Të paktën 39 persona humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën në mbrëmjen e së dielës në një aksident hekurudhor që përfshiu dy trena në Spanjën jugore. Nga të plagosurit, 24 janë në gjendje të rëndë, njoftoi Presidenti i rajonit të Andaluzisë, Juanma Moreno. Autoritetet paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet në përplasjen më të keqe hekurudhore në Spanjë në më shumë se një dekadë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 19:40 sipas orës lokale kur vagonët e fundit të trenit Iryo që shkonte për në Madrid dolën nga shinat, duke kapërcyer në binarët e tjerë, ku në kah të kundërt po udhëtonte një tren Renfe për në Huelva. Goditja ishte e tmerrshme dhe shkaktoi përmbysjen e dy vagonëve të parë të trenit Renfe. "Gjëja më e rëndësishme tani është të ndihmojmë viktimat", shkroi në platformën X, Ministri Spanjoll i Transportit Oscar Puente.

Për shkak të katastrofës, shërbimi hekurudhor me shpejtësi të lartë për në rajonin jugor të Andaluzisë dhe Madridit do të mbetet i pezulluar për të gjithë ditën e hënë. "Lidhja hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Madridit dhe Kordobës, Seviljes, Malagës dhe Huelvës do të mbetet e pezulluar për të gjithë ditën e hënë", bëri të ditur në një deklaratë shoqëria që administron hekurudhat në vend ADIF, duke shtuar se "do të nevojiten të paktën 48 deri në 72 orë për të rivendosur infrastrukturën hekurudhore".

Iryo, kompania që operon një nga trenat me shpejtësi të lartë të dalë nga shinat, tha në një deklaratë se "të gjitha protokollet e emergjencës" ishin aktivizuar. Pasagjerët në trenat e përfshirë në dalje nga shinat u evakuuan, raportoi Adif, ndërsa vijon kërkimi për viktima ose të mbijetuar mes llamarinave të vagonave që dolën nga shinat.

Arsyet e devijimit të trenit të operuar nga kompania private Iryo, i cili transportonte të paktën treqind pasagjerë dhe po udhëtonte nga Malaga në Porta de Atocha në Madrid, janë aktualisht të panjohura.

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, deklaroi në një konferencë për shtyp se "aksidenti ishte jashtëzakonisht i çuditshëm", pasi ndodhi "në një vijë të drejtë, në një linjë të rinovuar së fundmi" dhe përfshinte një tren Iryo "praktikisht të ri". 

 "Pashë një pasagjer të bërë copë-copë. Ne ishim të parët që mbërritëm dhe aty ishte një trup i prerë në mes. Skena ishte e tmerrshme", tha kryebashkiaku i Adamuzit, Rafael Moreno , për gazetën El Pais.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:19
Aksidenti hekurudhor me dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur, Spanja shpall tre ditë zie kombëtare

1768836207_trenispanje.JPG

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez deklaroi se do të shpallen tre ditë zie kombëtare, teksa një aksident i rëndë hekurudhor ndodhi në rajonin jugor të Andaluzisë dhe Madridit, ku u përplasën dy trena duke shkaktuar 39 viktima dhe 152 të plagosur.

"Do ta zbardhim deri në fund", tha kryeministri Sanchez nga vendi i ngjarjes, shkruan El Pais.

Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:40 sipas orës lokale kur vagonët e fundit të trenit Iryo që shkonte për në Madrid dolën nga shinat, duke kapërcyer në binarët e tjerë, ku në kah të kundërt po udhëtonte një tren Renfe për në Huelva.

Goditja ishte e tmerrshme dhe shkaktoi përmbysjen e dy vagonëve të parë të trenit Renfe. 

Ora 11:59
Përplasja e trenave në Spanjë, pasagjeri përshkruan tmerrin: Gjithçka po dridhej, u duk sikur treni do të shkërmoqej


Lucas Meriako, një pasagjer në trenin me shpejtësi të lartë drejt Madridit që doli nga shinat dhe përplasi një tren tjetër që vinte nga drejtimi i kundërt, thotë se ngjarja ishte “e tmerrshme”.

“Ne ishim në vagonin e pestë dhe filluam të ndjenim disa goditje në shina, asgjë e pazakontë,” i tha ai transmetuesit spanjoll La Sexta Noticias.

Pastaj goditjet u bënë më të forta, shton ai. “Një tren tjetër na kaloi pranë dhe gjithçka filloi të dridhej. Një përplasje pas nesh dhe ndjesia se i gjithë treni do të shkërmoqej,” përshkruan i mbijetuar.

Meriako thotë se ndikimi i përplasjes shkatërroi dritaret e trenit, zhvendosi bagazhet dhe I përplasi njerëzit në tokë. Më pas, ata filluan të thyenin dritaret për t’u shpëtuar.

 

Ora 10:57
Aksidenti me 39 viktima në Spanjë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Ngushëllime familjeve! Jemi në kontakt me autoritetet spanjolle nëse ka shqiptarë të prekur

Foto: Ministria e Jashtme

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur ngushëllimet për familjarët që humbën të afërmit e tyre pas përplasjes së dy trenave pranë qytetit Adamuz.

Përmes një postimi në rrjetet socilale Ministria bën me dije gjithashtu se në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Madrid janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të verifikuar nëse ka shtetas shqiptarë të prekur.

Njoftimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Spanjën jugore, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë qytetit Adamuz, në provincën e Kordobës.

Ministria shpreh ngushëllimet më të thella për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre, si dhe me popullin dhe autoritetet spanjolle. Të plagosurve u urojmë shërim sa më të shpejtë.

Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle dhe po ndjek situatën për të verifikuar nëse ka shtetas shqiptarë të prekur. Strukturat përkatëse janë në gatishmëri për të ofruar asistencën e nevojshme.

Ora 10:24
Aksidenti tragjik në Spanjë, çifti mbretëror do të udhëtojë të martën drejt Cordoba-s

Mbreti Felipe dhe mbretëresha Letizia, të cilët u kanë përcjellë "ngushëllimet e tyre më të thella" familjeve dhe miqve të të ndjerit, si dhe dashurinë dhe urimet e tyre për shërim të shpejtë përmes mediave sociale, do të shkojnë të martën në vendngjarje.

Ceremonia e medaljes së Arteve të Bukura në Toledo, në të cilën ata kishin planifikuar të merrnin pjesë, është anuluar. Pasi të ndjekin funeralin e Princeshës Irenë, motrës së Mbretëreshës Sofia, ata do të përshpejtojnë kthimin e tyre në Madrid dhe nuk do të qëndrojnë për drekën familjare. 

“Duket se punimet e shpëtimit ende nuk kanë përfunduar, kemi qenë në komunikim me kryeministrin për të mësuar detajet që nga mbrëmja e djeshme,” ka deklaruar çifti për mediat, dhe do të kthehet “sa më shpejt të jetë e mundur”. “E kuptoj dëshpërimin e familjeve,” tha mbreti.

Ora 10:21
Tragjedia në Spanjë, kryeministri Sánchez anulon pjesëmarrjen në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

Për shkak të aksidentit të rëndë që ndodhi në Adamuz (Cordoba), kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror, i cili do të mbahet në Davos nga data 19 deri më 23 janar.

 Sánchez, i cili ndodhet tashmë në Cordoba, ka anuluar të gjithë axhendën e tij të së hënës për të parë nga afër situatën, pas daljes nga shinat të dy trenave me shpejtësi të lartë pasditen e së dielës. 

 

Ora 10:03
Përfundon evakuimi në njërin prej trenave në Spanjë, vijojnë përpjekjet e shpëtimit! Kompania Iryo publikon numrin e saktë të pasagjerëve të aksidentuar

Përpjekjet për të nxjerrë të gjithë viktimat nga vagonët që kanë dalë nga shinat janë në vijim, sipas medias spanjolle RTVE. Në njërin prej trenave, janë evakuuar të gjithë pasagjerët.

Ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë, Autoriteti Shëndetësor i Qeverisë Rajonale të Andaluzisë thotë se “ekipet e shpëtimit kanë arritur tek vagoni i tretë” i trenit Alvia. Ata shtojnë se besojnë se ka “një numër të pacaktuar viktimash, një shifër që mund të jetë e lartë”.

RTVE raporton se të gjithë pasagjerët janë evakuuar nga një nga trenat dhe rreth 500 persona ndodheshin në të dy trenat.

Iryo, kompania që zotëronte trenin që doli i pari nga shinat, ka dhënë një deklaratë për aksidentin këtë mëngjes. Në veçanti, deklarata përfshin numrin e saktë të personave, përkatësisht: 289 pasagjerë, 4 pjesëtarë të stafit dhe 1 drejtues.

Ora 10:01
Aksidenti hekurudhor në Spanjë, kompania hekurudhore kombëtare: Tepër herët për të përcaktuar shkaqet, trenat po udhëtonin me shpejtësi të ulët

 

Në këtë pikë është ende “shumë herët” për të ditur se çfarë e shkaktoi daljen nga shinat, tha në një intervistë Alvaro Fernandez Heredia, presidenti i kompanisë hekurudhore kombëtare të Spanjës, Renfe.

Duke folur për televizionin shtetëror spanjoll, ai tha se aksidenti ishte veçanërisht i pazakontë sepse ndodhi në një segment të drejtë të linjës hekurudhore, me sisteme sigurie aktive.

“Ne tashmë e dimë nga regjistrimet e shpejtësisë se trenat po udhëtonin me një shpejtësi më të ulët se ajo e caktuar për këtë segment,” tha ai. Ai shtoi se shkaku mund të lidhet “me ndonjë problem të trenit ose të infrastrukturës”. 

Linja e prekur pritet të mbetet e mbyllur për disa ditë, por kompania po përgatitet të ofrojë rrugë alternative transporti.

Fernandez Heredia tha se ky ishte “një nga momentet më të vështira” të jetës së tij, pasi kaloi natën në vendin e aksidentit.

 

Ora 09:12
Aksidenti hekurudhor në Spanjë me 39 të vdekur, Rama: Në emër të popullit shqiptar shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për përplasjen e dy trenave në Adamuz, Spanjë. Përmes një postimi në X kreu i qeverisë shprehet se ky është një lajm i hidhur, teksa nga ana tjetër ka përcjellë ngushëllimet për familjet e viktimave.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe timin, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë kohë pikëllimi. Mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që punojnë pa u lodhur në përgjigje të kësaj tragjedie”, shkruan Rama në rrjete sociale.

Ora 09:01
Aksidenti hekurudhor në Spanjë, dëshmia: Vetëm në errësirë midis të vdekurve, askush nuk u përgjigjej telefonatave

"Vajza ime më telefonoi në orën 7:45 të mbrëmjes, duke qarë dhe e shqetësuar, duke thënë se treni kishte dalë nga shinat. Nuk kishte mbulim në atë kohë. Vrapova menjëherë këtu në stacion, direkt në Renfe. Ata nuk dinin asgjë. Telefonuan 112 dhe thanë se kishte ndodhur një aksident. Filluan të telefononin makinistin e trenit dhe inspektorët, por askush nuk u përgjigj. Ajo që më tronditi ishte se ata mbyllën zyrën dhe ikën me vrap, duke na lënë këtu pa asnjë lajm. Më dukej çmenduri." Kjo është dëshmia e nënës së një vajze që po udhëtonte në vagonin numër 4 të trenit të distancave të gjata Alvia, që shkonte nga Madridi në Huelva, kur ai u përplas në orën 7:39 të mbrëmjes në Adamuz (Kordoba) me trenin me shpejtësi të lartë Iryo. Ky i fundit, pasi doli nga shinat, po udhëtonte në drejtim të kundërt, nga Malaga në Madrid.

Në deklaratat për transmetuesin publik TVE, gruaja rrëfeu momentet dramatike pas lajmit të parë nga vajza e saj e mbijetuar: "Vajza ime më tha se ata kishin arritur të shpëtonin nga vagoni, por se shumë ishin të vdekur. Pasagjerët ishin vetëm, në errësirë; as ekipi i shpëtimit dhe as policia nuk kishin mbërritur ende. Falë Zotit, ajo arriti të tregonte historinë. Ajo tani është në qendrën e urgjencës të ngritur për të trajtuar të plagosurit."