Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI) nuk do duhet të organizojë më tenderë për nevojat e aktivitetit të saj. Ky është propozimi i disa ndryshimeve ligjore të paraqitura në parlament nga deputeti socialist Erion Malaj, të cilat përfshijnë dhe mundësinë që pjesën operacionale, AKSHI, të krijojë shoqëri të përbashkëta ku shteti të ketë të paktën 51 përqind të aksioneve. Ndryshimet janë shoqëruar me pikëpyetje të ngritura më së shumti nga opozita, gjatë diskutimeve të hënën në Komisionin e Ligjeve dhe atë të sigurisë. Ajo që mbetet e paqartë është se si do të përzgjidhen kompanitë që do të hyjnë në partneritet me AKSHI-n,  për mirëmbajtjen e sistemeve të shumta qeveritare.

Qëllimi i ndryshimeve të propozuara është ndarja e aktivitetit të AKSHI-t si autoritet publik përgjegjës për standardizimin, arkitekturën, sigurinë dhe mbikëqyrjen e sistemeve të qeverisjes elektronike nga njëra anë, dhe pjesës operacionale të tij, që lidhet me zhvillimin, administrimin dhe mirëmbajtjen teknike të sistemeve dhe platformave.

Një ndarje e cila shoqërohet dhe me propozimin, që në krye të projektligjit, të neni për përkufizimet, i ligjit aktual, që Akshi të mos merret më me organizmin e tenderëve që lidhen me aktivitetin e Agjencisë. Për këtë qëllim, shfuqizohen edhe nenet e tjera që përcaktojnë në mënyrë të detajuar, rastet për të cilat AKSHI, organizon  aktualisht prokurorime.  Të gjitha zëvendësohen me një paragraf të ri sipas të cilit “Procedurat e prokurimit publik, përfshirë ato në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), zhvillohen në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për prokurimin publik”. Sipas një shpjegimi të ministres së Ekonomisë, në grupin parlamentar socialist, Delina Ibrahimaj, prokurimet dhe për llogari të AKSHI-t do të kryhen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

Propozimi në parlament pasi AKSHI, u vu në qendër të vëmendjes, falë një hetimi të Prokurorisë së Posaçme e cila zbuloi, abuzime miliona euroshe me tenderat që kontrolloheshin nga një numër shumë i kufizuar shoqërisë, të lidhura me vetëm dy persona. Nën hetim përfunduan dhe drejtuesit e Agjencisë.

Sa i përket mundësisë që AKSHI të krijojë shoqëri të përbashkëta, duke ruajtur megjithatë kontrollin përmes shumicës së paketës së aksioneve, ndryshimet ligjore parashikojnë që ky aspekt, të lidhet vetëm me pjesën operacionale të aktivitetit.

Sipas propozimit, shoqëritë e përbashkëta do të mund të përfshihen në ofrimin e një sërë shërbimesh (zhvillim, administrim e mirëmbajtje sistemesh), për një pjesë të mirë të institucioneve publike, duke i përjashtuar ato, nga sistemet që lidhen me informacionin e klasifikuar si ‘sekret shtetëror”, apo ato që lidhen me NATO-n, BE-në apo organizata të tjera ku Shqipëria bën pjesë. Në çdo rast përgjegjësia institucionale dhe pronësia mbi infrastrukturat, kodin burimor dhe të dhënat mbeten të shteti.

Projektligji u shqyrtua sot në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. Çuditërisht ai nuk u përfshi në agjendën e Komisionit të Ekonomisë.

Braçe : Kush do t’i bëjë prokurorimet publike? Ma përktheni pak. AKSHI do ndërtojë një shoqëri aksionere. Për këta privatët që do hyjnë këtu, do të ketë ndonjë kriter ndalues? Jo gjithëkush mund të ndërhyjë në infrastrukturë kritike. Sot kemi subjekte nën hetim. Këto ndalime duhet të jenë në ligj apo të bëhen me VKM?

Erjon Malaj, deputet propozues: Shqetësimet tuaja janë të drejta. Nuk pretendoj që ky ligj të jetë ezaurues apo të jetë tërësisht i saktë. Kam qenë i hapur për propozime përmirësuese. Tenderat duhet të zhvillohen sipas ligjit në fuqi. Unë nuk dua ......

Braçe: Si do bëhen? Ja kemi hequr AKSHI-t, kush do ti bëjë tani prokuromet për teknologjinë.

Erjon Malaj:......dua të jap sqarimin....

Zëvendësministri i Ekonomisë: Do ta bëjnë institucionet përkatëse. Mund t’i bëjë Agjencia e Blerjeve të Përqendruara.

Braçe: A ka mundësi të sqaroni, do të privatizohen tenderat? Kjo sha-ja do të bëjë tendera?

Zëvendësministri i Ekonomisë: Mund t’i bëjnë autoritet publike....

Në diskutimet gjatë ditës së hënë në dy komisione parlamentare, atë të Ligjeve dhe Çështjeve të Brendshme, ndryshimet u pritën me skepticizëm dhe dyshime, kryesisht nga opozita, sipas së cilës ndryshimet ligjore nuk ofrojnë garanci se aksesi në të dhëna sensitive do të jetë i mbrojtur.

Deputeti socialist që ka bërë propozimin, Erion Malaj, i mëshoi disa herë faktit se ndryshimet e propozuara synojnë ndarjen e funksioneve brenda AKSHI-t. Ndërkohë që mbetet e paqartë se si do të përzgjidhen kompanitë të cilat do të jenë partnere të AKSHI-t, në shërbimet që do të ofrojnë për institucionet publike, duke qenë se ato do të kenë qasje në pjesën dërrmuese të sistemeve, përfshi ato financiare, apo që lidhen me të dhënat personale. Projektligji po ashtu nuk sqaron se si do të realizohet kontrolli financiar apo dhe transparenca e  këtyre shoqërive.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë