POGRADEC - Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vijoi dje aksionin për prishjen e ndërtimeve në zonën e Hudenishtit dhe në aksin Pogradec–Lin, në kuadër të projektit të rehabilitimit të kësaj zone. Mjetet e INUK kanë mbërritur në zonë në orët e mesditës dhe kanë ndërhyrë në disa prej objekteve të listuara për t’u prishur.

Në aksionin e djeshëm të INUK, policia ka ndërhyrë duke nxjerrë me forcë nga banesa 18 pjesëtarët e familjes Brahja që qëndronin të ngujuar. Ata ishin ngujuar dy ditë më parë, duke kundërshtuar prishjen e objektit në të cilin jetonin, si dhe kishin lokalin. Familjarët u shprehën se nuk do të dalin nga banesa dhe nuk do të lejojnë prishjen e objektit, pavarësisht se policia ka kryer detyrën.

Prej kohësh banorët e Hudenishtit kanë kundërshtuar prishjen e banesave, pasi sipas tyre çmimet e vendosura për dëmshpërblim nga ana e qeverisë nuk reflektojnë çmimin real të pronës. Aksioni i INUK në zonë ka sjellë njëherësh dhe replika mes mazhorancës dhe opozitës me akuza dhe kundërakuza. Ndërkaq, INUK po ashtu ka vijuar punën e vendosjes së tritolit në godinën 6-katëshe që do prishet me shembje të telekomanduar.

INUK do të vijojë aksionin përgjatë bregut liqenor edhe në ditët në vazhdim në zona të ndryshme të liqenit. Aksioni i INUK përgjatë vijës liqenore në Pogradec që ka nisur dy ditë më parë vijon të kundërshtohet ashpër nga pronorët e subjekteve që janë në listë për tu shembur. Kështu 18 pjesëtarë të familjes së Azem Brahajt, pronar i një hoteli në këtë zonë, kanë qënë ngujuar në ambientet e brendshme të ndërtesës dy katëshe teksa kundërshtonin shembjen saj.

Të ngujuarit janë tre kurora, e mes tyre ka gra dhe fëmijë. Agim Brahaj pronari i subjektit që do shembet pohon për mediat se ai posedon dokumentacion të rregullt për godinën, teksa shton së vlera e dëmshpërblimit, 18 milion lekë e vendosur nga qeveria, nuk përputhet me vlerën reale të pronës.

Ndërkohë Inspektorati Urbanistik Kombëtar nëpërmjet një deklarate për mediat pohon se INUK do vijojnë aksionin e nisur përgjatë vijës liqenore në qytetin e Pogradecit, për ta çliruar këtë zonë nga të gjitha ndërtimet pa leje.

Sipas INUK do prishen rreth 20 objekte një dhe disa katëshe përgjatë 10 ditëve në vijim. Ndërkohë që dy ditë më parë, PD ka reaguar ndaj aksionit të ndërmarrë nga ana e INUK në aksin Pogradec-Lin, në kuadër të rehabilitimit të zonës.

Sipas PD-së shembjet bëhen për të pastruar terrenin për ndërtimin e një fshati turistik të deputetit dhe njëkohësisht kryetari të PS në Pogradec. Përmes një shkrese të publikuar, PD thekson se ajo është provë e skemës korruptive të klienteliste me pronat e Hudenishtit, për të ndërtuar fshatin turistik të deputetit dhe kryetarit të PS së Pogradecit.


inuk pogradec
Pranga Altin Goxhaj se ofendoi punonjësit e INUK, lirohet pas 24 orësh
Vetëm dy ditë më parë teksa kishte konsumuar në rrjetet sociale një debat me nënkryetarin e bashkisë Tiranë Eno Bozdo duke lajmëruar se do ishte në Udënisht, dje Altin Goxhaj ka rënë në prangat e policisë.

Policia ka arrestuar dje avokatin Goxhaj, i cili e ka kundërshtuar në kryerjen e detyrës. Sipas Policisë, avokat Goxhaj u ndalua më parë, pasi si avokat i Azem Brahajt në Udënisht, pengoi INUK në shembjen e ndërtesës tre-katëshe që ishte ngritur buzë vijës liqenore.

Pasditen e djeshme, FNSH-ja nxori me forcë nga ndërtesa trekatëshe në Udënisht, 18 familjarët e ngujuar të Azem Brahajt, të cilët kundërshtonin shembjen e bar-restorantit nga INUK-u për shkak të kompensimit të ulët. Goxhaj ishte zgjedhur avokat nga pronari i ndërtesës, Azem Brahaj. Dhe teksa INUK nisi punën për shembjen e hotelit, gjatë kësaj kohë u shoqërua nga forcat e policisë avokati i familjes Brahja, Altin Goxhaj, i cili gjatë aksioni ofendoi verbalisht punonjësit e INUK.

Ai është liruar pas 24 orësh qëndrim në komisariatin e policisë.

Të 18 pjesëtarët e familjes Brahja të ngujuar që prej ditës djeshme në hotelin e tyre që ndodhet përgjatë vijës liqenore të Pogradecit, kanë liruar objektin pas negociatave me drejtuesit e INUK dhe ndërhyrjes së forcave të rendit, të cilët kanë nxjerrë të ngujuarit nga ndërtesa. Familjes Brahja i është lënë kohë të nxjerrë nga banesa materialet dhe orenditë, ndërsa mësohet se palët kanë rënë dakord me vlerën e dëmshpërblimit.

Pas këtij incidenti INUK vijoi normalisht punën për shembjen e objektit, ndërsa ky aksion ka hyrë në ditën e dytë për këtë vit. Aksion do finalizohet pas 9 ditësh me shembjen e 20 objekteve një dhe disakatëshe përgjatë vijës liqenore.

inuk pogradec

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)