Një tjetër viktimë në akset rrugore të Lushnjes. Në orët e para të mëngjesit të 26 tetorit një person ka humbur jetën pasi është përplasur nga një autoveturë.

Aksidenti me pasojë jetën e një 56 vjeçari ka ndodhur në afërsi të fshatit Gramsh,në kilometrin e tretë të autostradës Lushnjë- Rrogozhinë.

Viktima Mariglen Koçiu ka qenë duke kaluar nga njëra anë e autostradës në anën tjetër teksa është përplasur për vdekje nga një automjet. Policia në vendngjarje ka dokumentuar ngjarjen dhe ka ndaluar drejtuesin e mjetit shtetasin Lulzim Balilaj.

Mbeten si gjithmonë problematike rrugët dhe autostradat pasi kalimi nga njëra anë në tjetrën sidomos në zonat e banuara përbëjnë rrezik të përhershëm për jetën e banorëve që kalojnë aty në mungesë të mbikalimeve apo nënkalimeve.

'Rreth orës 02:00 të mëngjesit, në aksin rrugor "Lushnjë-Tiranë", shtetasi L. B., duke drejtuar automjetin, ka përplasur këmbësorin, shtetasin M. K., 56 vjeç, i cili si pasojë e përplasjes ka humbur jetën në vendngjarje.

Shtetasi L. B., u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme.'