Një aksident rrugor është regjistruar sot në rrugën nacionale Maqellarë-Peshkopi, në vendin e quajtur Melan.

Dy automjete njëra tip ‘Golf’ dhe tjetra tip ‘Peguot’ janë përplasur me njëra-tjetrën ku të plagosur kanë mbetur çifti i bashkëshortëve që udhëtonin me ‘Golf’.

Ata janë transportuar në spitalin rajonal të Peshkopisë dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht dyshohet se ka qenë ‘Peguot-i’ ai i cili i ka prerë rrugën mjetit tjetër për të parkuar në kahun e kundërt.

"Rreth orës 09:40, në aksin rrugor Maqellarë–Peshkopi, janë përplasur dy automjete me drejtues shtetasit Q.Q., 59 vjeç, dhe E.M., 30 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, është lënduar një pasagjere, e cila po merr ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.