Një 62-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë të ndodhur mesditën e së dielës në aksin rrugor KorçëBilisht, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Tren, në Devoll. Sipas Policisë, viktima me inicialet L. Sh. sapo kishte zbritur nga një automjet tjetër, kur është përplasur nga një makinë që drejtohej nga 47 vjeçari me inicialet F. P.

Si pasojë e përplasjes, 62-vjeçari ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar në spitalin e Korçës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

"Specialistët e Sektorit të  Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 47 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", me pasojë vdekjen.

Sot rreth orës 11:45, në aksin rrugor "Korçë-Bilisht", në afërsi të kryqëzimit të fshatit Tren, automjeti me drejtues shtetasin F. P., ka përplasur shtetasin L. Sh., rreth 62 vjeç, i cili sapo kishte zbritur nga një automjet tjetër. 

Si pasojë e aksidentit, 62-vjeçari ka marrë dëmtime trupore dhe ka ndërruar jetë më pas në spitalin e Korçës.

Materialet procedurale do t'i referohen Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme."