteve private. MAS publikoi dhe arsyet për secilin Universitet që u mbyll. Në rastin e Vitrinës ishin bërë 10 shkelje. Ishin hapur programe studimi para se të licencohej. Regjistrimi ishte bërë para hapjes së programeve pa asnjë kusht, një vit para licencës dhe 2 vjet para lejes nga MAS. Ishin lëshuar diploma para akreditimit të programit.

Departamentet shkencore nuk kishin numrin minimal të anëtarëve të stafit nga 7 që është minimalja, dhe ata nuk kanë as gradat shkencore të përcaktuara. Raporti personal akademik–student ishte më i ulët se 1/20. Objekti nuk plotësonte standardet e sigurisë. Nuk kishte kontrata qeraje të rregullta. Nuk kishte laboratorë, nuk kishte literaturë dhe nuk kishte mundësi të kryejë praktikë. Institucioni nuk kishte tarifa fikse, për një vit studimi. Ato varionin nga 350-700 euro. Dokumentacioni i institucionit nuk administrohej. Nuk kishte depozituar garancitë bankare dhe nuk garanton vazhdimësinë e studimeve

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)