Me 72 votat e socialistëve, Parlementi soi miratoi ndryshimet ligjore të propozuara nga Qeveria, që detyrojnë Shërbimin Informativ Kombëtar të shtrijë veprimtarinë e tij edhe mbi kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, atyre kibernetike dhe hibride si dhe mbi “kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë.”. Sipas socialistëve, kjo është e domosdoshme në situatat e reja të sigurisë globale, dhe ndërhyrja synon të eliminojë boshllëqet ekzistuese ligjore duke qartësuar dispozitat në fuqi dhe rritur efikasitetin e mekanizmave aktualë.

Por pika që ndryshon mënyrën e mbledhjes së informacionit nga institucione të ndryshme, hapi debate mes mazhorancës dhe opozitës para votimit në seancë plenare. Me legjislacionin e mëparshëm, SHISH kishte të drejtë të kërkojnë informacion për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar nga drejtuesit e institucioneve qendrore, lokale, personat fizikë e juridikë shtetërorë ose privatë. Me ndryshimin e miratuar SHISH-it i jepet akses në databazet e ndryshme shtetërore.

Vetë institucioni tha se SHISH nuk do të ketë akses të plotë dhe të palimituar, por vetëm në funksion të veprimtarisë së tij.

Në fakt ndryshimi parashikon që qasja në të dhëna bëhet me marrëveshje mes institucioneve.

Një tjetër ndryshim është përjashtimi i zyrtarëve të SHISH nga deklarimi i pasurisë në ILDKPKI. Ky ndryshim motivohet me rrezikun e ekspozimit të tyre. Para miratimit në Parlament të ndryshimeve ligjore, Tabaku qe shprehu në Komision se është shqetësuese që Zyrtarët e SHISH nuk do të deklarojnë pasurinë dhe se ajo do të jetë tërësisht konfidenciale, ndërsa institucioni tha se për natyrën e punës kjo gjë është e domosdoshme.